Përlotet Tomiç: M’u lidhën këmbët, ishte eksperienca më e keqe që kam pasur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2015 | 9:50

Përlotet Tomiç: M’u lidhën këmbët, ishte eksperienca më e keqe që kam pasur

tomic

Përlotet Vukashin Tomiç. Mbrojtësi serb shprehet mjaft i mërzitur për ecurinë jo pozitive te Flamurtari. Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, Tomiç tha se te Flamurtari ishte pjesa më e errët e karrierës së tij, gjë për të cilën ndihet i keqardhur.

“Jam larguar me lot në sy nga Flamurtari.

Nuk arrij akoma ta besoj se unë nuk shpreha atë që duhet. Kjo ishte pjesa më e errët e karrierës sime. Në të gjitha skuadrat e tjera ku unë kam qenë, kam dhënë maksimumin dhe kam pasur rezultate. Nuk e di se pse u paraqita kështu në Vlorë. Ndoshta nuk u ambientova siç duhet.

Besoj se ne ishim të gjithë të rinj dhe nuk arritëm dot që të ndiqnim hapin e grupit dhe filozofinë e Flamurtarit. Për këtë situatë, unë kam marrë përgjegjësitë e mia. Madje kam qarë dhe jam prekur pas humbjeve të shumta që kemi pësuar së fundmi. Tani do të shikoj për të ardhmen time. I uroj suksese Flamurtarit në sezonin e ri”, ka deklaruar Tomiç.

Arbri dhe Veliu

Polizoi Arbri mund të jetë i larguari i radhës nga Flamurtari. Burime të besueshme pranë Klubit të Futbollit Flamurtari pohojnë për “Panorama Sport” se futbollisti në fjalë ka kërkuar dokumentacionin. Lojtari nuk është parë asnjë ditë të stërvitet me ekipin U-19 të Flamurtarit. Vetë Arbri nuk e ka pohuar asnjëherë këtë vendim, madje për “Panorama Sport”, pak ditë më parë, ai e ka mohuar të jetë pezulluar.

I kontaktuar dje, mbrojtësi i krahut ka thënë se nuk është e vërtetë që ka kërkuar dokumentet për t’u larguar nga Flamurtari.

“Jo, nuk është e vërtetë. Unë nuk kam kërkuar asnjëherë dokumentacionin nga Flamurtari. Kam vite në këtë ekip dhe kam dhënë maksimumin tim. Këto ditë kam qenë i dëmtuar, ndaj kam munguar në stërvitje”, ka pohuar Arbri.

Situata e kapitenit

Nga ana tjetër, i pezulluar mbetet edhe kapiteni Franc Veliu. As mbrojtësi vlonjat nuk ka pranuar që të stërvitet me lojtarët e rinj. Ai nuk është parë asnjë ditë në stërvitje me ekipin U-19 të Flamurtarit, ndërsa nuk dihet se cila do të jetë e ardhmja e tij në vijim. Gjasat janë që të ketë një divorc të shpejtë mes tij dhe Flamurtarit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"