Pjesëmarrjen e rrit derbi, ja sa tifozë ka Tirana mesatarisht për ndeshje këtë sezon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2022 | 13:22

Pjesëmarrjen e rrit derbi, ja sa tifozë ka Tirana mesatarisht për ndeshje këtë sezon

Tirana vazhdon të ketë në krah tifozët e saj. Edhe pse në Shqipëri pakësohen njerëzit, nëpër ndeshjet e Tiranës kanë qenë 24700 tifozë në tetë javë kampionat. Tifozët bardheblu janë mesatarisht 3087 vetë për takim dhe shumë më pak pa llogaritur derbin ose 1514 njerëz. Skuadra kampione e Shqipërisë vazhdon të qëndrojë në krye për sa u përket tifozëve në mes 10 ekipeve të Superiores, ndërsa skuadrat e tjera janë shumë më pak për sa u përket përkrahësve.

Tirana Partizani derbi

ME DERBIN – Janë mesatarisht 3087 tifozë në një ndeshje të Tiranës. Këto janë statistikat që dalin nga ndeshjet e bardhebluve. Në llogaritje janë marrë tetë javët e kampionatit, ndërsa derbi ngre shumë peshën e tifozëve. Vetëm në derbin e fundit mes Tiranës dhe Partizanit kanë qenë mbi 14 mijë tifozë.

PA DERBIN – Tiranën në numrin e tifozëve e ngre ndeshja derbi, por pa llogaritur derbin, janë mesatarisht 1514 tifozë në një ndeshje. Pra, gjysma e tifozëve. Kjo do të thotë se në ndeshje të zakonshme numri i përkrahësve është shumë i ulët.

statistikat

VITET MË TË MIRA – Në takimet në shtëpi, skuadra që ka pasur më shumë tifozë në stadium është ajo e Tiranës. Sezoni më i mirë i tifozëve të Tiranës është ai 2019- 2020. Në sezonin e pandemisë, edhe pse nuk pati ndeshje të plota me tifozë në stadium kanë qenë rreth 4934 njerëz. Pra në sezonet ku Tirana ka qenë konkurrente ka pasur goxha tifozë, çka tregon se është e para në këtë renditje. Gjithsesi, numrat e këtij sezoni janë ende shumë larg sezonit të para dy viteve.

SHKAQET – Për mungesën e tifozëve në stadium është folur shpesh, pasi u bënë vite që në futbollin shqiptar ndeshjet luhen thuajse pa praninë e spektatorëve. Kryesorja, sigurisht lidhet me produktin që ofrojnë klubet. Po ashtu është e rëndësishme, në javët e fundit kur skuadrat dalin nga objektivat, shihet një mosinteresim akoma edhe më i madh nga ana e përkrahësve të tyre. Për të mos folur më pas për largimet e njerëzve nga Shqipëria.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"