Panajot Pano, kur vishte fanellat “armike” të Dinamos dhe Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2017 | 19:04

Panajot Pano, kur vishte fanellat “armike” të Dinamos dhe Tiranës

NGA UVIL ZAJMI

Historia e madhe sportive e Panajot Panos është e lidhur me fanellën e Partizanit, me të cilën luajti deri në fund. Por, gjatë karrierës së tij janë edhe dy momente të veçanta kur ai veshi bluzat e dy klubeve të tjera, madje kryeqytetase dhe rivale të përjetshme: Dinamo dhe 17 Nëntori.

Pano 17 nëntori

Me të parën në Kupën Ballkanike, ndërsa me të dytën në Kupën e Kampioneve. Si i rikthejnë Mehdi Bushati e Skënder Hyka emocionet, gjithçka tjetër në takimet ku kanë pasur partner Panajot Panon?

Nga goli spektakolar në Bukuresht, përballjet në derbi ndaj Partizanit, te dëmtimi i rëndë në Liezh dhe “truket” e kohës, kur portieri Rama luajti me mbiemrin e Tafajt dhe Xhafa me atë të Fatmir Frashërit!

NË KUPËN BALLKANIKE, NGA PARTIZANI…

Nga Partizani te Dinamo brenda një viti. 1961-shi fillon me Partizanin pjesëmarrës në Kupën Ballkanike në një grup me: Fenerbahçen, Steagulin (Rum), Levskin (Sofje), AEK-un (Athinë). Turneu starton me takimin e janarit Fenerbahçe-Levski 0-0, pastaj në mars Steagul Roshu-Partizani 1-0, për të vijuar me Partizani-Levski 2- 0 në stadiumin “Dinamo” ( Kraja dhe Jashari janë autorët e golave).

17 nentori

Gusht i atij viti në Stamboll: Fenerbahçe-Partizani 1-0 dhe në tetor dy përballje: Levski-Partizani 4-0, Partizani-Fenerbahçe 0-0. Në këtë pjesëmarrje, trajneri i Partizanit, Rexhep Spahiu, aktivizoi: Maliqati, Deliallisi, Papadhopulli, Dingu, O. Mema, Bukoviku, Merja, Kraja, Pano, Shllaku, Resmja, Jashari, T. Shehu, Seferaj, Djepaxhia, si dhe Beliu, Alluni, Lubonja të Dinamos të marrë si përforcim. Ndeshjet në grup mbyllen me sfidën Partizani-Steagul 0-0, e zhvilluar në nëntor dhe vendin e parë e siguron Fenerbahçe. …

TE DINAMO BRENDA VITIT

Në dhjetor të po atij viti, pra 1961, KKPBFSSH-së njofton se në turneun e radhës së Kupës Ballkanike do të marrë pjesë Dinamo e në grup do të ketë Levskin (Sofje), Dinamon (Bukuresht) dhe Fenerbahçen (Stamboll).

Dinamo. mars 1962

Para fillimit të aktivitetit, opinioni sportiv shqiptar informohet se me Dinamon në këtë turne do të luajnë Panajot Pano dhe mesfushori Miço Ndini të Partizanit, si dhe T. Baçi, A. Mema e F. Frashëri, Ishka të 17 Nëntorit.

Sigurisht, surprizë ishte marrja e Panos, i shpallur kampion me Partizanin disa muaj më parë pikërisht pas sfidave të paharruara ndaj Dinamos, ku ai është autor i golit historik ndëshkues dhe fitores 1-0 të Partizanit shënuar në pjesën e tretë të finales së dytë.

GJYSMË SEZONI “BLU” DHE PËRPLASJET NË DERBI

Por, turneu i parë ballkanik për Dinamon ka “nisur” në muajin tetor, kur klubi Fenerbahçe, pasi barazon 0-0 me Partizanin për Kupën Ballkanike, gjatë qëndrimit në Tiranë, sipas marrëveshjeve të kohës, zhvillon një miqësore me Dinamon, që fitohet nga vendësit 1-0 me gol të Lorenc Vorfit. Më 24 dhjetor 1962, do të zhvillohet dhe takimi debutues zyrtar në këtë trofe, kur në stadiumin “Dinamo”, në një terren të rënduar, përballen Dinamo (T)-Dinamo(B) dhe 1-1 (gol i Lubonjës 18′). Dinamo: Qoshja, Frashëri, Halili, Alluni, Verria, Ndini, Vorfi, Pano, Bushati, Lubonja (Bespalla), Duro. Kjo është e para ndeshje e Panajot Panos me fanellën e një skuadre tjetër: Dinamon.

