Petraq Sava, “lepuri” që dashuronte Partizanin dhe çmendi Burrelin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2023 | 23:07

Petraq Sava, “lepuri” që dashuronte Partizanin dhe çmendi Burrelin

Nga UVIL ZAJMI

Një karrierë e ndarë me dy klube: E para me njërën nga të mëdhatë e futbollit kombëtar, Partizanin dhe tjetrën me një formacion modest, protagonist në kategoritë inferiore, pastaj befasues dhe konkurrues me skuadrat e elitës: 31 Korriku i Burrelit.

363624293_3391847337726148_7439624283293464426_n (1)

 

Një histori që të befason, si ajo e Petraq Savës, mbrojtësit të talentuar, ndonëse shtatshkurtër, por të shkathët, mbret i lojës së ajrit. Titullar te Partizani i Loro Boriçit, pastaj largimi për në Mat, duke u bërë lider në këtë formacion dhe komanduar lojën, strategjinë taktike, në arritjet e saj deri në Kategorinë e Parë. “Me nofkën ‘lepuri’, kështu jam njohur nga tifozëria e Partizanit”, tregon për “Panorama Sport”, Sava.

364040925_1283051558983963_3769244188022918673_n (1)

Zoti Sava si e nisët futbollin?

Si fillime janë ato midis shokëve, lagjeve, si te fusha e Shkollës së Bashkuar, lagjja e dibranëve. Kur isha 13 vjeç, nxënës në klasën e 8-të në tetëvjeçaren “Bajram Curri”, gjatë orëve të fizkulturës, duke luajtur futboll, mësuesi i edukimit fizik, i mirënjohuri Njazi Lleshi, ndonëse mjeshtër i basketbollit, pa tek unë cilësi që mund të më shërbenin për luajtur futboll. Ai erdhi në familje, takoi babanë tim Mina Sava dhe i foli për prirjen time. Ne ishim tre fëmijë, dy vëllezër dhe një motër. Vetëm unë u angazhova me sportin.

Dhe menjëherë në një skuadër me traditë apo jo?

Po, mund të them se po atë vit jam bërë pjesë e klubit të 17 Nëntorit me skuadrën e të rinjve. Por, ishte babai me profesion pedagog, i njohur në Ministrinë e Mbrojtjes dhe ai më dërgoi të Partizani, ku trajner i të rinjve ishte Bejkush Birçe. Kam luajtur edhe një sezon me Dajtin në Kategorinë e Dytë, pastaj tek ekipi i parë i Partizanit. Ishte viti 1974, ku trajner ishte Kolec Kraja.

Te Partizani vjen Boriçi, që nuk i pëlqente lojtarët shtatshkurtër… Si ia dolët?

Ka qenë viti 1975, ishim në Pogradec, në një fazë përgatitore, na njoftuan se do të largohet Kraja dhe në vend të tij, trajner do të kthehej Loro Boriçi me Lin Shllakun si zëvendës. Në fillim Boriçi ishte skeptik në lidhje me shtatlartësinë time dhe më mbante rezervë në stol. Ka qenë një moment kur dëmtohet Londo dhe ai më aktivizoi mua. Kam shënuar dy gola në atë takim kundër Skënderbeut në “Qemal Stafa”. Ishim në disavantazh, barazuam 2- 2. Pastaj Boriçi nuk më ndante nga formacioni.

WhatsApp Image 2023-08-11 at 3.46.11 PM (1)

Ishit në një grup me lojtarë të shquar, cilët mbani mend nga ata?

Te Partizani kam qëndruar deri në fund të sezonit 1977-‘78, kur u largua Boriçi dhe erdhi Birçe. Në ato vite kam pasur fatin të luaj me Jani Kaçin, Bashkim Muhedinin, Safet Berishën, Gjergji Thakën, Astrit Ziun, Ilir Lamen, Kastriot Hysin, Agim Muratin, Agim Jankun, si dhe ne të rinjtë, Besnik Çela, Ilir Bushati, Albert Sejdari, Astrit Maçi, Alqi Gjini, Muç Fagu. Me Ilirin dhe Alqin kisha shumë miqësi, edhe si djem të Lagjes 10-të.

