Anormalitetet e një kampionati normal?…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2021 | 13:28

Anormalitetet e një kampionati normal?…

Nga BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

1. Nuk ka dyshim se kampionati kombëtar i Shqipërisë 2021-‘22 ka vendosur një rekord të rrallë. Deri tani, në javën 12 të tij, plot 25 ndeshje nga 60 janë luajtur në fusha asnjanëse. Kastrioti i Krujës ka luajtur 6 të tilla, Teuta 6, KF Kukësi 6, Dinamo 5 dhe Partizani 2! Ky është një lloj kampionati anormal, në një kohë që si kohë zhvillimi është normal. Ky është një kampionat ku dueli që po e quajmë “anormalitet – normalitet” është më i ashpri, më sunduesi. Ky është një kampionat i rrallë deri aty saqë kemi skuadra të tilla si KF Kukësi, i cili nuk ka luajtur asnjë ndeshje në fushën e vet! Dhe është në vendin e dytë. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë 92-vjeçare të kampionatit të Shqipërisë. Kështu, në javën 10 nga 5 ndeshje vetëm 2 u luajtën në stadiumet e qyteteve prej nga ishin skuadrat: Skënderbeu – SK Tirana në Korçë dhe Vllaznia – KF Laçi në Shkodër.

KF Kukësi luajti në Laç, ndërsa Dinamo – Kastrioti dhe Partizani – Teuta në Elbasan. Mirë që u ndërtua për të tjerë ky stadiumi i Elbasanit! Kështu kishte ndodhur edhe në javën 9, ku 3 ndeshje, ato të skuadrave të Durrësit, Dinamos dhe Kukësit nuk u luajtën në qytetet e tyre, por respektivisht në Kamzë, Elbasan dhe Shkodër. Duke shkuar te dy javët fundit, ato 11 e 12, përsëri 40 për qind të ndeshjeve u zhvilluan në fusha asnjanëse. Dihet, shkaqet janë nga më të ndryshmet: përtëritje të fushave që mbeten duke u prishur apo stadiume në ndërtim e sipër. Të gjitha këto për një çast mund të duken arsye të forta. Në të vërtetë nuk mund të jetë kështu.

Një shtet serioz i cili e ka kampionatin e tij kombëtar të futbollit garën më të rëndësishme sportive, të gjitha këto i paramendon më parë se të fillojë kampionati. Na duhet të bindemi se me këto mosluajtje të skuadrave në stadiumet e tyre, gara ka humbur kahun kryesor më të rëndësishëm të zhvillimit të ndeshjeve: atë që njihet si “fusha ime” e “fusha jote”. Kjo e ka komprometuar garën kur kujton se me rregullin klasik të ndeshjeve me “shkuarje e ardhje”, vetvetiu gara është “falsifikuar”. Kësisoj, edhe për këtë arsye, skuadrat nuk ndiqen nga spektatorët e tyre, nuk ndiejnë mbështetjen e tyre aq të domosdoshme në ndeshjet. Ky është një kampionat i cili mbi të gjitha ka humbur spektatorin.

E shihni se shohim stadiume thuajse të boshatisura? Federata Shqiptare e Futbollit, e vetmja në Europë nuk ia ka arritur t’i detyrojë klubet pritëse që të publikojnë çdo javë numrin e saktë të spektatorëve, siç veprohet në të gjitha shtetet. E, duke qenë se ata janë fort pak, mund të numërohen për një gjysmë ore. Do t’i dilnin shifra tejet të varfra. E kuptojmë situatën, pra COVID-in. Por, jo sa të mbërrijë deri në këtë boshatisje. Në Shkodër, në ndeshjen e fortë Vllaznia – KF Laçi, stadium e qytet që përherë shquhen për prani të lartë të spektatorit, tribuna karshi ishte krejt e boshatisur. Diçka më shumë në ndeshjen tjetër, po aq tepër të rëndësishme, atë Vllaznia – Partizani, ndoshta ishin a nuk ishin nja 2000 a 3000 spektatorë! Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në kampionatin kombëtar për Qytetin e Veriut. Për fat, pak a shumë po kështu edhe në qytete të tjera.

2. Dhe vazhdojmë me anormalitetin e këtij kampionati normal. Dihet, në fund do të gëzohet kampionia, po edhe nënkampionia apo edhe skuadra e vendit të tretë të cilat do të shkojnë në Kupën e Europës. Por vetëm kaq. Asgjë më tepër sesa disa përfitime financiare të këtyre tri skuadrave. Kampionati po humbet rolin e tij dëfryes, edukues, çlodhës, gjallërues së jetës së një qyteti. Deri aty sa për një çast të duket thjesht si një lloj kampionati televiziv apo dhe i gazetarisë, ndonëse nuk e dimë mirë se sa ndiqen ndeshjet e tij në TV.

