“Pogradeci nuk shikon larg, por vetëm ndeshjen e radhës”, flet Shyti: Ndaj Apolonisë do të jetë një ndeshje…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2020 | 17:06

“Pogradeci nuk shikon larg, por vetëm ndeshjen e radhës”, flet Shyti: Ndaj Apolonisë do të jetë një ndeshje…

Pogradeci nuk ka më në plan që ta dorëzojë kreun, ndonëse tashmë nis “malorja” për ta. Në 3 javët e ardhshme, do të matin forcat me rivalë direkt si Apolonia, Lushnja dhe Besa. Megjithatë, lojtarët duan që t’i marrin gjërat shtruar dhe vëmendjen e kanë te përballja e radhës me fierakët. Ildi Shyti e sheh këtë 90-minutësh si përcaktues, por në anën tjetër evidenton se nuk ndiejnë kurrfarë presioni.pogradeci

Autori i dy golave me Elbasanin për gazetën u shpreh kështu: “Mund të them se është harruar fitorja e javës së fundit dhe tani jemi maksimalisht të përqendruar tek Apolonia. Jemi shumë të qetë për këtë ndeshje, nuk kemi as më të voglin presion dhe kjo ka një arsye që lidhet me faktin se jemi më të fortë se kundërshtarët dhe do ta tregojmë në fushën e lojës. Ky grup të jep siguri dhe siguria vjen nga puna që bëjmë”.

Liqenorët do të ndeshen në tri javët e ardhshme me tri ekipet që janë në katërshen e parë dhe luftojnë për ngjitjen. E megjithatë, 27-vjeçari nuk sheh aq larg. “Çdo ndeshje ka radhën e vet, nuk ka pse të ngarkohemi që tani me tri ose katër javët e ngelura nga kjo fazë. Përballë kemi Apoloninë dhe dua të them se është një ndeshje sa e rëndësishme aq edhe përcaktues, nga kjo të gjithë e kuptojnë se sa fort ne duhet të luftojmë”, theksoi mesfushori, që me verdheblutë shfaqi cilësi prej një sulmuesi të vërtetë.

Shpeshherë është parë të luajë në krahun e djathtë të mesfushës, por me detyra mbrojtëse. Ndërsa me Elbasanin trajneri Ardian Abazaj zgjodhi që ta vendoste pas dy sulmuesve. “Me këta dy gola i kam treguar trajnerit që do të ishte më mirë të kishte edhe më shumë besim tek unë si një sulmues (qesh). Gjithsesi, kjo është thjesht një batutë. Unë jam gati të kontribuoj për ekipin ku të jetë nevoja dhe ku bëj më të mirën”, kështu shprehet pogradecari.ildi shyti

Gjatë këtyre ditëve stërvitore ka pasur dyshime për gatishmërinë e Shkullakut, por Shyti jep bindjen se mesfushori do të luajë. “Shkullaku është një pikë e fortë për ne. Gjatë këtyre ditëve kam parë përkushtim maksimal tek ai, duke dëshmuar se nuk do të humbasë assesi këtë ndeshje. Me sa duket, kërkon të përjetojë emocionet e një fitoreje në transfertën e Fierit.

Merkatoja e Apolonisë? Nuk merremi aspak me atë se çfarë ndodh te kundërshtari dhe kjo është praktika jonë e punës. Të tjerët merren me ne, unë them dhe uroj me bindje që le të vendosë fusha se cili ekip është më i miri”, përfundoi 27- vjeçari.

Romeo Xinxifi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"