Ishte një skuadër ku vendi në formacion nuk ishte i lehtë apo jo…?

Shumë e vështirë do të thosha. Të luaje në atë skuadër nuk ishte e lehtë, sepse rivaliteti ishte i madh në stërvitje dhe në ndeshje. Janë kampionate kur përballë ke Dinamon e Zërit, Përnaskës, Ballgjinit në kulimin tyre. Po kështu Vllaznia e Bizit, Zhegës, Rragamit, 17 Nëntori i Dibrës, Gëzdarit, Labinoti fitues i Kupës së Republikës, Besa e Lokomotiva, gjithashtu. Bashkë me tifozërinë, që mbushte kudo stadiumet. Përgjegjësi e madhe për ne lojtarët.

Në një numër të “Sportit” të kohës, ju marrin si shembull pozitiv, kur lexojmë: “Berisha, Ziu, Thaka, bashkë me të riun Sava…”

Më vjen mirë për një vlerësim të tillë edhe pse kanë kaluar kaq vite. Dhe kur mendon çfarë Partizani ka qenë, sigurisht që më rikthen tek ajo skuadër me atë bosht të jashtëzakonshëm, Kaçi-Berisha-Murati dhe ne futbollistët që plotësonim repartet e saj. Kujtoj sa herë Berisha dilte në sulm, ma bënte me shenjë të kthehesha në mbrojtje. Ose kur për nevojat e skuadrës, dilnim të dy në sulm, kjo kur sulmonim dhe në goditjet standarde.

363385620_1478217033009555_883217897118408468_n (1)

Është një përcaktim që bëhet për ju: “Sava, vërtet mban numrin 2, por e gjen kudo, edhe atje ku nuk e pret”. Pse?

Kam qenë lojtar “universal”, luaja në çdo pozicion, vende të ndryshme loje. Qendërmbrojtës, stoper, mesfushor, deri edhe mbrojtës i djathtë apo i majtë. Shpesh dilja jashtë skemave taktike. Fizikisht kam qenë shumë mirë, një lojtar trajneri siç fitet në gjuhën e futbollit. Isha në sintoni me karakteristika e skuadrës së Partizanit. Edhe portier po të ishte nevoja mund të luaja. Boriçi m’i njihte këto cilësi dhe nuk më largonte, më mbante në stol, më aktivizonte, e dinte që në një moment të caktuar, do t’i shërbeja skuadrës.

Nga Partizani te 31 Korriku i Burrelit… Çfarë ndodhi?

Ka qenë një transferim i shpejtë dhe i papritur për të gjithë. Ishte Hysen Shahu, Sekretari i Parë i Rrethit, që më kërkoi si dhe dëshira e Robert Jasharit, trajner aty, që më njihte mirë. Donin të formonin një skuadër të fortë, me idenë për të luajtur në Kategorinë e Parë.

Te 31 Korriku u krijua një grup mjaft i mirë. Nga futbollistët vendës, Faruku, Rama dhe të ardhurit, unë, Pelinxhi, Koni, Petrela, Demeni, Noga etj. Ka qenë sezoni 1981-‘82 kur skuadra e shpallur kampione në Kategorinë e Dytë do të luante për herë të parë në Kategorinë e parë, e duhej kompletuar edhe me disa lojtarë cilësorë dhe me eksperiencë në të tilla nivele.

Si do ta konsideronit eksperiencën si një “ish” i Partizanit dhe kalimin në një klub modest?

