“Presion” para Korabit, drejtuesit e Flamurtarit pezullojnë tre futbollistë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2023 | 21:31

“Presion” para Korabit, drejtuesit e Flamurtarit pezullojnë tre futbollistë

Flamurtari nuk duron, merr masë ndaj futbollistëve që kanë dalë jashtë pritshmërive. Ata që e kanë pësuar të parët, janë tre lojtarët që klubi kishte vendosur në “listën e zezë” dhe i ka pezulluar. Ky është vendimi zyrtar që kanë marrë drejtuesit. Ashtu sikundër gazeta raportoi në numrin e djeshëm, Elvi Berisha, Mateus Indio e Aleksa Mrdja janë lojtarët që kanë zhgënjyer dhe ndaj të cilëve është marrë masa e pezullimit.

flamurtari

Vendimi është konfirmuar për “Panorama Sport”, nga burime pranë klubit. Sulmuesi, mesfushori dhe mbrojtësi nuk do të grumbullohen në ndeshjen me Korabin. Të tre nuk do të udhëtojnë sot me skuadrën për këtë transfertë delikate. Berisha, Mateus dhe Mrdja kanë qenë pjesë e stërvitjes ditën e djeshme, por nuk do të kenë shansin të luajnë. Kjo do të thotë që dënimi prek vetëm pjesën e pjesëmarrjes në ndeshje dhe jo angazhimin në seancat e përditshme. Nuk do të udhëtojnë në transferta, ndërsa në ndeshjet që do të luhen brenda në shtëpi do të kenë mundësi që ta ndjekin sfidën nga tribuna, pasi nuk do të jenë as në stol. Se sa kohë do të zgjasë ndëshkimi për ta, kjo ende nuk dihet. Gjasat janë që ndaj tyre të ketë edhe masa ndëshkuese me gjobë.

TAKIMI ME ÇELËN – “Panorama Sport” mëson gjithashtu, se dy ditë më parë, administratori Sinan Idrizi ka zhvilluar një takim me trajnerin Emiljano Çela. Në fakt, ka qenë edhe një kërkesë e vetë trajnerit për një takim me kreun e klubit. Në këtë takim është diskutuar për situatën jo të mirë që po kalon ekipi, sidomos pas humbjes në ndeshjen në Burrel. Gjasat janë që të jenë diskutuar edhe këto masa, të cilat i ka ndërmarrë klubi. Por administratori ka qenë i prerë në qëndrimin e tij, duke kërkuar kthesën e menjëhershme.

RREZIKU PAS KORABIT – Një humbje, por edhe një barazim në Peshkopi, do të rëndonte pozitat e gjithsecilit. Qëndrimi i Sinan Idrizit për të mos marrë masa deri tani, është thjesht provizor. Burime pranë administratorit thonë për gazetën se në rast të një zhgënjimi përballë Korabit, nuk do të ketë më “durim”. Klubi ka gati një plan. Edhe pse nuk konfirmohet zyrtarisht, zërat flasin për largime në radhët e futbollistëve dhe zëvendësimi i tyre me lojtarë të akademisë. Nuk do të përjashtohet nga masat as stafi teknik. Në Vlorë ka ardhur momenti që të gjithë t’i luten Zotit për një fitore, pasi në të kundërt “katarsis” do të ishte i pashmangshëm.

ERMAL SIKA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"