Shqipëria nuk ka vetëm futboll

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2020 | 20:42

Shqipëria nuk ka vetëm futboll

AVNI PONARI 

avni ponari

Të nderuar dashamirës të sportit, uroj që fryma bashkëpunuese të mbizotërojë dhe pas shumë vitesh përpjekjesh, të kemi një ligj sponsorizimesh që u përgjigjet kërkesave të kohës dhe nevojave të sportit. Fatkeqësisht në Shqipëri është krijuar ideja që sporti është vetëm futbolli. Diferencat ekonomike dhe organizative janë shumë të mëdha ndërmjet futbollit dhe basketbollit, ashtu si në pjesën më të madhe të Europës.

Gjithsesi, vlerat dhe kontributi publik i sportit, nuk maten me para… Në Shqipëri ka dhe basketboll! Tashmë, vetëm në Tiranë, ka me mijëra fëmijë që marrin emocionet pozitive të basketbollit duke ndihmuar kështu në rritjen e tyre të shëndetshme fizikisht dhe psikologjikisht. Në bashkëpunim me shoqatat anëtare pjesëmarrëse në aktivitetet e edicionit 2019- ’20, bëmë të gjitha përpjekjet për të mbyllur kampionatet kombëtare në parket, por nuk ia dolëm.

Për NE, “COVID-19” u shpall fitues për edicionin 2019-’20! Pavarësisht të gjitha vështirësive, FSHB po punon për fillimin e edicionit 2020-’21. Në ditët në vijim fillojmë me seminaret sezonale për trajnimin e aktorëve kryesorë në menaxhimin dhe mbarëvajtjen e ndeshjeve, duke filluar nga mbajtësit e statistikave, gjyqtarët dhe komisarët.

Gjithashtu jemi në hapat e fundit për përfundimin e rregullores 2020-’21 dhe paralelisht po punohet për organizimin e seminarit me trajnerët për ndryshimet më të fundit në rregulloren zyrtare të lojës së basketbollit sipas udhëzimeve të FIBA. Liga Unike tashmë ka nisur punën me administratën e saj, emocione të reja na presin…

Ne po punojmë, por akoma nuk kemi lejen e shumëkërkuar… ajo leje që caktoi “COVID-19” si fitues të edicionit 2019-’20, ajo leje e munguar po vazhdon të cenojë dhe të ardhmen, 2020-’21.

Duke shpresuar në një ligj sponsorizimesh që krijon ambient të përshtatshëm për të afruar sponsorët në sport, dëshiroj t’ju siguroj se mbetemi të motivuar për të përmirësuar veten dhe për të bërë më shumë për basketbollin, pavarësisht se jo çdo gjë është në dorën e FSHB. Me mirënjohje, Avni Ponari, president i FSHB.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"