Liezh 6 shtator 1996

Ndërkohë, për të bindur organizatorët ballkanas se Pano e Ndini, Frashëri e Mema janë lojtarë të Dinamos (nisur nga fakti se ata i njihnin mirë skuadrat shqiptare dhe lojtarët e tyre, aq më shumë Panon që disa muaj më parë ishte aktivizuar me Partizanin në Kupën Ballkanike), orientojnë të katër përforcimet që detyrimisht duhet të aktivizohen me Dinamon në të gjitha aktivitetet kombëtare (nuk ka kampionat), por kupa e trofe të ndryshme.

Madje, deri në takimet derbi në Kupën e Paqes, në atë të 50-vjetorit të zhvilluara në gjysmën e parë të vitit 1962. Mesfusha e përbërë nga Mema e Ndini, si dhe vija e sulmit dinamovit me Duron, Panon, Jarecin, Lubonjën, Bushatin, Bespallën e Vorfin mundin 17 Nëntorin 2-1, pastaj Dinamo-Partizani 1-1, vijohet sërish me PartizaniDinamo 1-0 me Panon në kulmin e formës dhe famës.

Ishte i adhuruar nga fansat e kuq, por tashmë protagonist si lojtar i Dinamos po luante kundër tyre pa kompromis. Pastaj Dinamo-Labinoti 3-2 (dy gola të Panos) dhe Flamurtari-Dinamo 1-1 (Pano) janë disa nga ndeshjet e tij me klubin blu.

GOLI I MADH NË BUKURESHT DHE LARGIMI PA ZHURMË

Marrëveshja “Pano-Dinamo” filloi nga dhjetor të ’61- shit, me takimin Dinamo-Dinamo e Bukureshtit 1-1, dhe vazhdoi deri në maj të vitit tjetër. Në muajin mars, Dinamo e drejtuar nga Z. Konçi e Xh. Shaqiri niset për të zhvilluar tri ndeshje radhazi: Në Rumani triumf i madh, pas fitores 3-2 (Pano dhe dy gola të Bushatit) ndaj vendësve.

“Lojë e bukur në Bukuresht e Bushatit, Duros dhe Panos. Kur rezultati ishte 3-1 në favor të Dinamos, Pano dribloi njëri pas tjetrit tre kundërshtarë dhe nuk gjuajti në portë për ta ngritur kuotën në 4-1. Ai mendoi të gënjente edhe portierin, por nuk ia arriti dot qëllimit”, shkruan shtypi i kohës.

Panajot dhe Ledio Pano

Panajot dhe Ledio Pano

Pastaj në Sofje, pjesa e parë 2-0 për Levskin: “Dinamo ndryshon variantin taktik. Pano kalon qendërsulmonjës i avancuar, ndërsa Bushati merr rolin e organizatorit. Dinamo arrin të barazojë kur ishte në disavantazh të dy golave me Bushatin”, informon “Sporti”. Dhe takimi i tretë në “Mitat Pasha” në Stamboll: Fenerbahçe-Dinamo 1-0. Pastaj me anijen Partizani skuadra kthehet në Shqipëri.

Një tjetër përballje, Dinamo-Levski 1-1 në stadiumin “Dinamo” dhe ndarja pa zhurmë, pasi këtu mbyllet kapitulli i parë i Panos me një klub tjetër, Dinamon.

Pastaj kthimi i shumëpritur te Partizani i tij, që si skuadër kampione e sezonit 1961 do të luajë për të parën herë në Kupën e Kampioneve në muajin shtator ndaj Norçeping. Ndërkohë, Kupa Ballkanike nuk ka më interes dhe në nëntor, në takimin e fundit në grup, Dinamo mund Fenerbahçen në Tiranë me rezultatin 3-2 me tre gola të Vorfit, por vendi i parë është i Levskit.

Me 17 Nëntorin, në Kupën e Kampioneve pësoi dëmtimin më të rëndë

Pjesëmarrja e klubeve shqiptare në Kupën e Kampioneve në mesviteve ’60-’70 shoqërohet me surpriza, mospjesëmarrje, por edhe me sfida të bujshme. I ka takuar 17 Nëntorit të jetë protagonist, kur pas skocezëve të Kilmarnokut në sezonin 1965-’66, në edicionin 1966-’67 shorti e caktoi të luante me Valarengën, formacion norvegjez, por që pjesëmarrja u refuzua nga klubi tiranas (një justifikim me pretekst absurd që u lidh me arrestimin pak kohë më parë të Skënder Halilit). Në atë 1967-’68, Dinamo kampione në tavolinë tërhiqet disa javë para takimit me Eintraht të Braunshveigun.

