Peshëngritje/ Bilanci i shtangës, 35 medalje dhe zero doping

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2019 | 12:25

Peshëngritje/ Bilanci i shtangës, 35 medalje dhe zero doping

Në ambientet e Parkut Olimpik në kryeqytet, u zhvillua dje Asambleja Vjetore e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Të pranishëm ishin bordi drejtues i FSHPsë me në krye presidentin Theodhor Masllavica, si dhe përfaqësues nga të gjitha klubet.

LOGO

Gjithashtu, të pranishëm ishin edhe sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Stavri Bello, si dhe Arjan Konomi nga drejtoria e sporteve në ministri. Gjithçka nisi me analizën e vitit që po lëmë pas, i cili u konsiderua si tepër i suksesshëm, me 35 medalje në arenën ndërkombëtare, por mbi të gjitha u evidentua lufta ndaj dopingut, ku tashmë prej dy vitesh të gjitha medaljet kuqezi rezultojnë të pastra. Siç dihet, dopingu është një temë e nxehtë, e cila e ka munduar shumë këtë sport gjatë dekadave të fundit.

qerimaj

Nuk munguan as debatet, ku trajneri i Teutës u konfrontua verbalisht me përfaqësuesin e ministrisë, Arjan Konomin. Nebiu akuzoi shtetin për mospërfillje ndaj sportit më të suksesshëm në vend, siç është shtanga. Më pas, u zgjodhën edhe 10 sportistët më të mirë të vitit, si dhe këshilli i trajnerëve, ku votuan të gjithë përfaqësuesit e klubeve. Briken Calja, Daniel Godelli, Erkand Qerimaj, Samuel Bishanaku, Arbëri Çerçizi, Kleopatra Saliaj, Kristi Ramadani, Krenar Shoraj, Erald Rroshi dhe Franko Ferra, u votuan si më të mirët e shtangës për vitin 2019.

briken calja

Ndërsa në këshillin e trajnerëve, tashmë do të jenë pesë përfaqësues dhe jo më tre, siç ishte gjatë këtij viti. Pesë më të votuarit që do të formojnë këshillin e trajnerëve për vitin 2020 ishin Hektor Shaqiri, Sokol Bishanaku, Amarildo Gjyla, Asim Belinova dhe Ervis Tabaku.

Kështu, peshëngritja shqiptare tashmë do të fokusohet tërësisht për vitin 2020, ku pritshmëritë janë shumë të mëdha. Briken Calja dhe Erkand Qerimaj do të kërkojnë një tjetër sezon fantastik si ky që po lëmë pas, duke shpresuar pse jo edhe në medalje në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Gjithashtu, pritet shumë edhe nga brezi i ri i shtangës kuqezi, që këtë sezon ka nisur të japë shkëndijat e para, duke e ngjiturin flamurin tonë kombëtar në podium.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"