Edhe për këtë në Shqipëri mungojnë të dhënat. Mirëpo, dihet, ka një rregull, ndonëse të pashkruar: nëse ka pak spektatorë në stadiume, përherë ka edhe pak telespektatorë. Sigurisht, ky editorial nuk mund të ketë formën e një studimi apo “hetimi”, në kuptimin e mirë të kësaj fjale. Këto i bëjnë “katedrat” studiuese të futbollit për kampionatin kombëtar të futbollit, çka në Shqipëri mungojnë. Është e vërtetë, Shqipëria ndoshta mban një rekord tjetër për “përimtimin” e kampionatit të saj kombëtar të futbollit, në emisione televizive. Dhe kjo thjesht për faktin se në to nuk sundon gazetari sportiv, pra edhe ai i futbollit, por mendimi i ish-trajnerëve, i ish-futbollistëve.

Pa shkuar tek ajo tjetra, që të gjitha këto emisione janë kopje e njëri-tjetrit. Pa sjellë diçka të re, diçka origjinale në këtë fushë. E, ndoshta risia është vetëm një: prania e femrave drejtuese apo “ndihmësdrejtuese” – çka për një çast të duket pozitive, diçka e bukur. Ndonëse nuk mendoj se duhet harruar nëse një pjesë e mirë e tyre nuk përparojnë në kërkesat e gazetarisë.

Ndryshe, atëherë edhe e gjitha kjo mund të shndërrohet në një tjetër anormalitet. Duke vazhduar mandej me anormalitetin e vjetër, që tashmë po kalon dekadën: pak skuadra (10) dhe me mbi pesë qytete të vërteta të traditës së futbollit jashtë kampionatit kombëtar. Ndërkaq, shterim i elementit të ri – kjo edhe për shkak të vërshimit të lojtarëve të huaj mesatarë apo krejt të zakonshëm në skuadra – madje në një përqindje krejt të papranueshme, që mbërrin gati në 40 për qind! Kampionati i Shqipërisë, madje kampionatet – duke përfshirë këtu edhe kampionatet e kategorive më të ulëta – janë thuajse heterogjene, në përmbajtje, në përbërje, në gjeopolitikën kombëtare të futbollit, sidomos në përanësinë që po e quaj “etnike” të qytetit tënd.

3.Ndërkaq, vetvetiu merret me mend se nuk mund të tërheqë vëmendjen dhe interesimin një kampionat me vetëm 5 ndeshje, të cilat pa asnjë arsye shpërndahen në tri ditë: e premte, e shtunë, e diel apo qoftë edhe e hënë. Spektatorit shpesh i duhet të humbasë orë, jo minuta, për të mbajtur mend se kur luajnë skuadrat, qoftë edhe skuadra e zemrës së tij. Pa shkuar mandej te anormaliteti tjetër, ai i orareve. Sidomos me dashurinë e madhe për orarin e mesditës 13:30, që është bërë gangrena e atij që mund ta quajmë “harrimi” i ndeshjeve. Aq më tepër që ky orar ndodh që mund të vihet edhe ditën e premte, që është një ditë pune dhe jo pushimi.

Me sa duket, shqiptarët dashamirë të futbollit duhet të lënë punën për të parë ndeshjen. E mandej tek ora e famshme 19:45, në mbrëmje të vonë – një imitim i papranueshëm për një vend me shumë probleme jetësore si Shqipëria, me dukuri e halle të pafund ekonomike të vetë familjes shqiptare. Dihet, jeta e popullit shqiptar nuk lulëzon si e popujve të Anglisë apo Francës.

Ndokaq, është flakur tej tradita e kampionateve të shkuara ndër ne, kur, bie fjala, në dimër ishte ora 14:30, në pranverë ajo 16:00 apo 17:00. Dhe meqë të është mbushur mendja tek Italia apo Franca, mirë atëherë, zhvilloje një ndeshje tejet të rëndësishme të dielën në mbrëmje. Por, mbi të gjitha, zhvilloji këto të shkreta a të pakta 4 ndeshje, të shtunën. Mos ndoshta me këtë “lojë” të orareve mund të ketë edhe një shkak televiziv?

Pra, që pesha e shumë transmetimeve televizive ndërkombëtare rëndon deri në zyrat e FSHF-së? Nuk mund të mbërrijmë megjithatë tek anomalia që dikush të mendojë se “na humb audienca e ndeshjeve të kampionateve të Italisë, Anglisë, Gjermanisë, Spanjës a Francës”. Shtete të tjera, këto, apo jo? E pra, deri në këtë masë ky anormalitet tjetër është i palejueshëm edhe pse dihet niveli i lartë i këtyre kampionateve.

