Partizani dhe Teuta snobojnë Ligën, FSHF i gjobit dhe pastaj… i kopjon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2021 | 17:54


Partizani dhe Teuta snobojnë Ligën, FSHF i gjobit dhe pastaj… i kopjon

Kampionati i 83-të i Kategorisë Superiore ka nisur me disa probleme, të cilat kanë lidhje me Ligën Profesioniste ku aderojnë dhjetë klubet elitare. Në fillim të sezonit u shit emri i Ligës dhe përfituesi është kompania “Abissnet”, e cila ka të drejtën e vendosjes së emrit në fanellat e të gjitha klubeve të Superiores, në panelin e reklamave, si dhe në topin zyrtar të ndeshjes.

lIGA PROFESIONISTE

Por jo të gjithë janë dakord me këtë përzgjedhje, ku bie në sy qëndrimi stoik i Partizanit dhe Teutës që janë kundër. Të kuqtë dhe durrsakët janë klubet e vetme të Superiores që nuk e kanë në fanellë logon e re me emrin e sponsorit të Superiores. Madje në fillim të sezonit, FSHF-ja i paralajmëroi të dy klubet për anomalinë dhe më pas i gjobiti, por Partizani dhe Teuta vijojnë të mos i binden vendimit të Ligës për emrin e sponsorit.

Madje, përveç stemës që duhet të mbajmë në krahun e uniformës, klubet e mësipërme vazhdojnë të vendosin në panelin e reklamave mbishkrimin “Kategoria Superiore” në vend të “Abissnet Superiore”. Por, veç dy klubeve rebele edhe vetë FSHF-ja e snobon “defakto” emrin e sponsorit të Ligës. Federata ka shpërndarë për klubet topa zyrtar për ndeshje me logon e vjetër “Kategoria Superiore”. Duket se kjo anomali do të vazhdojë, për sa kohë nuk ka sinjale ndryshimi.

PANORAMASPORT.AL