Dinamo

Nuk ka pjesëmarrje në 1968-’69 (vetëm në Kupën e Kupave me Partizani-Torino shtator 1968) dhe Shqipëria do të rikthehet në turneun europian me klubet kampione në shtatorin e 1969-ës me 17 Nëntori-Standard Liezh, kampione e Belgjikës. 17 Nëntori si kampion i dhjetorit të 1968-ës, pra të një viti më parë, ndërsa nuk ka pjesëmarrje për Kupën e Kupave, pasi më 1967, 1969 nuk zhvillohet Kupa e Republikës.

Edhe pse ndaj Standardit kualifikimi ishte gati i pamundur për nivelin që kishin kundërshtarët, përballja me klubet perëndimore ishte privilegj i madh për kohën.

Dhe i ka takuar këtij klubi, futbollistëve të atij brezi të jenë protagonistë: Nga portierët Tafaj, Habibi, Konomi, Frashëri, Nurishmi, Bylyku, Halili, Dhales, Kasmi, Shala, Osman e Ali Mema, Bytyçi, Xhaçka, Bukoviku, Kazanxhi, Hyka, Ishka, Çela, Gjoka me trajnerët Myslym Alla e Enver Shehu. Por edhe Jankut, Panos, J. Ramës, G. Xhafës dhe më pas I. Çeços, M. Zhegës e K. Dinellës të marrë si përforcim ndaj Ajaksit një vit më vonë.

E PARA DHE E FUNDIT…

Duke iu kthyer Partizanit pjesëmarrës në Kupën e Kampioneve, ndaj Norçeping, CSKA-Plovdit, Këlnit, apo turnetë në Lajpcig e Hanoi, ai ka në përbërje edhe futbollistë tiranas, si Frashëri, S. Hyka, O. Mema, P. Bukoviku, T. Gjoka, L. Bytyçi etj. Po kështu, në takimin 17 Nëntori-Kilmarnok, në portën e kryeqytetasve për dy sfidat 0-0 në Tiranë e 0-1 në Gllazgou, luan Mikel Janku i Partizanit.

Panajot Pano Partizani

Për të ardhur te 17 Nëntori-Standard, kur krahas portierit Jani Rama e Gani Xhafës të Dinamos merret si përforcim edhe Panajot Pano, futbollisti më popullor e me famë, i njohur botërisht që luan me Partizanin.

Për Panon, aktivizimi i tij me 17 Nëntorin kampion për sfidat ndaj Standardit, përbënte surprizë për mjedisin sportiv shqiptar, si një ish i futbollit tiranas. Ky do të jetë rikthimi i parë dhe i fundit i tij te kjo fanellë, nga e cila ishte ndarë gati një dekadë më parë.

PRAG SFIDA, KRONIKA E ADEM RADËS

Skuadra u nis disa ditë përpara, madje ka qëndruar tri ditë në Budapest, “Nepstadion Hotel”, duke zhvilluar stërvitje atje. Edhe fotot e rralla të Panos me 17 Nëntorin (arkivi i PGBD), si ajo në stërvitje është bërë në ishullin e famshëm Margaret. Pastaj udhëtimi për në Bruksel, por nuk ka asnjë përfaqë- sues nga klubi belg për t’i pritur. Në një situatë aspak normale, skuadra merr trenin për në Liezh, ku i presin me disa taksi dhe sistemimi në “Euro Motel”, 30 km larg qytetit. Nga vendësit iu premtua se do të ndiqnin takimin Standard-Liers për kampionat, por nuk i çuan.

Në shkrimin e tij Adem Rada, përgjegjës i ekipit pas kthimit nga Liezhi në gazetën “Sporti” informon: “Me gjithë marrëveshjen që bëmë me drejtuesit e klubit që të hënën në orën 20 e njëjtë kur fillonte takimi i së mërkurës, të bënim stërvitje në stadium, por kur arritëm na detyruan të bëjmë atë në një aneks më ndriçim shumë të keq, jo me bar, por me rërë. Vetëm pas protestës sonë na lejuan që pas stërvitjes lojtarët tanë të shihnin stadiumin dhe ndriçimin!”.

