Pesë afrime në merkato, por te Apolonia mungojnë… zyrtarizimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2022 | 12:30

Pesë afrime në merkato, por te Apolonia mungojnë… zyrtarizimet

Klevis Dalipi “shtrydh” Apoloninë. Skuadra edhe dje ka vijuar përgatitjet me ritëm të lartë, ndërsa vëmendje të madhe i është dhënë anës taktike.

Apolonia

Trajneri e ndau grupin, ndërsa repartet punuan të veçuara. Në fund të seancës stërvitore, u zhvillua edhe një minindeshje për rreth 20 minuta.

Trajneri po mundohet që të harmonizojë organikën para startit të kampionatit. Sakaq, klubi ka fiksuar miqësoren e ardhës.

Pas dy fitoreve me Bylisin e Egnatian, si edhe humbjen ndaj Flamurtarit, tashmë bardhejeshilët do të masin forcat me Turbinën.

Dueli zhvillohet pasditen e sotme në orën 17:00 në stadiumin “Loni Papuçiu”. Ky testi do t’i shërbejë stafit teknik për të vendosur edhe për lojtarët që ka pasur në vëzhgim gjatë kësaj kohe, por edhe për të krijuar një ide më të qartë për formacionin dhe vendosjen e ekipit në fushë.

Drejtuesit fierakë kanë punuar në heshtje gjatë këtyre javëve në merkato. Zyrtarizim nuk kanë bërë, por radhët janë shtuar me disa elementë si Fatos Sinani, Nuredin Orelesi, Aldo Bushi, Khalid Baba Labaran, Fernando Ndrejaj.

Secili prej tyre është pjesë e bardhejeshilëve në këtë fazë intensive, madje kanë marrë disa minuta edhe në miqësoret e zhvilluara, por asnjëri prej tyre nuk është prezantuar dhe as kanë nënshkruar kontrata.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"