Ligji i sportit dhe “maliqët” lokalë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2021 | 17:45

Ligji i sportit dhe “maliqët” lokalë

Nga ARTAN SHYTI

artan shyti

Një ndryshim i ligjit të sportit, i miratuar në parlament një vit më parë, ka hyrë në fuqi më 30 korrik 2021. Ky ligj i ndalon bashkitë që të kenë klube sportive në administrimin e tyre si ndërmarrje publike.

Praktikisht, klubet shumësportëshe dhe ato të futbollit duhet të shkëputen nga administrimi bashkiak. Bashkitë nuk mund të kenë klube sportive në strukturën e tyre organizative.

Ky është një detyrim ligjor, që do të thotë se çdo menaxhim bashkiak i mëparshëm që nuk është ndryshuar në përputhje me kërkesat e këtij ligji, është i paligjshëm, që nga 1 gushti 2021.

Ndërkohë, sot që flasim, të gjitha i kanë, siç i kanë pasur më parë. Ky ligj nuk i pengon bashkitë që të financojnë dhe mbështesin klubet sportive të qytetit të tyre, por kërkon që marrëdhëniet mes pushtetit lokal dhe klubeve të ndërtohen bazuar në parimet dhe normat që janë në fuqi në të gjitha shtetet demokratike perëndimore.

Është një ligj i mirë që do të vendosë, më në fund, sportin lokal në Shqipëri mbi baza organizative të logjikshme dhe ligjore. Nëse zbatohet… Sot që flasim, asnjë bashki nuk ka marrë mundimin ta vërë në zbatim, që do të thotë se duke vazhduar të funksionojnë si më parë, janë duke shkelur ligjin dhe duke krijuar abuzim të pastër financiar, të dënueshëm, nëse kemi shtet ligjor. Për fat të keq, askush nga hallkat institucionale që vigjilojnë mbi zbatimin e ligjit në Shqipëri nuk e “ka vënë ujin në zjarr” për këtë çështje. Dhe kjo nuk është hera e parë që ndodh.

Një ndryshim ligjor për sportin në vitin 2005 nuk u zbatua për 16 vite rresht… Dhe kjo nxjerr zbuluar një problem të madh të sistemit sportiv kombëtar. Ligjet për sportin bëhen, ndryshohen, modifikohen, por asnjëherë nuk zbatohen. Sepse, siç duket, pushteti i ligjit është më pak i dëshirueshëm sesa ai i “Maliqit”… Dhe Maliqët në sportin shqiptar lokal janë të shumtë. Dhe për sa kohë ata do të jenë më të fortë se ligji, ne do të jemi dëshmitarë të këtyre situatave absurde ku të gjithë kërkojnë ligje të reja po ku askush nuk i zbaton… “Maliqër” hesapi!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"