Pikantet e Partizani-Vllaznia/ Djarmati bën VAR-in në pankinë, Matondon e tradhtojnë këpucët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2022 | 15:11

Pikantet e Partizani-Vllaznia/ Djarmati bën VAR-in në pankinë, Matondon e tradhtojnë këpucët

Ndeshja mes Partizanit dhe Vllaznisë nuk prodhoi shumë në fushë, por kishte plot episode pikante gjatë dhe në fund të saj.

bandicam 2022-03-31 17-47-25-130

* Ndeshja nis jo me ndriçim të plotë, dritat e “Elbasan Arena” kërkojnë kohë për t’u ndezur tërësisht.

* Masanga që në minutën e tetë nis të kuptojë se nuk ka zgjedhur takat e duhura, sepse në ecje e sipër rrëshqet në tokë. Ky moment sjell ilaritet në stadium. Sakaq, pas tij me radhë lojtarët nisin të shfaqin probleme me terrenin, sepse vazhdimisht rrëshqasin kur godasin topin.

* Zogoviç arrin të ndalë një goditje të rrezikshme të Skukës në minutën e 18-të dhe e dërgon në këndore. Menjëherë, portieri i Vllaznisë falënderon Zotin duke bërë kryqin.

* Drejtori i Vllaznisë, Matko Djarmati, e sheh ndeshjen nga IPad-i i tij dhe sheh me kujdes çdo rast për dol apo vendim të arbitrit dhe herë pas here e diskuton me pjesëtarët e stafit teknik.

* Në pjesën e parë Da Silva jep një vertikalizim për Latifin, i cili qëndron në vend. Më pas i drejtohet brazilianit: “Isha pozicion jashtë loje”.

* Tifozët, edhe pse të paktë në numër kanë një rivalitet midis tyre, se cili grupim ultras “pushtonte” stadiumin. Madje, në një moment ultrasit e Vllaznisë, të cilët ishin ngjitur me tribunën kryesore, kthehen nga pjesa tjetër dhe i kërkojnë të çohen në këmbë për të shprehur mbështetjen karshi skuadrës.

* Dritan Mehmeti dhe Elvis Plori nuk “tremben” nga shiu i rrëmbyeshëm që binte herë pas here në Elbasan. Ata kishin marrë masa duke u pajisur me xhupa me kapuç dhe nuk preferonin që të uleshin në pankinë.

* Mehmeti “harron” të rikthehet në pankinë pas pushimit, teksa për tre minuta skuadrën e drejtoi ndihmësi i tij, Fatjon Tafaj. Më pas, Mehmeti rikthehet në pankinë dhe del të japë udhëzimet për të tijtë si zakonisht.

* Në stadium ishte i pranishëm edhe futbollisti i Egnatias, Bruno Telushi. Ai e pa ndeshjen në sektorin ku qëndronin tifozët e kuq dhe me shumë gjasa bënte tifo për ish-skuadrën, ku edhe u shpall kampion.

* “Hajdeni çuna se ju zuri gjumi, ej”, dëgjohet të thotë një nga pjesëtarët e stafeve të ekipeve, në pjesën e dytë, kur loja për hir të së vërtetës kishte rënë në ritme të ulëta.

* Murataj nuk preferoi të shkojë në pankinë pasi u zëvendësua, por shkoi direkt në dhomat e zhveshjes, dukshëm i mërzitur.

* Në momentin kur arbitri sinjalizon se do ta shohë rastin e golit në ekranin e VAR-it, Krymi i del para dhe mundohet të mos e lejojë të shkojë të shohë rastin në monitor.

* Pas momentit kur Ferataj anulon golin e shënuar nga Aralica, lojtarët dhe stafi i Vllaznisë shpërthejnë kundër arbitrit. I vetmi, që tregohet i qetë dhe reflekton eksperiencën e tij të madhe është Dianje, që gjatë gjithë kohës mundohet të qetësojë shokët e ekipit, por edhe arbitrin Plori.

* Kur arbitri Ferataj po nisej të shkonte drejt dhomave të zhveshjes, kapiteni i Partizanit, Alban Hoxha, qëndroi krah badigardëve për të shmangur ndonjë situatë të pakëndshme. Fatmirësisht asnjë send nuk u hodh drejt tij. Tifozët në tribunën VIP u mjaftuan duke goditur mbulimin e hyrjes së tunelit, ku arbitri po kalonte.

* Në fund, disa tifozë shkodranë përleshen me policinë, edhe për shkak të irritimit që patën për golin e anuluar. Ndërhyrja e forcave të rendit neutralizoi situatën dhe më pas ata u larguan të qetë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"