Do të mjaftoheshin me transmetime të ndeshjeve elitare apo vendimtare të këtyre shteteve dhe vetëm kaq. Kjo mbidozë e transmetimeve të kampionateve të shteteve të tjera me kaq kryefortësi, pa harruar emisionet kushtuar atyre si në asnjë vend tjetër të Europës, mund të na çojë, pse jo, deri në shkombëtarizimin, në mpakjen e vetë ndjenjës kombëtare e qytetare të futbollit shqiptar. Ose largimin prej nesh të kësaj ndjenje…

4. Është vërtet e çuditshme që shumë pak flitet e komentohet që për shkak të numrit të paktë të skuadrave (vetëm 10), kemi jashtë kampionatit kombëtar qytete kryesore të Shqipërisë si Vlorë, Elbasan, Kavajë, Gjirokastër apo Berat, skuadrat e të cilave kanë qenë kampione, nënkampione, fituese kupash e deri përfaqësimesh dinjitoze në Europë. E, duke kaluar te një lloj anormaliteti subjektiv, propaganda e futbollit televiziv sivjet na dhuroi “rastin Dinamo”, duke e quajtur pretendente për kampione, ndonëse ajo kishte plot 10 vjet që luante në kategori të ulëta. Dhe papritmas buçitën ekranet televizive për një Dinamo – kampione, e cila paska ndërruar krejt skuadrën me të cilën mbas një harrimi 9-vjeçar, fitoi të drejtën e pjesëmarrjes në kampionatin kombëtar. U fol me superlativa për Dinamon legjendare e të fanellës së saj simbol.

Nuk mendoj se shkon kështu. Dinamo 18 herë Kampione e Shqipërisë pa dyshim është një histori e çmuar, e jashtëzakonshme e kampionateve shqiptare. Por, ende jo kjo Dinamo e vitit 2021 të shekullit XXI, e cila vjen mbas një dekade nga Kategoria e Dytë. Kjo është diçka krejt tjetër, e një kohe tjetër, më drejt e një anormaliteti edhe kjo. Kishim me thënë se shumë më i mprehtë se ky artificializëm i kësaj “Dinamoje kampione 2021” është mungesa e skuadrave të qyteteve tradicionale – një temë e vjetër e trajtuar fort edhe prej nesh. E kjo na bën të mbërrijmë te një anormalitet tjetër, po subjektiv. Kjo katastrofë, sepse katastrofë është, aspak nuk prek jo pak prej atyre që merren me futbollin, çka, për çudi, duket qartë që nuk prek as vetë qytetet përkatëse, të cilat prej do kohe po mësohen bukur e mirë deri me pjesëmarrje në Kategorinë e Tretë, madje! Prej Flamurtarit të Vlorës e deri te KS Elbasani i Elbasanit – kampione e fituese kupash në Shqipëri!

Është ezauruar ndërkaq anormaliteti tjetër, ai i dështimit shembullor (emblematik) të themelimit të Ligës Kombëtare të Futbollit, e propaganduar me bujë, edhe prej dorëlëshimit të medias së nxituar. Është një tjetër shkak i kësaj gjendjeje, çka ka bërë që fati i skuadrave të qyteteve të mos jetë në duart e vetë këtyre qyteteve, por gati si vasalë të FSHF-së, e cila merret me gjithçka: me hedhjen e shortit të kalendarit, me caktimin e gjyqtarëve, me dënimet, me federimet, me oraret, me ditët e javët, me mesditat e “akshamet” e ndeshjeve. Nuk shkon kështu. Mirëpo, si shkon, pra? Kjo është një pyetje që kërkon përgjigje të gjatë. Mendoj se kjo kërkon mbledhje, kërkon diskutime, ballafaqime mendimesh, flakje tej të këtyre organizimeve që sundojnë pa mëshirë, duke mos sjellë asnjë përparim organizativ.

5. Dhe tash, si për një fund të disi “të bukur”, po shkojmë te normalja e këtij kampionati me plot anormalitete. Te javët e ndeshjet e tij, për të gjetur sado pak “pozitiven”, normalen pra, tek e përhershmja e çdo kampionati, çka ta dhurojnë javët e ndeshjeve të tij, fitoret, humbjet, kthesat, pikët, ulje-ngritjet në renditje e plot të tjera. Kështu, mbas javës 12, renditja e kampionatit mori një pamje disi tjetër.

Kjo, mbasi ndodhi që brenda tri javësh, kryesuesja sportklub Tirana nga 6 pikë epërsi ndaj rivalit më të afërt, që është KF Kukësi, të ngushtohej në vetëm 1 pikë ndryshim. Dhe jo vetëm për shkak të dy fitoreve të saj të fundit me Egnatian dhe Kastriotin, por më tepër se këtë të enjte ajo u shkëput përsëri, deri në 4 pikë epërsi. Epërsi që e shkaktoi humbja 1-2 e KF Kukësit prej KF Laçit, natyrisht jo në Kukës, por në Tiranë.

