Pikantet e ndeshjes Teuta-Partizani/ Atanaskoski baba shembullor, Kolela “tërbohet” me arbitrin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2023 | 20:07

Pikantet e ndeshjes Teuta-Partizani/ Atanaskoski baba shembullor, Kolela “tërbohet” me arbitrin

“Panorama Sport” ju sjell pikantet e ndeshjes Teuta-Partizani.

vn mf

*Ka përqafime të shumta kur të dyja ekipet mbërrijnë në “Niko Dovana” midis lojtarëve që kanë luajtur së bashku në skuadra të ndryshme që tani veshin fanellën e Teutës dhe Partizanit.

*Përpara ndeshjes drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, u pa në korridoret e stadiumit “Niko Dovana” duke biseduar disa momente me pjesëtarët e stafit teknik.

*Trajneri i të kuqve, Kolela u pa tepër nervoz në këtë ndeshje. Në disa momente ai gati sa nuk hyri në fushë. Në minutën e 90-të kur Murataj u ndëshkua më të verdhë trajneri u inatos duke protestuar fort, por më pas u qetësua nga pjesëtarët e stafit.

*Nuk mungojnë as “trajnerët” në tribuna, të cilët shpeshherë japin udhëzime për lojtarët në fushë, madje duke i çorientuar në disa raste.

*”Beko, Beko luaj shpejt te Sota, mos mbaj topin në atë zonë”, dëgjohet t’i thonë Bekim Rexhepit nga stoli i kuq. Më së shumti me të komunikon trajneri i portierëve, Ilir Bozhiqi.

*Në orën 19:10 ishte momenti kur u hap iftari dhe disa lojtarë dhe stafi i Teutës e hapën në pankinë duke konsumuar ujë dhe hurma.

*”Lorenco, Lorenco dil në të djathtë tani shpejt se 10 minuta ka”, dëgjohet Martini nga pankina, teksa bënte përpjekjet e fundit taktike për të shmangur humbjen. Në fund rezultoi pa sukses.

*Të shtunën ishte një numër i konsiderueshëm tifozësh në stadium, kur përveç dy grupimeve “djemtë e detit” dhe “Ultras Guerrils”, kishte një numër të konsiderueshëm edhe të tifozëve të thjeshtë. Në stadium ishin rreth 2 mijë spektatorë, një numër që e hasim rrallë në ndeshjet e Teutës në “Niko Dovana”.

*David Atanaskoski pësoi një dëmtim pak ditë para ndeshjes dhe nuk arriti të ishte i gatshëm në këtë ndeshje. Ai mund ta shihte edhe nga televizioni, por zgjodhi të udhëtonte drejt Durrësit dhe këtë e bëri bashkë me familjen e tij. Përveçse një profesionist i jashtëzakonshëm, ai u shfaq edhe një baba shembullor, pasi u kujdes shumë për vajzën e tij të vogël, duke e mbajtur në krahë dhe ushqyer.

*Përveç kësaj, hijeshi “Niko Dovanës” i dha edhe bashkëshortja e Jozef Menish, bashkë me fëmijën e tyre. Ata pozuan së bashku pas ndeshjes.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"