“Partizani një marsh më lart”. Teuta-Egnatia, analiza e ish-sulmuesit Magani: Ja kush e vendos ndeshjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2023 | 20:55

“Partizani një marsh më lart”. Teuta-Egnatia, analiza e ish-sulmuesit Magani: Ja kush e vendos ndeshjen

Artur Magani ngjiti Vorën në Katego rinë e Parë me golat e tij dhe në mënyrë surprizuese u tërhoq nga futbolli i luajtur. Peqinasi në karrierën e tij ndër të tjera ka luajtur suksesshëm me fanellën e Egnatias dhe Teutës, dy ekipe që do të jenë përballë në javën e 16- të. Magani ka vendosur fitoren e vetme në histori të rrogozhinasve ndaj Teutës dy sezone më parë.

Magani Artur

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi flet për Egnatian, Teutën dhe jo vetëm.

Artur, keni luajtur me të dyja skuadrat, si e parashikoni duelin Teuta-Egnatia?

Do të jetë një 90 minutësh shumë i luftuar nga dy ekipet edhe pse Teuta dhe Egnatia kanë objektiva krejt të kundërt me njëra-tjetrën. Teuta i gëzohet shifrave dhe statistikave në përballjet direkte, ndërsa Egnatia formës aktuale dhe kualiteteve që ka në organikë.

Rezultoni njeriu që i keni dhënë fitoren e vetme Egnatias kundër Teutës, kush e zgjidh ndeshjen?

Nuk mund të them se kush do ta zgjidhë këtë përballje, pasi do të jenë episodet ato që do të bëjnë diferencën. Megjithatë, gjykoj që kualitetet do të jenë ato që do të vendosin këtë takim. Në këtë aspekt Egnatia është më e avantazhuar, pasi ka organikë më të mirë.

E prisnit që Egnatia të kryesonte tabelën e klasifikimit?

Padiskutim që po. Skuadra është ndërtuar mjaft mirë, duke ruajtur boshtin e saj prej 3 vitesh. Në merkaton e verës drejtuesit transferuan lojtar që kanë bërë mirë në kampionatin tonë. Egnatia nuk ka vjedhur asgjë deri tani dhe me meritë kryeson, duke lënë pas emra të mëdhenj që kanë bërë historinë në futbollin shqiptar.

A është ekipi i Edlir Tetovës për titull kampion?

Referuar performancës së deritanishme dhe kualiteteve që ka në përbërje ekipi rrogozhinas, më duket në rrugën e mbarë për të tentuar titullin, që do të jetë i pari në histori. Nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi sezoni ka ulje-ngritje dhe janë shumë faktorë që bëjnë diferencën.

Cilat janë ekipet që do tentojnë titullin në fund të sezonit?

Në gjykimin tim, Egnatia dhe Partizani duket se kanë një marsh më shumë të paktën në këto 15 javët e para të këtij sezoni. Tirana është më poshtë, pasi ka pasur problemet e saj por bardheblutë kanë emra cilësorë në përbërje dhe mbeten pretendentë për titullin kampion. Do të jetë një sezon i gjatë, kjo edhe për shkak të formulës së re.

Çfarë mendimi keni për formulën e aplikuar nga FSHF-ja për këtë sezon?

Më duket një formulë absurde, e cila zhbën mundin e 36 javëve kampionat. Pra, mund të mundësh 3 apo 4 herë po themi Tiranën, Partizanin apo Egnatian dhe në fund bardheblutë apo të kuqtë, fitojnë një ndeshje në “final 4” dhe shpallen kampion. Nuk është e ndershme dhe logjike. Jam i bindur që kjo formulë do të dështojë dhe nuk do të aplikohet më në sezonin pasardhës.

Teuta në vendin e fundit, çfarë nuk shkon te durrsakët?

Nuk e prisja që Teuta të ndodhej në vështirësi, aq më pak të renditej në vendin e fundit dhe më vjen keq për ta. Mendoj që drejtuesit gabuan në merkato. Shpresoj dhe uroj që të dalin nga kjo situatë. Ky do të jetë një vit i vështirë për ta pasi ekipet janë të gjithë pothuajse në të njëjtin nivel.

Si ish-sulmues, kush është lojtari me më shumë kualitet në futbollin shqiptar?

Do të veçoja dy futbollistë, Florent Hasanin dhe Bekim Balajn. Janë dy lojtar me cilësi që marrin për dore ekipet e tyre. Ai që më ka mahnitur me gjithçka bënte në fushën e lojës, ka qenë i ndjeri Rafael Duamena. Nuk ka pasur të ngjashëm në futbollin tonë si ganezi dhe vështirë se do të shohim sërish dikë si Duamena. Ishte fantastik!

Ngjitët Vorën në Kategorinë e Parë dhe “varët këpucët në gozhdë”, pse ky vendim?

Ka qenë një vendim i vështirë, i paparashikuar pasi gëzoja një formë fizike të mirë. Vendosa kështu, për arsye personale, pasi po investoj në diçka tjetër për jetën time. Jam larguar fizikisht nga futbolli i luajtur, por në zemër vijoj të jetoj me të. Kam qenë me fat që kam përjetuar emocione që ky sport t’i dhuron, por çdo fillim e ka një fund.

Cili është pengu më i madh në karrierë?

Në karrierë kam dalë golashënues me Teutën, teksa u renditëm të tretët duke prerë një biletë për në Kupat e Europës. Kam fituar titullin me skuadrën e Feronikelit në futbollin kosovar. Pengu më i madh është fakti që nuk arrita të luaja në një kampionat europian. Për të qenë i sinqertë, mundësitë dhe kualitetet i kam pasur, por për gabimet e mia personale, nuk munda ta bëja hapin e madh.

ISA HALILI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"