E vërteta është se SK Tirana është në krye e palëkundshme qysh nga java 4, ndërkohë që prej katër javësh, treshja kryesuese është e paluajtshme: SK Tirana, KF Kukësi, Vllaznia. Kampionati ka kështu një qëndrueshmëri qysh në një të tretën e rrugës së tij (12 javë). E edhe kjo të duket një anormalitet i llojit të garës kampionale, ngaqë kemi të bëjmë me një kampionat që lëvizjet i ka në mesin e tabelës dhe pak para fundit të renditjes. Ndërkohë që Kastrioti i Krujës, i mpakur mbase prej anormalitetit të mosluajtjes në Krujë, thuajse ka dalë nga “rruga e Zotit”.

Ka vetëm 5 pikë! Po a është normale që Partizani është i 6-ti? Që Dinamo është e 7-ta? Që Skënderbeu i Korçës – para pak vitesh europiani i Shqipërisë – është në luftë për të mos rënë? Apo që Teuta ndërron pa asnjë kuptim trajnerin Edi Martini? Kur dihet se nuk do të thotë që një skuadër kampione të fitojë përherë. Aq më tepër kur kujton që ende nuk kemi mbërritur në gjysmë të kampionatit, pra. Në këtë kontekst të një “arsyeje” hyn edhe mosarsyeja e largimit të trajnerit të Egnatias, Gugash Magani. Ndoshta gjysma e së keqes, megjithatë. Kampionatin që shkoi, atë 2020-‘21 janë zëvendësuar 24 trajnerë. Shpresojmë që sivjet të mos ia shtojmë edhe këtë anormalitet tjetër kampionatit 2021-‘22.

Ndoshta “gjysma e së keqes”. Sepse, ndodh rëndom që sapo shkarkohet një trajner, ndërrohet në analist ose anasjelltas!? Duke iu kthyer renditjes mbas javës 12, ndoshta vërehet një zgjim i Skënderbeut që ngjitet në vendin e 8-të. Ndonëse nuk besoj se duhet konsideruar ngjitje vendi i 8-të. Dhe ja ku si padashur mbërrijmë tek anormaliteti tjetër i këtij kampionati “normal”. Është normaliteti që na thotë se në Shqipëri edhe skuadra që renditet e 8-ta midis vetëm 10 skuadrave, mund të zbresë. Pra, nuk shpëton, por rrezikon nëpërmjet një “Fair Play” të markës shqiptare.

Është rregulli absurd që FSHF e ka pra, fort dëshirë: që nga 10 skuadra që ka kampionati, të përjashtojë 3, që do të thotë 30 për qind! Dhe po e mbyllim duke përsëritur shembuj të kampionateve të shteteve madhore të futbollit: Anglia zbret 3 skuadra nga kategoria, por ka 20 skuadra pjesëmarrëse. Spanja zbret 3 skuadra, edhe ajo ndër 20. Italia zbret 3 skuadra, po nga 20 që ka kampionati. Gjermania zbret 3 skuadra nga 20 që ka kampionati.

Franca zbret po 3 skuadra nga 20 që ka edhe ajo. Kështu pra, na del se këta të mëdhenj “zbresin” në atë që është Kategoria e Dytë e tyre, 15 për qind të skuadrave pjesëmarrëse. Ndërsa Shqipëria kërkon të përjashtojë 30 për qind të skuadrave. Në një kohë që këto shtete i kanë kategoritë e dyta për kah cilësia shumë të përafërta me të parat. Ndërsa Shqipëria dihet se si i ka… Ndonëse organizimi i sivjetëm i Kategorisë së Dytë në një grup me 16 skuadra, është për t’u përgëzuar.

Kjo na bën të shpresojmë se kështu, me 16 skuadra, do të organizohet edhe kampionati i parë i Shqipërisë për stinën 2022-‘23. Në të vërtetë, nuk duhet të mbështetmi te shpresa. FSHF nuk është Zoti. Janë vetë klubet që u takon ta vendosin këtë ndryshim. Por, mjaft më me anormalitetin e kampionatit “normal” të Shqipërisë. Përpara është java 13 me duele tejet interesante: KF Laçi – SK Tirana, Partizani – Dinamo, Teuta – KF Kukësi.

Pse jo, edhe dueli i vendeve të fundit Egnatia – Kastrioti. Nuk mund të parashikojmë asgjë. Java 13 nuk është një “javë ters” prej numrit të saj. Mund të jetë vërtet një javë e bukur, e cila për çastin, mund të flakë tej njërin prej anormaliteteve në fjalë: atë të mungesës së spektatorëve. “Të gjithë në stadium!”, pati qenë një thirrje gati e përjavshme e Shqipërisë futbollistike e viteve ‘50 e ‘60, kur në stadiume nuk kishte vend ku të uleshe. Mëkat që është harruar!…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"