Pastaj ndeshja: E mërkurë 17.09.1969 stadiumi “Sklesen”Liezh, 25.000 spektatorë Standard -17 Nëntori 3-0 (24′ aut Kasmi 42′, 48′ Depireux). 17 Nëntori me fanellat vertikale bardheblu luan me: Tafaj (J. Rama), F. Frashëri (G. Xhafa), Dhales, Kasmi, Bukoviku, Kazanxhi, Mema, Bytyçi, Hyka, Pano (65′ Xhaçka), Ishka (70’Çela). Arbitra të sfidës janë një treshe malteze me kryesor Arthur Lentini.

Skender Hyka 17 nentori

Ndeshja nuk pati shumë histori: U fitua 3- 0 nga vendësit, por me polemika e kontestime për arbitrimin, sidomos për golin e dytë të belgëve, kur një top i përplasur në traversë, pastaj në tokë, merret nga Tafaj që e largon drejt mesfushës. Papritur arbitri ka akorduar gol, sipas sinjalit të asistentit për kalim të vijës fatale, një gol që njoftohet i tillë edhe nga spikeri nëpërmjet altoparlantit të stadiumit.

Ndërkohë nuk ka asnjë koment pse në portë me emrin e Bujar Tafajt luajti Jani Rama dhe me atë të Frashërit dinamoviti Gani Xhafa… Bujar Tafaj e kujton: “Ishin truke të kohës që aplikoheshin me skuadrat tona, ndërsa klubet e huaja dhe UEFA nuk i jepnin shumë vëmendje, edhe pse i dinin këto kombinime.

Në Liezh, duke qenë se kisha një gisht të vrarë, me mbiemrin tim luajti Jani Rama, një fakt që u mbajt në heshtje nga shtypi shqiptar. Ndryshe në Tiranë, ku Jani luajti me emrin e tij.

Po kështu edhe Fatmir Frashëri: Në Belgjikë, atij nuk u lejua të vinte për arsye absurde dhe me mbiemrin Frashëri si mbrojtës i djathtë u aktivizua Gani Xhafa, ndërsa në atë të kthimit, Fatmiri ishte në formacion. Kujtoj se në Liezh, arbitri maltez fliste italisht me ne gjatë ndeshjes”.

GODITJET E QËLLIMSHME TË BELGËVE

Ajo që ka lidhje me Panajot Panon, qëndron në faktin se ai nuk luajti gjithë takimin e Liezhit. Sipas Radës, lexojmë se “…Ekipi ynë mund të kishte kaluar në avantazh në minutën e 12-të të pjesës së parë, nëse Ishka pas një kombinimi me sukses me Panon, do t’ia kishte pasuar topin atij, që ishte krejtësisht i pambuluar.

Disa gjuajtje të tjera të Panos e Kazanxhiut nuk paraqitën vështirësi. Gjyqtari shumë tendencioz nuk dënonte lojën brutale të kundërshtarëve. Bile as faullin kundër Panos, i cili u godit nga mbrapa në pulpën e këmbës, ai nuk e dha fare…”. Ndonëse që në minutën e 20-të, Pano u dëmtua, ai nuk u largua nga fusha.

Mjeku Panajot Boga e konstatoi dëmtimin, por vetëm në minutën e 65-të, në pamundësi për të vazhduar lojën, u zëvendësua nga Xhaçka. Nuk luajti as në ndeshjen e kthimit në Tiranë, 17 Nëntori-Standard 1-1 (Galic, Kazanxhi) dhe disa javë të tjera me Partizanin.

Vetëm në muajin nëntor do të rikthehej protagonist në kampionat. Rebeka Pano, gruaja e tij, rrëfen: “Dëmtimi ishte i madh dhe fillimisht u mendua që të dërgohej jashtë shtetit, por nga unë që i shërbeja natë e ditë, edhe mjekët më të njohur ortopedo-kirurgë, bashkë me Cenin, mjekun popullor, Ali Kastratin, u angazhuan duke dhënë garanci për një shërim të shpejtë”. Për Panon, ai mbetet dëmtimi më i rëndë në karrierë.

Mehdi Bushati: Të paharruara ato ndeshje!

MEHDI BUSHATI

           MEHDI BUSHATI

Mehdi Bushati, ish-futbollist i shquar i Dinamos dhe kombëtares, i ka një ndër momentet e rëndësishme te karrierës takimet kur ku luajtur me Panon jo vetëm te Dinamo, por edhe në përfaqësuese. Në librin e tij autobiografik “Një jetë me sportin” të publikuar pak më parë, e rikthen me detaje periudhën e dyshes Pano-Bushati.

Si u prit ardhja e Panos te Dinamo?

