Partizani i cunguar nga mungesat, dëmtohet edhe… trajneri Starova

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2017 | 9:47

Partizani i cunguar nga mungesat, dëmtohet edhe… trajneri Starova

Përgatitjet e Partizanit për Laçin po kryhen në një moment jo të mirë për të kuqtë e kryeqytetit. Barazimi i fundit me Kukësin i ka plogështuar “demat”, por ata nuk janë dorëzuar sa i përket betejës për fitimin e titullit kampion. Përballja me Kukësin ka lënë pasoja te të kuqtë edhe për ndeshjen e radhës, ku të enjten presin në kryeqytet skuadrën kurbinase.

partizani

Ish-kapiteni i Laçit, Marko Cetkoviç, është detyruar që ta humbë përballjen e së enjtes, pasi kartoni që mori ndaj Kukësit e pezullon për këtë takim. Por të shumtë janë edhe lojtarët që kanë shfaqur probleme fizike gjatë seancave stërvitore të këtyre ditëve. Të dielën alarmi ishte i madh, pasi thuajse pjesa dërrmuese e mesfushorëve kishin probleme.

Batha vuante nga një problem në thembrën e këmbës së majtë, ndërsa Vila e Torasa shqetësimet i kanë në pulpën e këmbës së majtë. Lorenc Trashi u ankua për një tërheqje në kofshën e djathtë, kështu që të katër lojtarët u përgatitën të diferencuar të dielën.

Por dje situata ka qenë më pozitive sa u përket këtyre lojtarëve, pasi i janë bashkuar grupit në pjesën dërrmuese të seancës së djeshme, por gjithsesi kanë qenë të kujdesshëm. Me ekipin u përgatit dje edhe Lorenc Trashi, i cili shikohej në rrezik për sfidën e radhës.

Mentor Mazrekaj ka qenë i vetmi që është përgatitur dje gjatë gjithë kohës i diferencuar nga grupi. Mesfushori kosovar ende nuk ka arritur që të rikuperohet plotësisht pas operacionit që kreu para një viti, kështu dëmtimet e kanë ndjekur nga java në javë. Gjendja e lojtarëve bën që formacioni për Laçin të vendoset nesër.

MUNGESA E STAROVËS

starova

Trajneri Sulejman Starova nuk ka qenë i pranishëm dje në seancën stërvitore të Partizanit. Shenjat e mungesës së tij u dhanë që në seancën e së dielës, ku trajneri u pa të çalonte në fushë, madje në fund e ndihmuan pjesëtarë të klubit që të dilte nga ambienti stërvitor. Shkak për mungesën e djeshme të trajnerit është bërë një dëmtim i vjetër që Starova ka në gju dhe që herë pas here i sjell shqetësime. Seanca e djeshme është drejtuar nga zv.trajneri Klevis Dalipi dhe përgatitësi atletik Korado Sakone.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"