“Partizani patjetër kampion, e vështirë të kemi kundërshtarë”, Abilaliaj analizon situatën: Bëmë sforco ekonomike, ja cilët lojtarë kanë oferta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2024 | 22:20

“Partizani patjetër kampion, e vështirë të kemi kundërshtarë”, Abilaliaj analizon situatën: Bëmë sforco ekonomike, ja cilët lojtarë kanë oferta

Arbër Abilaliaj mendon se në fund të këtij sezoni, do të jetë përsëri Partizani ai i cili do të festojë me trofeun e Superiores. Drejtori sportiv i të kuqve, në një intervistë për “Sport News” në “News 24”, ka shprehur besimin se skuadra do të dijë që në fund të jetë përsëri në podiumin e fituesit.

abilaliaj

Në bashkëbisedimin me moderatoren Trevisa Tufa, ai ka theksuar se të kuqtë tani po gjejnë balancën e duhur që i kishte munguar për shkak të problemeve me dëmtimet, ndërsa tregoi edhe emrat e lojtarëve që mund të sakrifikohen në merkato gjatë verës.

A ju ka marrë malli për stolin, për adrenalinën që ju jep pankina?
Jo, absolutisht të them të drejtën. Jam fokusuar për të bërë detyrën time. Emocionet si trajner janë të mëdha, por janë akoma më të mëdha kur mban këtë rol që kam unë. Më vjen mirë që pas një periudhe po themi tranzicioni, po funksionojnë të gjitha strukturat. Secili bën punën e vet, në fushën që duhet.

Flasim pak për eliminimin nga Kupa e Shqipërisë, a ju shqetësoi ky eliminim? A është skuadra e Partizani në presion?
Ka keqardhje të madhe duke patur parasysh që Kupa ishte shumë e rëndësishme për ne. Ne e kemi marrë një trofe, ishim në luftë edhe për 2 trofetë e mbetur të sezonit. Çdo trofe ka rëndësinë e vet. Nuk duhej të ulej vigjilienca. Duke patur parasysh organikën, duke patur parasysh cilësitë, nuk duhej të ulnim përqendrimin. Vijnë situata brenda 90 minutëshit që asnjëherë nuk mund t’i llogarisësh. Vërtetë fituam në ndeshjen e parë, por futbolli është i rrezikshëm dhe i paparashikueshëm.

A e bën më të dobët ky eliminim Partizanin apo e forcon pasi tani ka vetëm një drejtim për të ndjekur?
Mendoj që i jep një goditje të madhe psikologjike, duke patur parasysh që katër ekipet kryesore e kanë kaluar turin. Unë e thashë edhe njëherë, përveç faktit se jemi eliminuar, goditja negative është e madhe. Çdo ndeshje tani është si finale, nuk ka më hapësirë as vend për të mos e përgatitur ndeshjen. Me grupin që ka Partizani, tani që luan një herë në javë, nuk mund të gabohet më në asnjë ndeshje.

A është titulli detyrim për lojtarët e stafin, a është kjo mënyra e vetme për të shpëtuar sezonin e Partizanit?
Është detyrim, përgjegjësi dhe proces shumë i rëndësishme. Të gjithë lojtarët që prej kohës kur kanë ardhur, kanë kërkuar të rriten e të përmirësohen. Është e vërtetë që kemi patur shumë dëmtime, e vështirë të kujtoj një sezon me kaq shumë dëmtime. Tani jemi të detyruar të shkojmë deri në fund të kompeticionit të mbetur. Për një ekip si Partizani, me një ndeshje në javë, është e pamundur të gabohet më.

E pritet shumë trajnerin Shehi, trazuat një kryeqytet të tërë. A jeni të kënaqur me këtë vendim që keni marrë?
Jemi të kënaqur në të gjitha aspektet. Ky është një programacion, trajneri do kohën e vet për të implementuar filozofinë e tij. Oshilacioneve po u vjen fundi, trajneri tani e ka të qartë panoramën. Sa më gjatë të ecim, aq më shumë fillojnë e konsolidohen gjërat.

A të shqetëson kjo ecuria e Partizanit gjatë kësaj periudhe? Çfarë nuk po shkon në këndvështrimin tënd?
Ne kemi patur një konsolidim të jashtëzakonshëm defensiv. Përpara se një repart i tërë të na dëmtohej, ka qenë mjaft e vështirë të na shënohej. Ky fakt që na ka detyruar të ndryshojmë shumë mbrapa, na ka sjellë disa rezultate jo të mira, apo edhe oshilacione. Tani nuk lejohet më psikologjikisht dhe taktikisht. Sa më shumë të bashkohet grupi, nuk kam pikë dyshimi që Partizani nuk mund ta ketë të vështirë me as një lloj kundërshtari.

Në dy ndeshjet e fundit në kampionat, tani duket sikur janë gjetur balancat mes reparteve. Partizani ka shfrytëzuar rastet dhe është mbrojtur mirë, diçka që nuk ka qenë kështu…
Besoj se do e kemi këtë stabilitet. Fakti që kemi arritur në këto dy ndeshje të bëjmë mirë, mund të mbajmë këtë linjë. Jemi futur në fazën finale, nuk ka më vend për nënvlerësim. Të gjithë kundërshtarët duan pikë, dikush do shpëtimin, dikush do titullin….

Në garë është futur së fundmi edhe Vllaznia. A ju shqetëson kjo gjë?
Ishin 6 ekipe që donin titullin, rrugës ndryshuan gjërat. Më vjen mirë që është rikthyer, kanë një grup të ndërtuar mirë. Sa i përket rivalëve, Partizani e ka patur në momentin që ka qenë i konsoliduar, e ka patur të vështirë të gjejë një kundërshtar. Është shume e vështirë që të gjendet një humbje me ta, apo edhe me Egnatian. Na duhet të bëhemi serioz dhe të marrim të gjitha frytet.

Ku e shikon Partizanin në fund të sezonit?
Patjetër që kampion. E dimë që do jetë e vështirë. Ka patur shumë interes për lojtarë në merkaton e janarit, por kemi qenë të fokusuar që të mbajmë grupin. Natyrisht kjo do një sforco të madhe ekonomike. Nëse në fund të sezonit çdo gjë reflektohet me titullin kampion, ia ka vlejtur çdo lloj sforcoje. E rëndësishme është të ruajmë grupin dhe ta përmirësojnë.

The që ka disa ofertë zyrtare, a mund të thuash se për kë lojtar?
Nuk ka qenë asnjëherë sekret, Mba, Magete, Cara, Rrapaj apo edhe Bintsuka, te gjithë kanë interes për lojtarët tonë. Ne kemi bërë një programacion për lojtarët që mund të sakrifikohen. Interes ka, në fund të sezonit apo kompeticioneve europiane, do shihet se kush do sakrifikohet.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"