Pikante nga ndeshja Teuta-Vllaznia/ Alivoda dëmtohet në nxehje, vetëm 200 tifozë në stadium

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2023 | 17:27

Pikante nga ndeshja Teuta-Vllaznia/ Alivoda dëmtohet në nxehje, vetëm 200 tifozë në stadium

Në një ndeshje ku mbizotëruan rreshjet e shumta të shiut gjatë gjithë lojës, interesimi në shkallët e stadiumit “Niko Dovana” nga tifozët ka qenë në një nivel qesharak. Pati rreth 200 të pranishëm, ku tifogrupet e dy skuadrave u munduan të mbështesnin ekipet. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e ndeshjes Teuta-Vllaznia, dje në Durrës.

TEUTA

* Në momentin që skuadra e Vllaznisë po kryente nxehjen, mesfushori Rejan Alivoda, tenton një goditje drejt portës dhe dëmtohet. Menjëherë ai kërkon ndihmën e stafit mjekësor, ndërsa e ka të pamundur të luajë. Vllaznia bëri zëvendësimin e protokollit, duke futur si titullar Eslit Salën, ndërsa Alivoda qëndroi në stol për të mbështetur skuadrën.

* Sulmuesi i Vllaznisë, Ildi Gruda, tregon respekt për të kaluarën, teksa menjëherë pas shënimit të golit, ngre duart lart, duke mos festuar. 23-vjeçari shkodran ka qenë pjesë e Teutës për katër vite, duke festuar gjithçka me fanellën e durrsakëve.

* Realdo Fili nuk ishte në stol as në ndeshjen e djeshme, pasi vijon të jetë në fazën e riaftësimit pas dëmtimit të tri javëve më parë. Megjithatë, sulmuesi i Teutës qëndroi pranë shokëve në dhomat e zhveshjes, duke kërkuar t’i motivojë ata për sfidën me Vllazninë.

* Trajneri i Teutës, Edi Martini, herë pas here inatosej me lojtarët e tij. Pas një kundërsulmi të shpërdoruar, ai dëgjohet të thotë: “Po hidhe mor burrë topin atje”. Në një moment tjetër, kur Peposhi mbeti i dëmtuar, Martini thotë: “Çohu Pepo, shtrëngohu edhe pak”.

* Trajneri i portierëve të Vllaznisë, Ideal Lekiqi, nuk i ndahet kartonëve të verdhë, ndërsa debaton ashpër më arbitrin e katërt, Olsion Yzeiraj. “Ndale more lojën se ka marrë goditje në kokë lojtari”, tha në një moment Lekiqi, duke iu drejtuar kryesorit Juxhin Xhaja, ndërsa ky i fundit e ndëshkoi më pas me të verdhë.

* Gjatë gjithë kohës, drejtori i Vllaznisë, Tefik Osmani, fliste nga pankina, ndërsa trajneri Qatip Osmani, ishte më i qetë dhe ndiqte lojën, duke ndërhyrë rrallë dhe më tepër bisedonte me ndihmësin e tij.

* Rreshjet e dendura të shiut bën që të dyja ekipet në pjesën e dytë të dilnin në fushë me fanella të reja.

ZAMIR QYPI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"