Presidenti Tushe: Lushnja si “piramidë”, do e shesim. Me paratë e futbollit kishim shtruar rrugët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2018 | 20:34

Presidenti Tushe: Lushnja si “piramidë”, do e shesim. Me paratë e futbollit kishim shtruar rrugët

Dje në mesditë është zhvilluar mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të aksionerëve të “KF Lushnja 1930” sh.a. Një mbledhje ku janë miratuar me shumicë votash pasqyrat financiare dhe projekt-plani financiar për vitin 2018. Megjithatë, gjatë takimit ka pasur diskutime dhe debate në lidhje me situatën që po kalon skuadra. Vetë kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe, ka qenë shumë kritik ndaj gjendjes që po kalon skuadra, ndërsa ka thënë se është i gatshëm që klubi të privatizohet.

“Të llogaris tetë vitet që jam unë president i klubit, nga 400 milionë në vit, i thonë 3.2 miliardë. Me këtë shumë bëhej qyteti i Lushnjës që të mos ecje në asnjë vend me baltë, por vetëm në asfalt. Ky është problemi. Kjo është një sh.a që vetëm i japim dhe nuk mbledh asgjë. Të ardhurat që ka janë shumë të pakta. Nuk e di nëse do të dalë ndonjë flamurtar ta marrë sepse ia jap që tani, që këtu në moment”, tha ndër të tjera Tushe në diskutimet e djeshme. “Jemi në të njëjtën situatë me Asamblenë e mëparshme. Kemi dërgimin e materialit për miratim, pasqyrat financiare për këtë vit. Projekt-planin financiar, të ardhurat dhe shpenzimet. Materialet janë shpërndarë në kohë. Jemi të hapur për ndonjë pyetje”, e ka hapur mbledhjen kryetari i bordit, Gentian Nushi. Gazeta “Panorama Sport” sjell të plota të gjitha diskutimet e djeshme mes anëtarëve në asamble.

Fatos Tushe

Fatos Tushe

Ylli Zdrava (anëtar i Asamblesë) – “Kryetari i Bordit ndjehet komod kur raporton për Asamblenë e futbollit lushnjar. Për pasqyrat financiare ndjeheni komod, ju vetë?”

Gentian Nushi (Kryetari i Bordit) – “Patjetër”! Ylli Zdrava (anëtar i Asamblesë) – “Këto pasqyra financiare, çfarë të mire i kanë sjellë futbollit lushnjar?”

Fatos Tushe (kryebashkiak, president i Lushnjës): “Nuk ndjehem komod vetëm për futbollin nga të gjitha aktivitetet që zhvillon Bashkia Lushnjë. I thonë 40 milionë lekë të reja në vit, që miratoni ju këtu. Të llogaris tetë vitet që jam unë president i klubit, nga 40 milionë në vit, i thonë, 3.2 miliardë që bëhej qyteti i Lushnjës të mos ecje në asnjë vend me baltë, por të ecje në asfalt. Ky është problemi. Kjo është një sh.a që vetëm i japim dhe nuk mbledh asgjë. Të ardhurat që ka janë shumë të pakta. Nuk e di do të dalë ndonjë flamurtar ta marrë sepse ja jap që tani, që këtu në moment.

Ylli Zdrava (anëtar i Asamblesë) – “Ka dalë në shitje”?

Fatos Tushe – “Ne nuk e kemi nxjerrë në shitje. I kemi kërkuar biznesit që të vijnë ta marrin, si ta duan përqindjen. Vetëm këto të ardhura të mos i ikin Bashkisë. Siç thashë janë 40 milionë lekë në vit. Ekipi katandiset, del edhe nga Kategoria”.

Ylli Zdrava (anëtar i Asamblesë) – “Sa është listë-pagesa e trajnerëve të Lushnjës”?

Gentian Nushi (kryetar i Bordit) – “Në total janë 10 trajnerë, ku tre i përkasin ekipit të parë. Kemi dhe një staf të reduktuar të punonjësve për mirëmbajtje. Komplet sh.a-ja duke përfshirë futbollistët, trajnerët dhe punonjësit, është 47 vetë”.

Jakup Beqiri (anëtar i Asamblesë) – “Këtu u bë një pyetje dhe u morën dy përgjigje. Pyetja që iu bë kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës “a jeni komod me këto që keni arritur deri tani? Kryetari i Këshillit Mbikëqyrës tha “po ndjehem komod”. Kryetari i Bashkisë nuk ishte komod, por ishte zeher. Nëse është vërtet kështu, bashkohem me të. Nëpërmjet votave tona kemi kaluar të paktën në këto tre vite, 1.2 miliardë lekë. Kryetari i Bashkisë thotë 3.2 miliardë në tetë vjet. Do të kishte shtruar me asfalt gjithë rrugët e Myzeqesë. Këto dy ekspoze që kanë këtu tregojnë qartë që gjërat nuk kanë shkuar mirë. Ne duhet të shikojmë tifozët ku janë? Ku e kemi rezultatin me gjithë këto lekë që janë harxhuar ndër vite? 11 pikë morëm të tëra. Detyrimisht, këto lekë janë justifikuar me fatura, por efekti i gjithë këtij buxheti për futbollin është zero”.

Fatos Tushe – “Është e vërtetë”!

Jakup Beqiri (anëtar i Asamblesë) – “Është një gangrenë që duhet të marrë një rrugë tjetër zgjidhjeje. Nuk kam qenë kundër dhënies së buxhetit të 40 milionë lekëve. Dua ta ngre zërin fort, por kryetari na i uli pak gjakrat, duke qenë më i mërzitur nga ne. Po tifozët? A janë mërzitur? Prandaj ne duhet t’i japim një zgjidhje kësaj gjëje”.

Lindita Buxheli (anëtare e Asamblesë) – “Këto janë të lidhura me njëra-tjetrën. Jemi të fokusuar te pasqyrat financiare, që megjithëse atë problem që ka futbolli që për mendimin tim i takon një periudhe tjetër, të bëhet një analizë teknike, unë them ta miratojmë”.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"