Pogradeci nuk do “blof”, Hysenllari: Besës nuk ia falim fitoren, ngjitja “fiksim”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2020 | 12:48

Pogradeci nuk do “blof”, Hysenllari: Besës nuk ia falim fitoren, ngjitja “fiksim”

Pogradeci nuk do “blof”. Pas pushim it të detyruar (prej tërheqjes nga gara të Luftëtarit), liqenorët do të udhëtojnë në Luz për të matur forcat me Besën. Kjo do të jetë e para ndeshje për të besuarit e Ardjan Abazajt, ndonëse luhet java e dytë e Kategorisë së Parë. Gjithçka është gati për këtë transfertë dhe stafi teknik ka “vulosur” edhe formacionin. Do të jetë një ekip sulmues, pasi nuk duan që ta diskutojnë fitoren. Përballë do të kenë një ekip që pret kthesën, e megjithatë pogradecarët as që kanë në plan që të lënë pikë.

astrit hysenllari

Misioni “Superiore” nuk i lejon që të hedhin hapa të gabuar dhe këtë e thotë hapur edhe kapiteni Astrit Hysenllari. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi thekson se për të shkuar drejt objektivit madhor, kanë vetëm një rrugë për të ndjekur: atë të fitoreve. “Ne jemi një ekip me objektiv të qartë dhe për ta realizuar atë, rruga është e përcaktuar. Na duhet fitore në çdo ndeshje. Nuk jemi euforikë, por të destinuar për të hyrë në fushën e lojës me mentalitet fituesi”, thotë 35-vjeçari, që është kthyer në titullar të padiskutueshëm në qendër të defensivës, pas largimit të Miklovan Peres.

Ai së bashku me Kasën janë siguria e ekipit dhe do të mbështeten nga Pura në krahun e majtë dhe i afruari këtë sezon, Toma. Pas shpine do të kenë një “gardian” si Baçi. Hysenllari nuk harron të përmendë kundërshtarët: “Përballë do të kemi një kundërshtar shumë të mirë. Pavarësisht se Besa pësoi humbje javën e parë, ky nuk është treguesi real. Ne do të përqendrohemi te fusha, aty ku është dhe forca e çdo ekipi”. Liqenorët kanë disa të larguar nga një sezon më parë, por kapiteni mendon se është shtuar cilësia. “Ne kemi në përbërje shumë futbollistë të rinj dhe të etur për fitore. Ata kanë shtuar vlerat dhe cilësinë te Pogradeci. Ndaj, besimi është edhe më i madh se ne do të bëjmë paraqitje më të mira se sezonin e shkuar”, përfundon mbrojtësi.

ROMEO XINXIFI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"