PIKANTET| Tirana-Laçi/ “Presion” nga tribuna, Vangjeli e Mazrekaj janë të pakënaqur. Çfarë nuk u pa në TV

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2021 | 19:02

PIKANTET| Tirana-Laçi/ “Presion” nga tribuna, Vangjeli e Mazrekaj janë të pakënaqur. Çfarë nuk u pa në TV

– Grumbullim i madh tifozësh para stadiumit, por ka dyndje policësh të cilët e rrethojnë “Air Albania”-n dhe largojnë turmën.

Laci festa e golit

– Fotografi i Tiranës i bën foto ekipit të Laçit para fillimit të ndeshjes. Një nder që ia kërkon ekipi mik.

– Minuta e 10-të: Është Hoxhallari në fillim që shkarkon nervat me anësorin Grabova dhe më pas Vangjeli me kryesorin Cjapi, pasi vendimet janë masakër.

– Mazrekaj mërzitet në minutën e 11-të, sepse Shpëtim Duro nuk e lë që të godasë goditjen e dënimit.

– Gjyqtarit i mbaron spraji dhe detyrohet që ta ndërrojë pa kaluar 15 minuta.

– Visar Bekaj çon dy herë topin në anësore, irritohen të pranishmit në stadium që ndiqnin ndeshjen.

– Vangjeli kritikon Hoxhallarin për një faull që ai bën në dëm të Mazrekajt. Për të do të ishte i verdhi i dytë dhe automatikisht karton i kuq.

– Presion në fund të pjesës së parë nga tribuna ndaj gjyqtarëve. Lumë të sharash që nuk ndalen dhe një taktikë për t’i bërë presion gjyqtarit nga larg.

– Naim Halili, drejtori i Laçit, lë pjesën e tifozëve kurbinas dhe rreshtohet në krahun tjetër nga porta që sulmonte ekipi i tij në pjesën e dytë.

– Obanor dhe Shehu përplasen me njëri-tjetrin për një anësore. Mbrojtësi kërkonte ta niste vetë lojën, por nuk u la nga shokët e tij.

– Edmond Haxhia dhe Edmond Dosti, dy nga më aktivët në këshillimin e lojtarëve të Laçit. Nuk lënë gjë pa bërë në stadium që të fitojë Laçi.

– Kristi Vangjeli nuk e pret mirë zëvendësimin, duke shprehur pakënaqësi për daljen nga loja.

– Minuta e 71-të, Mazrekaj shtyn Dansonë që nuk e ndali lojën, sepse Harmon në krahun tjetër ishte i dëmtuar. Lojtari i Tiranës aktron në fushë. Nuk ka ndëshkime.

– Taulant Seferi proteston ashpër për një faull të Shehut në dëm të Dansosë. Gjyqtari nuk e ndëshkon me të verdhë. Sulmuesi bërtet edhe më shumë, e godet padashje me shpatull, por ndëshkohet me të verdhë.

– Festë e Laçit në dhomat e zhveshjeve. Me skuadrën bashkohet edhe presidenti i kurbinasve.

– Presidenti Refik Halili, pjesën e dytë të ndeshjes e pa në llozhat e “Air Albania”-s, ndërsa më pas u largua nga stadiumi pa thënë asnjë fjalë.

– I fundit që ka lënë stadiumin ishte Orges Shehi, i cili u detyrua që të jepte intervistat e rastit për mediat e pranishme.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"