Pejiç: Erdha për të shënuar gola, Kukësi fiton Superkupën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2016 | 11:10

Pejiç: Erdha për të shënuar gola, Kukësi fiton Superkupën

Sulmuesi kroat Pero Pejic është një nga goditjet më të mëdha të merkatos verore të Kukësit. Bomberi rikthehet në Shqipëri pas një sezoni ku u largua drejt Iranit. Në një intervistë për “Super Sport”, ai komenton rikthimin te verilindorët, ekipi i tij i fundit në eksperiencat e mëparshme në Shqipëri.

pero pejic

“Pas një viti në Iran jam kthyer këtu në Shqipëri dhe jam i lumtur për këtë fakt. Kam kujtime shumë të bukura nga eksperiencat e mia të mëparshme në kampionatin shqiptar. Tashmë jam sërish pjesë e Kukësit, kam firmosur një kontratë 1-vjecare me këtë klub dhe shpresoj që gjërat të shkojnë mirë për mua”, tha Pejiç.

33-vjeçari nuk di të bëjë një krahasim mes forcës së ekipit që la kur u largua në verën e shkuar dhe këtij që gjeti tani nën drejtimin e trajnerit Gjoka, por ka bindje të plotë se ndeshja debutuese e rikthimit të tij, ajo e Superkupës kundër Skënderbeut, do të flasë në favor të Kukësit.

pejic

“Nuk e di nëse Kukësi i këtij sezoni është një ekip më i mirë apo më i dobët se ai para dy sezoneve kur unë luaja këtu, sepse edhe në atë periudhë ne kishim një skuadër shumë të mirë. Tashmë jemi një ekip pak më i ri në moshë por kemi  gjithashtu në skuadër lojtarë shumë cilësorë.

Na pret një ndeshje shumë e vështirë ndaj Skënderbeut në finalen e Superkupës së Shqipërisë, por unë besoj te skuadra ime dhe jam i bindur se Kukësi i ka të gjitha mundësitë për ta fituar këtë trofe”, u shpreh kroati.

Pejiç nuk pranon të bëjë premtim të saktë për numrin e golave që do të shënojë këtë sezon, pasi sipas tij futbolli është lojë e paparashikueshme, por është i vetëdijshëm se detyra e tij kryesore është të “tundë” rrjetën e kundërshtarëve.

pejic

“Normalisht që unë kam ardhur këtu për të shënuar gola sepse unë jam një sulmues dhe të dërgoj topin në rrjetë është një nga detyrat e mia kryesore. Sa gola do të shënoj në sezonin e ri nuk e di sepse futbolli është një lojë kolektive dhe asnjëherë nuk i dihet se cfarë mund të ndodhë.

Unë mund tiu them juve që do të shënoj 20 gola dhe mund të realizoj 25. Ajo që u premtoj tifozëve të Kukësit është se unë do të përpiqem ta bëj në mënyrën më të mirë punën time dhe shpresoj që të shënoj sa më shumë gola”, përfundoi sulmuesi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"