Peposhi: Teuta e braktis fundin, me shkodranët duhet ndeshja perfekte

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2024 | 17:16

Peposhi: Teuta e braktis fundin, me shkodranët duhet ndeshja perfekte

Ergys Peposhi ekzekutoi në perfeksion një penallti ndaj Skënderbeut, duke i dhënë Teutës sigurinë e duhur në rrugën e fitores. Mesfushori i krahut shënoi golin e pestë sezonal në Superiore, duke thyer edhe një rekord personal.

peposhi

Në një intervistë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, Peposhi foli për ecurinë e mirë dhe ngjitjen në klasifikim, që tashmë duket se po shkon drejt realizimit. Titullari i Teutës shpreson që të shënojë sërish, duke nisur nga ndeshja e së shtunës ndaj Vllaznisë, që është një tjetër finale për durrsakët, ku një triumf i mundshëm do t’i shtynte më shumë për të lënë vendet e fundit të kalsifikmit.

Ergys, sa e rëndësishme ishte kjo fitore për ju?
E filluam shumë mirë ndeshjen, kishim shumë shanse dhe e patëm epërsinë me plot meritë. Ishte një fitore e merituar, luftuam bashkë. Skënderbeu është një skuadër e fortë dhe këtë e ka treguar gjatë fazës së dytë, duke na mundur në Korçë. Ishte një ndeshje e luftuar, por mendoj e dominuar nga ana jonë. Fatmirësisht, arritëm që të shënonim në pjesën e parë dhe më pas na u bë më e lehtë ndeshja.

Mendoni se tashmë Teuta është gati të braktisur vendet e fundit?
Fitorja në këtë ndeshje normalisht që na ka dhënë një dorë në këtë drejtim. Mirëpo, duhet të jemi me këmbë në tokë, pasi kemi edhe shumë ndeshje përpara. Pra, na duhet të jemi të qetë dhe t’i marrim ndeshjet me radhë, pasi nuk na falen gabimet.

Shënuat golin e dytë duke arritur në kuotën e 4 golave. I kënaqur?
Deri diku jam i kënaqur, por mund të kisha bërë më mirë në disa mundësi që më janë dhënë. Gjithsesi, i rëndësishëm është rezultati i skuadrës dhe më pas aspekti personal. Unë shpresoj që në ndeshjet e ardhshme të shënoj sërish.

Çfarë ka ndryshuar te Teuta, pasi duket sikur ka një tjetër qasje?
Në fillim të sezonit morëm shumë goditje, tani ekipi është kompakt dhe e kuptojmë më mirë që kemi mundësi të qasemi më mirë brenda një 90 minutëshi. Tani e kuptojmë se duhet të luajmë si ekip dhe të vuajmë së bashku.

Çfarë prisni nga ndeshja e radhës me Vllazninë?
Pas Skënderbeut, tashmë është më e vështirë, pasi duhet të ruajmë ritmin. Vllaznia është shumë kompakte në mbrojtje dhe që lë pak hapësira. Ne duhet të ndërtojmë sa më shumë aksione, të tregojmë gatishmëri 100 për qind për të performuar. Kjo do të jetë një detyrë e madhe.

Një pikë me Vllazninë, do të ishte në rregull?
Mendoj se kjo gjë është në varësi të ndeshjes, të asaj çfarë jep në fushën e lojës. Mund të zhvillosh një ndeshje shumë të mirë dhe ke dominuar kundërshtarët dhe në këtë rast barazimi nuk do të na pëlqente. Por nëse nuk do të arrinim të jepnim më të mirën, ndoshta do të ndiheshim ndryshe. Që të fitojmë ndaj Vllaznisë do të duhet të japim më të mirën tonë.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"