Pejiç tregon objektivat e sezonit të ri: Merkato nuk është mbyllur, do të zyrtarizojmë edhe një sulmues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 30, 2021 | 16:13

Pejiç tregon objektivat e sezonit të ri: Merkato nuk është mbyllur, do të zyrtarizojmë edhe një sulmues

Pero Pejiç nuk e konsideron ende të mbyllur merkaton, pasi kërkon me ngulm një sulmues dhe presin që në orët e fundit të zyrtarizojnë afrimin e tij te Kukësi për ta quajtur në njëfarë mënyre të kompletuar skuadrën. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, drejtori sportiv i skuadrës verilindore pohon gjithashtu se janë në bisedime edhe me një mbrojtës dhe nëse do të arrihet tek ai, atëherë grupi është gati për të përballuar kampionatin.

Pejic-Shameti

“Sa i përket merkatos ne nuk e kemi mbyllur ende atë. Mund t’ju konfirmoj se jemi në bisedime për një sulmues cilësor dhe them se do të zyrtarizojmë gjithçka në orët në vazhdim. Ne aktualisht në skuadër kemi lojtarë të mirë në këtë repart, të cilët kanë bërë mirë edhe në miqësoret që kemi zhvilluar, por gjithsesi duhet të mendojmë edhe për dëmtime apo kartonë dhe normalisht duhet të jemi të përgatitur për të pasur një grup sa më të plotë.

Jemi në bisedime edhe me një mbrojtës, sepse edhe aty kemi mungesa lojtarësh dhe kam besim se të dyja këto synime që na kanë mbetur do t’i mbyllim me sukses”, u shpreh fillimisht Pero Pejiç, i cili ka marrë përsipër që të ndërtojë një Kukës për titullin kampion.

FAZA PËRGATITORE – Në lidhje me fazën përgatitore të zhvilluar në Slloveni, ku për dy javë trajneri Longo krijoi një ide më të qartë rreth lojtarëve që stërvit, Pejiç pohon se i shërbeu shumë skuadrës në të gjitha aspektet. “Kanë qenë dy javë shumë intensive dhe që i kanë shërbyer shumë skuadrës. I shërbeu trajnerit që t’i njihte akoma më mirë, por edhe vetë lojtarëve. Zhvilluam dy ndeshje miqësore, nga të cilat morëm përgjigje pozitive dhe tregoi se skuadra po shkon aty ku duhet. Kanë qenë dy javë që kemi punuar shumë në të gjitha aspektet, si për sa i përket anës fizike, por edhe asaj teorike, me analiza dhe videoanaliza”, u shpreh më tej Pejiç, i cili qëndroi me skuadrën gjatë gjithë kësaj periudhe në Slloveni, duke dhënë edhe ai kontributin e tij.

OBJEKTIVAT – Pejiç ka vlerësime për të gjithë në klub dhe ka bindjen se këtë sezon do të jenë kompetitivë dhe do të luftojnë për të fituar titullin kampion. Ai kërkon që në çdo ndeshje skuadra të hyjë në fushë për të marrë maksimumin dhe të tjerat më pas vijnë vetë. “Ne kemi marrë një trajner që ka punuar në ekipe të mëdha në të kaluarën dhe eksperiencën e tij e kam parë gjatë këtij muaji që ka ardhur në Kukës. Nga ana tjetër, skuadra ka punuar mirë që nga koha kur ka nisur stërvitjet dhe jemi munduar që të bëjmë një merkato të mirë, me lojtarë cilësorë. Të gjitha gjërat duken në rregull dhe normalisht do të hyjmë në kampionat për të marrë maksimumin në çdo ndeshje”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën drejtori sportiv i Kukësit, Pero Pejiç.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"