Plani i Flamurtarit, kërkon të rikthejë në ekip mbrojtësin shkodran

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2020 | 9:36

Plani i Flamurtarit, kërkon të rikthejë në ekip mbrojtësin shkodran

Ka kaluar një javë që nga rinovimi i kontratës së administrimit mes Bashkisë Vlorë dhe kompanive turke, e megjithatë Flamurtari mbetet në “vendnumëro”. Nuk kanë ende një trajner dhe as kanë nisur me afrimet. Por, të paktën kanë bërë disa tentativa për rinovime. Gazeta mëson se në planet e drejtuesve të klubit është Denis Pjeshka. Mësohet se klubi ka pasur kontakte me të dhe po tenton që ta bindë të qëndrojë edhe një vit te kuqezinjtë. Lojtarin e shikojnë si të vlefshëm në mbrojtje dhe si një siguri më shumë për shkak të eksperiencës.

pjeshka flamurtari

Qëllimi i drejtuesve është që ta ngjisë ekipin në elitë, prandaj edhe në merkato do afrojnë elementë me përvojë. Ndaj edhe duan që shkodrani të zgjasë kontratën. Por se sa do të realizohet kjo gjë, mbetet për t’u parë. Sa u përket dy shkodranëve të tjerë Olsi Gocaj dhe Xhevahir Sukaj, mësohet se nuk janë në planet e drejtuesve të Flamurtarit për një ofertë të mundshme për sezonin e ri.

Mendohej se të paktën me Xhevahir Sukajn bashkëpunimi mund të vazhdonte edhe në Kategorinë e Parë, për shkak të marrëdhënies që ai krijoi me administratorin Idrizi, por nuk ka ndodhur kështu.

Mocka Flamurtari

MOÇKA & RIBAJ – Shpëtim Moçka dhe Andi Ribaj ende në “ajër”. Lojtarët ende nuk kanë vendosur për të ardhmen e tyre. Portieri ka oferta nga tri ekipe të Kategorisë Superiore (mes tyre edhe nga Laçi), ndërsa sulmuesi nga Qipro. Gazeta mëson se dy lojtarët presin një takim me administratorin për të vendosur më pas për të ardhmen. Por mësohet se Ribaj dhe Moçka kërkojnë siguri nga klubi sa u përket financave për të qëndruar në Vlorë. Nëse në takimin që do të zhvillojnë me Sinan Idrizin do ta marrin këtë garanci, atëherë ata pritet të firmosin për të vijuar te Flamurtari.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"