“Pres vetëm fitore”, Shpëtim Duro: Objektivi i Laçit varet nga tri pikët me Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2021 | 11:02

“Pres vetëm fitore”, Shpëtim Duro: Objektivi i Laçit varet nga tri pikët me Apoloninë

Trajneri Shpëtim Duro në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” deklaroi se Apolonia është ndeshje më e rëndësishme për Laçin. Trajneri kryeqytetas mbase niset edhe nga e shkuara “e hidhur” me fierakët, por edhe nga rëndësia që ka trepikëshi për kurbinasit në këtë fund sezoni. Duro flet me superlativa për disa elementë të Apolonisë që do të kishte dëshirë t’i kishte nën urdhrat e tij, por që nuk u përmend emrin edhe për faktin se sot përballen mes tyre. Duro e kërkon fitoren për të ardhmen dhe objektivat sezonal të Laçit.

Shpetim Duro logo

Luani ndaj Apolonisë, që ju ka marre 4 pikë në dy ndeshjet e fundit. A mund të jenë pengu i sezonit për Laçin këto dy hapa falsë?

Tani çdo ndeshje është e rëndësishme, pasi kampionatit po i vjen fundi dhe çdo skuadër duhet të marrë maksimumin për të realizuar objektivat. Luajmë ndaj Apolonisë që na ka krijuar shumë probleme këtë sezon. Kundërshtari ka një skuadër që më pëlqen shumë, ka lojtarë shumë të mirë dhe cilësorë në përbërje, ndonëse nga pozita që mban në klasifikim në pozitë të vështirë.

Çfarë prisni kësaj radhe ndaj fierakeve?

Ajo që pres dhe që është kryesore është që të fitojmë ndeshjen. Siç e thashë kampionati po shkon drejt fundit dhe nëse nuk arrijmë të marrim maksimumin e pikëve, patjetër që na krijon probleme për ndeshjet e tjera, vazhdimësinë dhe klasifikimin.

A keni diçka që ju shqetëson në ekip para kësaj sfide?

Skuadra duket në gjendje të mirë, por patjetër që kemi një mungesë shumë të rëndësishme, Julian Shehu. Një futbollist që ka qenë gjatë gjithë sezonit protagonist me Laçin, por kësaj radhe është i pezulluar për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve të verdhë.

Nisur nga kalendari, a mund të jetë kjo java e Laçit apo i druheni ndonjë surprize nga fieraket?

Në futboll parashikohet çdo gjë. Unë thashë se çdo ndeshje kërkon vlerësim, pasi të gjitha skuadrat në këtë fund sezoni kanë pretendimet e tyre. Ne duhet të marrim maksimumin në këtë ndeshje, për të parë më pas edhe përballjet e kundërshtarëve tanë. Po e theksoj se kjo ndeshje me Apoloninë është shumë e rëndësishme për Laçin, pastaj nga java në javë duhet parë se çfarë do të ndodhë.

Disa lojtarë të Apolonisë lakmohem nga disa skuadra, ju si trajner, kë do të dëshironit të kishit nën urdhrat tuaja?

Unë nuk mund të zgjedh emra edhe për arsye se kemi përballje direkte me ata. E kam ndjekur Apoloninë, e cila ka në përbërje lojtarë jashtëzakonisht të mirë, në të gjitha repartet. Sigurisht që unë kam pëlqimet e mia për shumë lojtarë aty, por në respekt të përballjes së sotme, si dhe sezonit që nuk është mbyllur akoma nuk mund të deklaroj asnjë emër në veçanti për momentin.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"