Padituria që po sjell edhe pasigurinë në sport

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2022 | 22:40

Padituria që po sjell edhe pasigurinë në sport

NGA ARTAN POGONI
Prej gati 6 muajsh kemi dëgjuar se qeveria shqiptare i ka dhënë KOKSH-it dhe Ministrisë së Rinisë një fond prej 5 milionë dollarësh, për të zhvilluar sportin e volejbollit dhe basketbollit në vend.

pogoni

PADITURIA
Çfarë pune ka KOKSHi-i dhe kjo Ministrja e Rinisë apo thënë ndryshe “Ministrja e Memeve” me fondin për zhvillimin e vetëm dy disiplinave sportive në vend? Këtë e bëjnë ose vetëm ata që s’dinë ose ata që bëjnë sikur po ndihmojnë sportin, por mendjen e kanë te përfitimet personale. Shohim që kanë dalë në rrethe të ndryshme të vendit dhe po “trajnojnë” specialistët e sportit dhe mësuesit e edukimit fizik, (të diplomuar për këtë zanat) se si të formojnë dhe trajnojnë skuadrat?! Po si ka mundësi që njerëz të cilët nuk kanë as arsimin përkatës (hapni fotot e KOKSH-it dhe shikoni) të trajnojnë trajnerë dhe mësues?

Kulmi është se u japin edhe diploma?! Apo nuk po dinë se si t’i “harxhojnë” ato 5 milionë dollarët e famshëm, se deri tani kemi parë vetëm 3 ndeshje volejbolli sa për sy e faqe, meqë na erdhi edhe Tomas Bah dhe na inauguroi zyrat e reja. Po pse ky fond prej 5 milionë dollarë nuk iu dha dy federatave përkatëse të volejbollit dhe basketbollit, të cilat e kanë me ligj promovimin dhe zhvillimin e këtyre sporteve në vend?

PASIGURIA
Me çfarë kriteri profesional apo testimesh të ndryshme u përzgjodhën këto dy disiplina dhe çfarë do të arrihet? Po pse jo edhe futbolli, atletika, peshëngritja, mundja, etj.? Askush s’di se çfarë të thotë dhe askush s’e ka vrarë mendjen për këtë. Po pse pas shumë vitesh pjesëmarrjeje në Lojërat Mesdhetare të ekipeve përfaqësuese të volejbollit dhe të basketbollit për femra e meshkuj, këtë radhë në Oran të Algjerisë këto sporte kaq shumë të subvencionuara nuk morën pjesë?

PADITURIA
A e di kush se në këtë vend ka një Ministri që përgjigjet për sportin me zv/ministër përkatës, me drejtor të përgjithshëm, me shefa sektorësh, specialistë dhe këshilltarë? Të gjithë këta paguhen nga taksat tona dhe një nga detyrat themelore që kanë është promovimi, subvencionimi dhe zhvillimi i të gjitha disiplinave sportive në mbarë vendin. Nga kjo ministri varen në mënyrë direkte dhe indirekte të gjitha federatat sportive në vend. U bënë disa muaj, që përsëri kanë dalë në skenë dhe po flasin për rihapjen e basteve sportive.

Ore, po pse u mbyllën në mënyrë drastike ato, duke e quajtur edhe si një nga arritjet më të mëdha të qeverisë Rama 1, me të ashtuquajturin operacion “Fundi i Marrëzisë”? A bëri kush ndonjë analizë ekonomike se çfarë dëmi sillte mbyllja e tyre? Ku shkoi gjithë ajo propagandë për mbylljen e tyre e mbrojtur në atë kohë në mediat vizive me shumë pathos, madje po nga vetë ministrja që mbulon sportin sot, e cila në kohën që u mbyllën bastet ishte vetëm deputete? Apo doli Zeusi një ditë në mëngjes dhe foli me gojë dhe tani nuk po dinë si ta rrotullojnë situatën, se gjoja të ardhurat nga bastet do t’i përfitojë sporti.

