Portieri më i dobëti dhe Vinicius më i miri, notat e futbollistëve të Realit në “El Clasico”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2024 | 12:53

Portieri më i dobëti dhe Vinicius më i miri, notat e futbollistëve të Realit në “El Clasico”

Real Madrid përmbysi 3-2 Barcelonën dhe tashmë titulli është më afër se kurrë. “Los Blancos” nuk shkëlqyen, por ama morën tri pikët. Ja notat e futbollistëve madrilenë në “El Clasico”:

159bcfe8-e010-45f5-ac2b-65f0394b0c94

LUNIN 4.5 – Erdhi si hero pas penalltive të pritura në Mançester që i siguroi Realit një biletë në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Por ndaj Barçës shfaqi probleme, që nga goli i Kristensenit dhe disa pasiguri të tjera.

LUKAS VASKEZ 7 – Lukas është një garanci për Ançelotin, sa herë që e hedh në fushë. Ndeshje mjaft e mirë kundër Barcelonës, duke bërë gjithçka në krahun e djathtë. “Ha” Kanselon dhe fiton penalltinë që i jep mundësi Viniciusit të shënojë golin e 1-1.

RYDIGER 7 – Me radhë, Mbape, Haland dhe tani Levandovski. Por për Rydigerin nuk ka asnjë diferencë. Mbrojtësi gjerman ka gjetur formulën ideale për të ndalur këdo. I pakalueshëm!

TÇUAMENI 6 – Pas disa ndeshjesh ku po luante në rolin e tij, kundër Barçës, Ançeloti e ka kthyer në qendër të mbrojtjes. Një punë që nuk e refuzon, edhe nëse nuk e ka fort për zemër.

KAMAVINGA 5 – Ka përjetuar një nga ndeshjet e tij më të vështira që kur është transferuar te Reali. Lamine Jamal e ka bërë me dhembje koke. Ka vuajtur shumë përballë 16-vjeçarit, duke përdorur dhe mënyrat jo sportive për ta ndalur.

Nga 71’ FRAN GARSIA – pa notë.

KROS 6 – Një tjetër ndeshje jo bindëse për gjermanin. OK, me topin thuajse nuk gabon asnjëherë, por shumë më pak vendimtar. Mban përgjegjësi në golin e shënuar nga Kristensen në fillimin e takimit.

Nga 71’ BRAHIM DIAZ – pa notë.

VALVERDE 7 – Ndihmon shumë në detyrat mbrojtëse për të mbyllur krahun e majtë të Barcelonës. Edhe njëherë shfaqet si kapiteni pa shirit i Realit të Madridit. Çfarë mënyrë për t’i mbushur me energji, konkurrencë dhe dëshirë për të shkelur çdo centimetër të barit, shokët e skuadrës.

MODRIÇ 6 – Sa inteligjent është kroati në çdo lëvizje të tij! Ai e kupton në mënyrë të përkryer se ku duhet të shfaqet për të çekuilibruar mesfushën e Barçës dhe për të ndihmuar shokët e tij në nxjerrjen e topit.

BELLINGAM 7 – Zbritja për të marrë topin shumë larg zonës së Barçës. Kjo është ajo që Ançeloti i ka kërkuar numrit 5, i cili ka ndryshuar stilin e lojës për të ndihmuar ekipin në nxjerrjen e topit dhe me punë në mbrojtje. Largohet nga zona rivale, por shënon golin që mund të ketë vulosur titullin.

RODRIGO 7 – Barcelona nuk di si ta ndalojë brazilianin. Kanselo është i vetëm, pa ndihmë dhe pa atë pikë shpejtësie të nevojshme për këto ndeshje. Kjo është hapësira në mbrojtjen e Ksavit që ka shfrytëzuar Reali.

VINICIUS 7.5 – Humbet një rast të mirë në fillim, por shënon golin e barazimit. Penalltia e humbur në miqësoren e verës kundër Barcelonës nuk e ka dekurajuar. I ftohtë dhe i sigurt atëherë kur duhet. Asist për golin e dytë të Lukas Vaskez.

Nga 82’ HOSELU – pa notë.

ANÇELOTI 6.5 – Italiani ndryshon planet pas mbijetesës së përjetuar në Mançester. Madridi përpiqet të dalë me topin e luajtur në çdo kohë, tërheq Barcelonën dhe lufton në betejën për posedim me rivalin. Lojë shahu me Ksavin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"