“Paguhen si në elitë”, Haxhiu “shfryn” ndaj lojtarëve të Flamurtarit: Goli i parregullt, por nuk pashë një dyluftim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2023 | 23:14

“Paguhen si në elitë”, Haxhiu “shfryn” ndaj lojtarëve të Flamurtarit: Goli i parregullt, por nuk pashë një dyluftim

Flamurtari u mund në Burrel. Ishte një hum bje me shumë polemika ajo e së dielës dhe kuqezinjtë sot e shohin veten – 10 nga kreu. Edhe pse në kampin vlonjat u morën shumë me historinë e atij golin që vendosi atë ndeshje, ajo që shqetëson është diçka tjetër.

Saimir-Haxhiu

Këtë e thotë edhe Saimir Haxhiun, ndonëse mundohet që t’i japë një lloj të drejte deklaratave të Emiljano Çelës për gjykimin. Ai ka mbetur i indinjuar nga reagimi i lojtarëve në fushë, që sipas tij grintën e kishin zero.

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, ish-mesfushori i bën një analizë të detajuar paraqitjes së skuadrës që pretendon ngjitjen në elitën e futbollist shqiptar. “E ndoqa me shumë vëmendje Flamurtarit në transfertën e fundit.

Të them të drejtën, ndihem keq. U hidhërova shumë për rezultatin. Ndoqa edhe prononcimin e trajnerit Emiljano Çela pas ndeshjes, që e quante maskaradë sjelljen e arbitrave. Jam i mendimit se goli erdhi nga një pozicion jashtë loje dhe duhej anuluar. Por, dua të shkoj përtej kësaj. Jam shumë i indinjuar me reagimin e futbollistëve në fushën e lojës.

Aty pamë djem që nuk fituan asnjë dyluftim. Ata nuk treguan asnjë shenjë karakteri. Përfaqësojnë apo jo një fanellë, që ka objektiv Superioren?! Nuk e di se çfarë kanë dhe se çfarë u mungon! Me sa shohim të gjithë, klubi u ka plotësuar çdo kusht në të gjitha aspektet dhe kanë pagat më të larta, sikur të luanin në Superiore.

Mua më vjen keq, pasi këta janë edhe lojtarë me eksperiencë dhe nuk e di pse po sillen kështu me këtë skuadër. Flamurtari ka traditë dhe histori dhe kërkon kthimin në elitën e futbollit sa më shpejt, sepse aty e ka vendin”, shprehet fillimisht ishlojtari i linjës së djathtë.

MESAZH PËR ÇELËN

Saimir Haxhiu e ka një mesazh për trajnerin. Thekson se asnjë nga lojtarët nuk ka shfaqur as gjysmën e grintës që Emiljano Çela kishte kur luante futboll.

“Në qoftë se njëri prej lojtarëve ka treguar gjysmën e grintës që të ka karakterizuar ty kur luaje, do të hesht dhe nuk do të prononcohem më kurrë… Por këta djem nuk sakrifikojnë në interes të shifrave të majme që marrin. Më thuaj në qoftë se një prej lojtarëve tanë nga kjo ndeshje doli nga fusha i dëmtuar. Kartonët ishin për shkelm ndaj kundërshtarit.

Dua që t’i bëj një thirrje miqësore dhe dashamirëse trajnerit të Flamurtarit: Shkundi futbollistët Emiljano, shkundi sa nuk është vonë. Si një ish-futbollist që jam rritur në atë klub dhe në atë stadium dhe me kontribute të mëdha familjare, ju them se nuk ju shoh dot të pestët në renditje. Skuadra duhet që të reagojë sa më shpejt, pasi asnjë gjë nuk e justifikon këtë situatë dhe këto rezultate”, përfundon Haxhiu.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"