Kupa e Shqipërisë, me formulë të dështuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2017 | 21:35

Kupa e Shqipërisë, me formulë të dështuar

YLLI AGA

ylli-agaE vetmja gjë që nuk ndryshon prej vitesh FSHF është formula e organizimit të Kupës së Shqipërisë. Në çdo fillim sezoni, gara është kthyer në një konkurrim numrash, 1 kundër 32, 2 kundër 31 e kështu me radhë, për ekipet e vogla interesi është bërë minimal, ndërsa të mëdhatë e kanë shfrytëzuar më së shumti për të bërë aleanca në favor të llogarive në kampionat.

Kupa e Shqipërisë

Në këtë pikë, organizatorët do të duhet të ndalen dhe ta hedhin në kosh formulën e përdorur deri tani dhe për të gjetur një skemë më gjithëpërfshirëse dhe mënyra për t’i bërë klubet më të interesuara.

HAPJA E DYERVE PËR TË GJITHA KLUBET

Kompeticioni i Kupës ka si simbolikë të veçantë vendosjen në një garë të barabartë të të gjitha klubeve, në ndryshim nga kampionati që janë të ndarë në kategori. Prej vitesh, në garë për Kupën e Shqipërisë janë 32 klube. Shto dy ose katër të tjera që futen në një tur paraeliminator.

Ndërkohë që FSHF ka anëtarë gati dyfishin e këtij numri, të cilët, të motivuar për problemet financiare, janë të përjashtuar nga ky aktivitet. Në shumë vende aplikohen skema të ndryshme për organizimin e Kupës, ku përgjithësisht ekipet e mëdha favorizohen duke u futur në garë në turet finale, por askund nuk përjashtohen inferiorët të futen konkurrim.

Në Angli numërohen 732 klube pjesëmarrëse. Në Francë është jo vetëm një numër i përafërt, por madje përfshijnë në garë edhe ekipe nga vende që janë koloni të saj. Thuajse në të gjitha vendet europiane kompeticioni i Kupës është fusha, ku të gjitha klubet bëhen të barabarta dhe ky parim duhet të kthehet në futbollin tonë.

NJË MËNYRË E RE SHPËRBLIMI

E vjetër po aq sa formula e Kupës është edhe sasia e parave që jepen në këtë kompeticion. 50 milionë të vjetër. Dhe këto të gjitha për skuadrën fituese. Ndërkohë që pothuajse të gjitha modelet në vendet e tjera shpërblimet i ndajnë për çdo tur dhe fituesit përfitojnë në mënyrë progresive.

Rrjedhimisht, për skuadrën fituese, çmimi i fituar është më i lartë se të tjerët. Një skemë e tillë do t’i bënte më të interesuara klubet, që jo vetëm ta shfrytëzojnë këtë kompeticion për t’u ndier të barabartë, për të promovuar vlera dhe futbollistë, por edhe të shpërblehej qoftë edhe minimalisht.

RIKTHIMI I MAGJISË SË SHORTIT

Kupa e Shqipërisë aktualisht ka short vetëm për turin gjysmëfinal. Gjithçka tjetër është e paracaktuar. Një mënyrë e tillë, e përdorur edhe në vende të tjera, shemb një nga kolonat më të rëndësishme të këtij kompeticioni: magjinë e shortit dhe rrjedhimisht edhe të përballjeve të forta në çdo tur.

Në disa vende aplikohet short i lirë, që mund të vendosë përballë ekipet e mëdha ashtu sikundër krijohen hapësira për ekipet e vogla. Në disa vende të tjera bëhet një ndarje ku në një vazo vendosen ekipet favorite dhe në tjetrën më të voglat, por edhe në këtë rast shorti sjell përplasje interesante. Ashtu siç mund të ishte te ne nëse në fazën 1/32 klubet të ndaheshin në dy vazo dhe të hidhej short dhe duke filluar nga 1/16 dhe deri në fund të hidhej short i lirë, që me siguri do të mundësonte përplasje “big” në çdo tur.

Skemat për ta bërë më interesante Kupën e Shqipërisë mund të jenë të shumta, por pikë së pari duhet ndryshuar formula aktuale, pasi është bërë frenuese për të qenë më e hapur, më tërheqëse dhe sigurisht më fitimprurëse për të gjitha klubet pjesëmarrëse.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"