Panik në Formula 1, pas tamponëve konfirmohen 2 raste pozitive

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2020 | 13:09

Panik në Formula 1, pas tamponëve konfirmohen 2 raste pozitive

Dy rastet e para pozitive me Koronavirus regjistrohen në padokun e Formulës 1. Siç konfirmohet nga vetë Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA), e cila çdo javë zbardh rezultatet e tamponëve që u bëhen pilotëve dhe anëtarëve të skuderive, në Hungari kanë rezultuar të infektuar dy persona, që sipas protokollit janë izoluar menjëherë.formula 1

Duke i qëndruar deklaratës së FIA-s, të dy personat pozitivë me “COVID-19” nuk kanë qenë prezent në Austri, në dy fundjavat e mëparshme (pra, me shumë mundësi pritet që të jenë mekanikë të ndonjë skuderie apo të dy skuderive të ndryshme), por gjithsesi stafi sanitar ka hyrë menjëherë në punë për të testuar pjesëtarët e tjerë të skuadrave me të cilët ata kanë pasur kontakte, për të evituar një zgjerim të infektimit në bokset e cirkuitit të Budapestit. FIA gjithashtu ka komunikuar se dy personat në fjalë kanë qenë të vetmit pozitivë, që kanë rezultuar pas 4997 testeve të kryera, menjëherë sapo të gjitha skuadrat kanë zbarkuar në bokset e pistës hungareze.

PROVAT E LIRA – Pavarësisht dy pozitivëve, Formula 1 nuk është ndalur sipas protokollit, por dje kanë kryer normalisht provat e lira, të ndara në dy sesione. Në ato të paradites, të cilat u zhvilluan në një pistë të thatë, siç pritej, ka pasur një dominim absolut të Ljuis Hamiltonit me Mercedes-Benz. Ndërsa pasdite, kur edhe moti ofroi një shi të rrëmbyer mbi pistën e Budapestit, më i shpejti në pistë rezultoi Ferrari i Sebastian Fetelit, i cili vendosi kohën 1’40″464, përpara Mercedesit të Botasit (+272 të mijtat) dhe MekLarenit të Sainz (+1.320 sekonda).

Ndërkohë, “Kokëkuqja” tjetër e Sharl Lëklerkut u rendit vetëm e 10-ta në pistë të lagur, 3.2 sekonda më i ngadaltë se shoku i skuadrës. Ajo që bëri çudi në sesionin e dytë të provave të lira në Hungari ishte fakti se Ljuis Hamilton nuk preferoi që të zbresë në pistën e lagur dhe të provojë ndonjë aset të mundshëm, nëse edhe provat e lira (zhvillohen sot në orën 15:00) apo edhe gara e nesërme (starti në orën 15:10) do të karakterizoheshin nga shiu. Por jo: britaniku preferoi që të ndjekë të tjerët nga kabina drejtuese e skuadrës së tij.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"