Plani për Vllazninë, 11-shja e Partizanit është si ekuacion. 3 lojtarë vendosin Shehin në siklet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2024 | 9:20

Plani për Vllazninë, 11-shja e Partizanit është si ekuacion. 3 lojtarë vendosin Shehin në siklet

Partizani nuk shkon në situatën më të mirë të mundshme në sfidën e së dielës kundër Vllaznisë. Pas Laçit të kuqtë prisnin rikthimin e të gjithë lojtarëve, çka do t’i jepte Shehit mundësinë për të ndërtuar një formacion sa më të fortë. Përkundrazi, durrsakut do t’i duhet të improvizojë duke aktivizuar edhe lojtarë jashtë roleve natyrale.

PARTIZANI

DËMTIMET DHE MUNGESAT – Mungesë e sigurt është ajo e Tedi Carës, i vetmi sulmues krahu që Partizani ka në organikë. Nga ana tjetër, Andi Hadroj dhe Adnard Mehmeti, kur kanë mbetur edhe tri ditë nga beteja me shkodranët, nuk kanë dhënë sinjale se do t’ia dalin të rikthehen të gatshëm. Pukjani ka një problem muskulor dhe e konsideron të humbur Vllazninë, ndërsa mesfushori nuk ka arritur të përparojë sa duhet dhe ka mbetur jashtë në ditët e fundit. Bashkë me mungesën e Carës, trajnerit do t’i duhet të bëjë modifikime “zinxhir” në çdo repart.

LËVIZJE “DOMINO” – Në portë me shumë mundësi edhe në këtë ndeshje pritet të luajë Qirko, megjithëse Hoxha është stërvitur normalisht. Atanaskoski nga e majta dhe Sota e Preka në qendër nuk priten të ndryshojnë, teksa do të duhet të gjendet një zgjidhje për krahun e djathtë. Një opsion është Zekolli, por në të shkuarën në këtë pozicion ka luajtur Murataj dhe ka treguar se mund ta bëjë mirë. Në rast se zëvendëskapiteni luan në të djathtë të mbrojtjes, liron një vend në mesfushë, aty ku sërish ka probleme me mungesat. Rrapaj dhe Maget janë të sigurt nga minuta e parë, por Shehi duhet të gjejë zgjidhje për mesfushorin që plotëson treshen. Kandidat kryesor është Taipi, i cili kur është vendosur në këtë repart ka shfaqur nivel të kënaqshëm. Nëse ish-kapiteni i Kukësit pozicionohet në mesfushë, lirohet një vend në anë të sulmit. I ndodhur pa një sulmues si Cara, Shehi pritet të vendosë një treshe me Skukën, Mba dhe Kekon. Nëse nuk luan ky i fundit, Taipi do të spostohej në sulm dhe në mesfushë në mungesë të Mehmetit do të luante Ismaili. Mbetet të shihet sesi Shehi do ta zgjidhë “ekuacionin” e 11-shes startuese, që do të duhet të modifikohet me lojtarë jashtë roleve natyrale. Një tjetër skemë që Shehi e ka përdorur është edhe 3-5-2, çka mbetet një opsion.

DFHGJ

PRESIONI – E diela pritet me mjaft presion te të kuqtë, megjithëse ambienti përreth është gjithnjë i qetë dhe në pamje të parë nuk e reflekton tensionin. Megjithatë, mjafton të shohësh rezultatet e shkuara dhe renditjen për të kuptuar se ajo e së dielës nuk është një ndeshje e zakonshme, por nga ato që përcaktojnë sezonin. Të kuqve iu vlen vetëm fitorja në “Air Albania”, pasi në të kundërt nuk do të kishin asgjë në dorën e tyre sa i përket vendit të dytë. Kujtojmë se për të marrë avantazhin e barazimit në “Final 4” duhet të renditesh në dy vendet e para.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"