PASIGURIA
Për çfarë duan t’i hapin tani? Për sportin apo për pastrim parash dhe mbajtjen e domenit të menaxhimit të basteve në një dorë që dikur ka pasur kompani bastesh vetë? Askush prej këtyre që drejtojnë institucione sot, nuk ka sigurinë të na thotë se sa për qind, apo thjesht sa para do të përfitojë sporti drejtpërdrejt nga rikthimi i basteve në Shqipëri. Ka plot 9 vjet që premtojnë dhe flasin për rregullime ligjore në dobi të sportit dhe akoma edhe sot nuk kanë minimumi një ligj të vlefshëm, ndërkohë që po flasin përsëri këto kohë për një tjetër ligj për sportin. Përfundimisht kanë treguar se nuk dinë të bëjnë ligje apo rregullime ligjore që t’i qëndrojnë kohës dhe të jenë të pranuara nga mbarë opinioni sportiv në vend.

Këtë e vërteton më së miri moszbatimi i ligjit të sportit për shoqatat sportive, ku është shkruar e zeza mbi të bardhë se bashkitë e të gjitha niveleve e kanë të ndaluar të subvencionojnë me rroga dhe shpërblime ekipet sportive. Kjo gjë jo vetëm që nuk po ndodh, por përkundrazi, në kundërshtim të hapur me ligjin, ekipet bashkiake po subvencionohen me shuma marramendëse thjesht për të plotësuar tekat e kryetarëve, por edhe si mjet presioni elektoral. Po kështu, nga padituria kanë bërë që edhe ligji për sponsorizimet të jetë jofunksional dhe aspak interesant për biznesin vendës.

PASIGURIA
Përflitet se po hartojnë një draft tjetër, por kush na garanton se ky i fundit (pas nja katër apo pesë të deritashmit) do të sjellë më shumë rregullim dhe sistemim të problemeve të sportit? Do të sjellë më shumë lehtësira dhe më shumë para për sportistët dhe trajnerët e tyre? Kush garanton se me ligjin e ri nuk do ketë më mundësi politika të ndërhyjë brutalisht në federata të ndryshme sikurse ishte edhe rasti i futbollit? Fondi për federatat sportive në vend, i miratuar në buxhetin e vitit 2022 ishte një skandal më vete.

PADITURIA
Për miratimin e buxhetit të një sektori të caktuar, janë të përfshirë një numër i madh njerëzish, duke filluar nga specialistë, shefa, drejtorë, deri te ministri përgjegjës për linjën. Si ka mundësi që miratuan një buxhet skandaloz dhe në shifra thuajse i barabartë me vitin 1995 apo ishte lapsus? Më pas e rregulluan gjoja me një shtesë në buxhet, pasi ndjenë që pasojat mund të ishin dramatike për sportin shqiptar. Habia më e madhe ishte se asnjëra nga Federatat sportive në vend nuk u ndie, sepse të gjithë ndihen të pasigurt deri edhe me vendin e punës.

Çdo vit, drejtuesit e Federatave ndihen të pasigurt për të konfirmuar pjesëmarrjet në aktivitete ndërkombëtare apo organizimin e aktiviteteve kombëtare, dhe në shumë raste edhe duke anuluar apo moskonfirmuar pjesëmarrjen për arsye financash. Gjatë gjithë vitit, në dyert e MAS do të shihni presidentë e sekretarë federatash që shpesh, më vjen keq ta them, ndihen si lypsarë duke kërkuar fonde dhe mbështetje financiare për sportistët e tyre. Është kaq e madhe kjo pasiguri, sa edhe në bursat që Solidariteti Olimpik jep për sportistët tanë nuk ka transparencë. Bëhet trafik dhe luhet nën rrogoz, duke shpërblyer sportistë të atyre federatave që shërbejnë më pas me vota për drejtuesit e KOKSH-it.

E po të vazhdojmë kështu, nuk do të ketë fund për problematikat e mbartura, sepse padituria qe rrjedhimisht sjell edhe pasigurinë në sport, mbizotëron kudo në organizmat drejtues të sportit shqiptar në të gjitha nivelet. Ah po, një gjë e kanë me shumicë, dhe për këtë kanë vërtetë merita të veçanta – në paditurinë e tyre janë mjeshtra të propagandës, megalomanisë dhe korrupsionit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"