Peposhi: Luajtëm më mirë sesa Laçi, s’është momenti për faje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2024 | 19:51

Peposhi: Luajtëm më mirë sesa Laçi, s’është momenti për faje

Ergys Peposhi shënoi nga pika e bardhë një gol të bukur në fundin e ndeshjes me Laçin, por fatkeqësisht Teuta nuk arriti ta përmbysë rezultatin. Pas barazimit 1-1 me Laçin, Peposhi pohoi se Teuta ia kishte bërë hyzmetin trepikëshit, por futbolli pranon çdo rezultat në fund.

peposhi

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Peposhi foli për takimin, si dhe për sfidën e radhës në kampionat me Skënderbeun, ku durrsakët do të kërkojnë rikthimin te fitorja me patjetër, pasi javët kalojnë dhe largimi nga fundi bëhet më shumë se detyrë.

Ergys, sa ju kënaq pika në Laç?
Jam i kënaqur nga loja. E them pa modesti se luajtëm më mirë se kundërshtari, pasi dihen vlerat e tyre. Po të ishim me fat në kundërsulme, do t’ia dilnim. Ky ekip ka një ego të madhe. Bëmë një lojë të mirë, u kënaqën edhe tifozët tanë, por më vjen keq që nuk fituam. Barazimi është jo i merituar, por ky është futbolli. Duhet ta pranojmë.

Teuta në vendin e fundit. Çfarë i mungon skuadrës që nuk po reagon?
Duhet të përmirësohemi sa më shumë dhe të largohemi nga kjo pozitë. Të gjithë çunat janë për tu vlerësuar maksimalisht, po japim shpirtin në fushë. Nuk duhet t’i vendosim faje njeri-tjetrit. Kemi humbur ose barazuar ndeshje nga episode, që kanë qenë neglizhencë e jona dhe jo zotësi e kundërshtarit.

Ndeshja e 13-të radhazi pa sukses, po krijoni një shkëputje me ekipet e tjera?
Objektivi është ndeshja e radhës. Duhet t’i marrim një nga një. Duhet të lëvizim nga këto pozita që jemi. Do të mundohemi që të japim më të mirën dhe për të qenë më lart nga ky klasifikim që jemi aktualisht. Duhet t’i marrim një nga një, sepse nuk mendoj se jemi në ato pozita për të vendosur objektiva madhore.

A mund të themi se ka një ngërç në ekip?
Jo, nuk ka ngërç. Ambienti është i qetë dhe në këto momente nuk jemi në pozita të mira. Skuadra ka bërë disa hapa fals, të pafalshme. Në psikologjinë time nuk më intereson se kë kam përpara. Barazimi në fushën tonë është humbje për mua dhe për të gjithë. Shpresoj që të fitojmë me Skënderbeun. Shpresoj që të përmirësohemi.

Çfarë sfide prisni me korçarët?
Është një moment i sezonit kur të gjitha ekipet kanë motivimet e veta. Do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë, kundër një skuadre të përgatitur. Në këtë sfidë do të synojmë maksimumin, ashtu si në çdo takim tjetër.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"