PIKANTET E TIRANA-EGNATIA/ Aleksi tension me tifozët, ka sharje me megafon. Lata tërbon rrogozhinasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2024 | 21:06

PIKANTET E TIRANA-EGNATIA/ Aleksi tension me tifozët, ka sharje me megafon. Lata tërbon rrogozhinasit

Në ndeshjen mes Tiranës dhe Egnatias ka disa momente të veçanta në fushë që nuk u panë në televizion. Ja më pikantet e sfidës…

egnatia tirana

– Ndryshe nga ndeshja me Teutën në Kupë ku ishte një stadium plotësisht i boshatisur, me Egnatian nuk munguan tifozë nga të dyja ekipet. Bëhet fjalë për diku te 700 të pranishëm, edhe pse gjithsesi numri është shumë i vogël.

– Lojtarët dhe tifozët e Tiranës tërbohen që në minutën e shtatë me kryesorin e takimit, pasi kërkuan një karton të verdhë ndaj Ndrecës për ndërhyrjen ndaj Abazajt. Gjithsesi, mbrojtësi i Egnatias ia hedh me një këshillim.

– Tifozët e Egnatias irritohen me një nga fotoreporterët në stadium, ku mesa u kuptua ishte ai i klubit të Tiranës. Nuk mungojnë të sharat ndaj tij, teksa u desh ndërhyrja e stjuartëve për të qetësuar situatën. I paqartë shkaku që solli nervozizmin e tyre.

– Malota i hakërrehet gjyqtarit te momenti i dyshimtë për një 11-metërsh në favor të tyre. Kapiteni lë mbrojtjen dhe i kërkon ta shohë në VAR, por më kot, pasi gjyqtari vazhdon lojën. Inati nuk i kalon, pasi edhe në mbyllje të pjesës së parë ia kujton Latës atë moment.

– Fagu vë duart në kokë për një faull të paakorduar pranë zonës së Egnatias, fillimisht pas ndërhyrjes ndaj Abazajt dhe më pas Latifit. Kryesori vijon lojën, ndërsa tekniku i Tiranës nuk pajtohet me këtë moment dhe proteston në heshtje.

– Në minutën e 50-të ndërpritet ndeshja për dy minuta, për shkak të hedhjes së tymueseve në fushë nga ana e tifozëve të Tiranës.

– Malota dhe Sherri kanë një keqkuptim në fushë që për pak pësuan golin. Të dy po i kërkonin llogari njëri – tjetrit për atë moment.

– Nga goli i Egnatias “digjet” Gledi Mici. Mbrojtësi po bëhej gati të futej në fushë në vend të Patrik, por sapo shënon Ibrahimoglu, Fagu ndryshon mendim dhe ndërrimi nuk bëhet.

– Portieri Alen Sherri tërbon tifozët bardheblu. Fillimisht për vonesën e lojës dhe më pas për shtrirjen në fushë për një dëmtim. Madje, ultrasit përdorën edhe altoparlantin për t’i kërkuar të çohet, duke mos lënë mënjanë as ofendimet.

– Në fund ka tension midis Albano Aleksit dhe një tifozi të Tiranës, i cili hodhi ofendime ndaj tij, me lojtarin që ia ktheu aty për aty.

– Edlir Tetova dhe drejtues të Egnatias shkojnë të rrethojnë arbitrin dhe t’i kërkojnë llogari për atë penallti në fund, që i hoqi nga duart tri pikët.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"