Shumë të rëndësishme për karrierën time. Ambientimin nga një qytet dhe skuadër ndryshe nuk e kam pasur të vështirë. Kjo edhe për mënyrën se si na pritën dhe atmosferën e mirë që gjeta. Ato kanë qenë pesë vite që kam luajtur dhe kontribuar tek ajo skuadër. Në dy edicione në Kategorinë e Parë, 1881-‘82 dhe 1983-‘84 kur unë u largova duke e mbyllur përfundimisht me futbollin. Kam qenë 34 vjeç. Në Burrel, me 31 Korrikun, kam shumë kujtime, miq, dashamirës, nga të parët që kam takuar kur shkova, si Fatmir Rama, Ferid Hysa e të tjerë. Bashkë me Hysen Shahun, njeriun për të cilin kam një vlerësim të madh për çfarë bënte ai për futbollin, për ne dhe për qytetin. Pa harruar trajnerin Robert Jashari. Të dy fatkeqësisht nuk jetojnë.

Keni një lojtar korrekt apo problematik?

Korrekt. Veçanërisht me arbitrat: asnjëherë polemika me ta. Edhe me kundërshtarët. Po kështu edhe me shokët e skuadrës, trajnerë e drejtues. Si lojtar, por edhe në rolin e kapitenit, gjatë periudhave që e kam mbajtur shiritin. Edhe pse Kategoria e Dytë ishte e ashpër, e vështirë, shpesh edhe e dhunshme, ruaja ekuilibrat, transmetoja qetësi në skuadër.

363866337_306850268694926_2080414869573565017_n (1)

Në Burrel më kanë dashur dhe aty kam dhënë gjithçka. Një skuadër me futbollistë të mirë, tejet popullorë, nga Faruku e të tjerë dhe që na kanë respektuar ne të ardhurve. Jo vetëm klubi, por i gjithë qyteti. Kudo, tregtarë, kamerierë, shitës, banorë, deri edhe gardianët e burgut të Burrelit apo autobusët e linjave që ndalonin dhe shoferët na ftonin për të na marrë e sjellë në Tiranë pas ndeshjeve.

Një Sava, edhe golashënues. E kishit dhunti?

Po, e vërtetë kam realizuar mjaft gola. Veçanërisht në goditjet standarde, duke shfrytëzuar kërcimin tim, sepse në lojën në ajër dilja mbi mbrojtjet shtatlarta, edhe pse më markonin, godisja mirë dhe saktë me kokë. Te 31 Korriku, veçanërisht.

Çfarë kujtoni lidhur me një detaj të tillë?

Në Kategorinë e Parë kujtoj një gol shënuar ndaj Dinamos. Ata kaluan të parët në avantazh. Barazoi Dali Faruku dhe unë shënova golin e fitores. Ishte një harkim i Farukut, në një goditje dënimi me kokë dhe realizova. Fituam 2-1. Kujtoj entuziazmin e madh, si shpërtheu stadiumi dhe tifozëria, kujtoj festën e një qyteti të tërë. Nuk i harroj takimet që zhvilloheshin në Burrel, sepse ishin të jashtëzakonshme. Mënyra si e prisnin ndeshjen, interesimin, gjithçka.

363490387_715450117298760_8796705795894859846_n (1)

Çfarë ishte për Petraqin një ndeshje kundër Partizanit?

Partizani ka qenë dhe mbetet skuadra ime. Kurrë nuk mendoja të “hakmerresha”. Përkundrazi, aty u afirmova, kam vitet e bukura të një rinie pasionante, bashkë me ish-futbollistët, drejtues e trajnerë. Ai i viteve 80-të ishte një Partizan i fortë, dhe ndaj kujt mund të isha agresiv: Berishës, Mustës, Hysit, Starovës, Brecës, Bushatit, Fagut, Muratit apo trajnerit Birçe. Në lojë sigurisht raportet ishin ndryshe, gjithmonë për të fituar, pa i kaluar kufijtë sportivë.

Dashuria me gruan, një moment tjetër i jetës për Savën?

Jemi njohur kur ishim të rinj. Unë futbollist dhe Leta më ndiqte në stërvitje, në ndeshje, deri edhe në rrethe vinte. Pastaj fejesa, martesa dhe dy vajzat binjake, tashmë të rritura. Dashurinë tonë e dinin të gjithë, ka qenë dhe mbetet një dashuri e madhe për mua, por edhe për Letën. Të tillë kemi mbetur edhe sot.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"