Pësojnë shumë gola, Magani bën trajnim special për mbrojtjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2017 | 17:09

Pësojnë shumë gola, Magani bën trajnim special për mbrojtjen

Pas dy seancave stërvitore tepër impenjative të mërkurën, ditën e djeshme “djemtë e detit” kanë punuar vetëm pasdite me stafin teknik që e përqendroi më tepër stërvitjen tek ushtrimet tekniko-taktike. Durrsakët duket se e kanë hedhur pas krahëve ecurinë negative në ndeshjet e fundit dhe shfaqen entuziast për ndeshjen e së shtunës me Laçin. Kundër kurbinasve kërkohet kthesa dhe të gjithë janë të bindur se ndaj Laçit do të rikthehen te fitorja.

teuta partizani

Përveç motivimit, durrsakët kanë në favor edhe statistikat në përballjet direkte me Laçin, të cilat flasin tërësisht për vendësit në 10 ndeshjet e fundit mes tyre, zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana”. “Djemtë e Detit” kanë regjistruar plot 7 fitore dhe 1 barazimi, ndërsa sfidat e tjera kanë folur për kurbinasit.

Kjo ecuri e shkëlqyer e tyre pritet të vazhdojë edhe në takimin e radhës, ku fitorja është detyrim për durrsakët dhe të gjithë e dinë mjaft mirë se ka ardhur momenti për kthesën. Ekipi gëzon një formë të mirë fizike, megjithatë, stafin teknik me në krye Gugash Maganin e shqetëson reparti difensiv.

Statistikat

Teuta është ekipi i vetëm që ka pësuar më shumë gola se çdo ekip tjetër në tetë ndeshjet e para të Kategorisë Superiore, plot 16. Pra, mesatarisht pësojnë dy gola për ndeshje dhe shënojnë gjithmonë mbi një gol, 1.25.

Ky tregues tepër negativ duhet të përmirësohet dhe Magani ka punuar veçmas me mbrojtjen, teksa edhe trajneri i portierëve, Xhevahir Kapllani, ka aplikuar ushtrime nga më të ndryshmet si me Moçkën ashtu edhe me Kastratin apo edhe Shalën, që gabimet që janë bërë deri tani të mos përsëriten më.

Lojtarët premtojnë se do të rikthehen te fitorja dhe këtë do ta realizojnë duke e mbajtur portën të paprekur, megjithatë kjo pritet të shihet në të shtunën ndaj Laçit. Ndërkohë një tjetër shqetësim jo i vogël për trajnerin peqinas është edhe gjendja e kapiteni Nijas Lena, i cili dje nuk u stërvit me skuadrën për shkak të dhimbjeve në ijë. Mesfushori ka bërë terapi dhe është në dyshim për ndeshjen me Laçin.

DRILON XHEPOLLARI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"