“Për fitore në Korçë”, Pjeshka i sheh vlonjatët në elitë: Jemi “gatuar” në perfeksion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2022 | 23:45

“Për fitore në Korçë”, Pjeshka i sheh vlonjatët në elitë: Jemi “gatuar” në perfeksion

Denis Pjeshka ishte një nga ata lojtarë që i qëndroi besnik Flamurtarit. Nuk behet aspak pishman për zgjedhjen e tij, pasi ka një mision: ta çojë ekipin në Superiore.

pjeshka flamurtari

Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, mbrojtësi shprehet optimist për arritjen e objektivit. Shkodrani thekson se suksesi i arritur deri tani, nuk është aspak rastësi. Nuk mund të mos ndalej te Skënderbeu, ndaj të cili sheh fitoren e gjashtë sezonale.

Flamurtari po shënon një ecuri mbresëlënëse, është kthyer në një ekip që prodhon gola dhe nuk pëson. Çfarë “mrekullie” ka ndodhur?

Flamurtari po kthehet atje ku e ka vendin. Gjithçka është “gatuar” në perfeksion këtë sezon. Merita është e drejtuesve fillimisht dhe kalon te ne futbollistët. Kur secili jep maksimumin në punën e tij, do të ketë sukses. Kjo ka ndodhur te ne. Jemi kryesues, pasi e kemi marrë më shumë se seriozisht misionin që kemi. Të gjithë jemi të angazhuar për të bërë maksimumin dhe çuar Flamurtarin në elitë.

Si shkoi ndeshja me Orikun?

Pas një pjese të parë të kujdesshme, u çliruam në të dytën dhe erdhën golat. Ne çdo ndeshje e marrim me radhë dhe me këtë logjikë do të vijojmë në fund. Në secilën do të kërkojmë pikët e plota. Si në shtëpi ashtu edhe në transfertë, futemi për të marrë vetëm fitoren. Ky ekip është projektuar për të dhënë maksimumin. Por nuk mund ta mohojmë se në ndeshjet e fundit të gjithë janë kënaqur duke na parë, pasi kemi prodhuar futboll të bukur.

Në radhë kemi Skënderbeun. Keni në plan që ta lëshoni kreun?

Ne vlerësojmë çdo kundërshtar, aq më tepër Skënderbeun. Megjithatë, nuk do të ndryshojmë taktikë. Do ta cilësojmë si një ndeshje radhe. Natyrisht që synojmë pikët dhe ruajtjen e kreut.

denis pjeshka

Ju shkodranët i keni qëndruar besnikë Flamurtarit edhe në kohë të vështira. Vendim i studiuar?

Lojtarët shkodranë kanë bërë gjithnjë mirë në Vlorë. Kam bërë zgjedhjen e duhur dhe për momentin jam totalisht i përqendruar te Flamurtari. Mendoni se Superiorja është objektiv i arritshëm? Natyrisht që objektivi është Superiorja. Ne jemi në rrugën e duhur, por ka shumë punë përpara që të arrijmë objektivin që kemi si ekip. Unë mendoj që nuk kemi opsion tjetër dhe të gjithë e dimë këtë gjë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"