Nuk e kisha menduar se një ditë do të luanim bashkë kur rasti e solli në Kupën Ballkanike. Ishte një kërkesë e klubit që u aprovua pa kundërshtime nga Partizani. Janë vitet e shpërthimit të tij dhe marrja si përforcim nga Dinamo ishte surprizë për ne dhe opinionin. Ishte një marrëveshje e kohës midis gjeneralëve për t’i dhënë rëndësi përfaqësimit në Kupën Ballkanike me klube dhe me futbollistë cilësorë.

Ardhja e tij u prit mirë dhe në ato 4 muaj qëndronim bashkë në klub e stërvitje. Kujtoj golin e parë: një kryevepër që ai e ka realizuar në Bukuresht… Tipike të shpërthimeve të tij që shtangu vendësit. Ndërsa unë mbaja numrin 9, Pano 10, si me Dinamon edhe në takime me përfaqësuesen ndaj Danimarkës, Holandës dhe Zvicrës.

Në libër thoni se kishit karakteristika të ndryshme…

Bëhet fjalë për cilësitë individuale dhe mënyrën e lojës. Pano shquhej si sulmues me një sprint të fuqishëm e finalizues dhe me aftësi të rralla fizike.

Ndërsa unë kisha tipare e një mënyrë tjetër loje, më shumë teknike e me vizion, me pasime të sakta dhe sidomos në momentin e duhur kur topin e kërkonte Pano, të cilin e gjeja në hapësirat e tij të preferuara. Pastaj, shumë gjëra i kishim të përbashkëta.

Edhe mua nuk më mungonte nuhatja për golin: realizova 4 gola, dy në Bukuresht kundër Dinamos vendëse dhe dy të tjerë ndaj Levskit në Sofje.

Me Panon kundër Partizanit?

Ai luajti disa muaj me ne, madje kundër Partizanit, me Lin Shllakun që e markonte. Ishte shumë popullor dhe gjatë kohës me Dinamon kishte mbështetës kudo, deri jashtë vendit.

Kujtoj në Stamboll, presidenti i Fenerbahçes u çmend pas tij, nguli këmbë që ta marrte me çdo çmim, por kur i thanë se ishte e pamundur kërkoi të fliste me qeveritarët e lartë shqiptarë për ta transferuar Panon te klubi i tij.

 

Skënder Hyka: E dëmtuan rëndë!

Skënder Hyka

        Skënder Hyka

Skënder Hyka, për shumë vite titullar dhe goleador i 17 Nëntorit legjendar të viteve ’60-’70, futbollist edhe i përfaqësueses, e rikthen kështu atë përballje. Në një rrëfim për “Panorama Sport”, ish-lojtari bardheblu tregon detaje interesante nga ajo ndeshje.

Ç’ndjesi ishte të shikonit një 17 Nëntor me Panon titullar?

Pano u mor si përforcim, si një sulmues me eksperiencë, por edhe si një preferencë e vjetër e trajnerit Alla. Te ne erdhi disa ditë pasi kishim filluar përgatitjet.

Qëndronim në hotel “Donika” dhe, përveç njohjes së vjetër, me Panon te Partizani e në kombëtarë kishin luajtur bashkë edhe Frashëri, Kasmi, Xhaçka, Ishka, A. Mema, O. Mema, Kazanxhi.

Ndonëse i Partizanit, ai ishte i admiruar nga tifozëria tiranase që kishte nostalgji për të. Madje ishin kuriozë dhe loja e tij me 17 Nëntorin pritej me interes. Pano figuronte i federuar me 17 Nëntorin në listat që FSHF i dërgoi UEFA-s menjëherë pas hedhjes së shortit.

Çfarë kujtoni nga takimi i Liezhit?

Ka qenë një tension i madh gjatë gjithë ndeshjes, pasi Standardi kishte disa lojtarë të njohur dhe të nxitur nga spektatorët e filluan takimin me presion në aspektin psikologjik dhe me lojë agresive. Gjatë 90 minutave, ata përdorën gjithçka për ta siguruar që në Liezh kualifikimin.

Kujtoj se unë me Panon para fillimit të ndeshjes, si dy lojtarë me eksperiencë, biseduam si do të vendoseshim, kombinoheshim, duke qenë se disa lëvizje ia njihnim mirë njëri-tjetrit.

Por, kundërshtari luajti shumë ashpër e rëndë ndaj tij duke e goditur në mënyrë sistematike, sepse e dinin që ishte rrezik për ta. E goditën deri sa e nxorën jashtë loje. Në mbrëmje, në hotel, merrnim akull nga restoranti. Madje, gjatë kthimit Bruksel-Frankfurt-Rinas, ka qëndruar në avion me këmbën e fashuar.

Artikull i shkruar për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"