Një presidenti të aftë dhe të fuqishëm si ju z. Duka, nuk i lejohen hakmarrjet primitive

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 1, 2020 | 11:57

Një presidenti të aftë dhe të fuqishëm si ju z. Duka, nuk i lejohen hakmarrjet primitive

ARSEN HOXHA

arsen hoxha

Para disa ditësh, ishasistenti i FIFA-s, Ermal Barushi, deklaroi publikisht tërheqjen keqardhëse të tij nga fusha e arbitrimit. Të gjitha vlerësimet e bëra në “Facebook”, që shpesh bëhen në raste të tilla nga mjaft kolegë, drejtues, futbollistë, gazetarë, opinionistë, afërsisht në përmbajtje ishin sikur të ishin bërë nga një dorë e vetme.

Ai vlerësohej si një nga asistentët më të mirë të arbitrimit në dhjetë vitet e fundit. Tepër profesional, me shkallë të lartë të përgjegjësisë shoqërore, i papërdorur nga mjeshtrat e manipulimeve dhe tepër i ndershëm. Mua ai, si dhe të gjithë asistentët e FIFA-s që gjeta në vitin 2010, pra menjëherë pas sezonit 2008-2009 që mbahet mend si më problematiku i arbitrimit e në vazhdimësi, më kujtohet si më i përgjegjshmi, si në aspektin profesional ashtu edhe në atë njerëzor. Së bashku me arbitrin kryesor të FIFA-s, Lorenc Jemini, mund të them se u bënë ndër më të besuarit e mi për t’u rikthyer dinjitetin dhe besueshmërinë e humbur arbitrave te sportdashësit, futbollistët dhe drejtuesit e tyre.

barushi

Më duket shumë e çuditshme se si ju, zoti Duka, që nuk ju ngelet asgjë pa kuptuar, nuk e keni dalluar këtë fakt. Barushi ka bërë edhe gabime, por ka gabuar më pak se kushdo tjetër. Vlerësimet e tij në aktivitetet ndërkombëtare nga specialistët e UEFA-s, veçanërisht në kohën kur ju vendosët ta largonit nga lista e arbitrave të FIFA-s, kanë qenë shumë të mira. Mbi këta tregues, një specialist sportiv e ka tepër të vështirë të kuptojë arsyet e vendimit e më pas të qëndrimit tuaj, për ta spostuar atë çuditërisht në një asistent të dorës së dytë, në një kohë që në Kategorinë Superiore janë aktivizuar asistentë pa eksperiencën e duhur dhe, siç i kemi parë, kanë bërë edhe gabime të rënda.

Unë them të qëndrimit tuaj personal, sepse nga përvoja e hidhur e viteve të shkuara, vendimet për largimin e vëzhguesit Dhori Prifti, të arbitrit Lorenc Jemini dhe së fundi të asistentit Ermal Barushi, janë marrë direkt nga ju z. Duka. Këto janë vendime arbitrare që kanë injoruar jo vetëm Shoqatën e Arbitrave, por edhe Komitetin e Arbitrave që presupozohet se është një organ fuqiplotë për arbitrat. Unë akoma i qëndroj mendimit se veprimet tuaja për të pasur një shoqatë formale arbitrash, ku të pestë drejtuesit e saj, në njëfarë forme janë zyrtarë të FSHF-së dhe jo arbitra, si dhe shkrirja “de fakto” e Komitetit të Arbitrave, duke e vënë në dorë të sektorit të arbitrave, brenda FSHF-së, është thjesht një veprim që ua humbet këtyre organeve pavarësinë dhe e kthen pushtetin si dikur në dorën tuaj personale. Ilir Shulku nuk ka identitet, ai është masha juaj e kamufluar. Është pikërisht ai që merret me politikat dhe me praktikën konkrete të arbitrimit, në një kohë që nuk ka fare punë me të. Rregullorja e miratuar në Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së këtë detyrë ia ka ngarkuar Komitetit të Arbitrave, ku titullari i saj është z. Tahir Kastrati.
tahir kastrati

Për z. Kastrati është e pamjaftueshme që të jetë i ndershëm dhe i paimplikuar direkt në shumë allishverishe që bëhen në atë sektor, sepse edhe neglizhenca e tij, që në njëfarë forme është abuzim me detyrën që i kanë besuar dhe që paguhet, është njësoj e dëmshme si ajo e z. Shulku. Unë në media i kam bërë thirrje z. Kastrati që të deklarohet publikisht dhe të kërkojë rikthimin e menjëhershëm të z. Dhori Prifti në listën e vëzhguesve të FSHF-së, por ai asnjëherë nuk pati kurajë ta bënte atë, edhe pse është plotësisht i vetëdijshëm se Dhori është thjesht viktimë e një vendimi, që në kujtesën time do të ngelet si një vendim mizor i një njeriu të fuqishëm të veshur me pushtet, që quhet Armand Duka, ndaj një personaliteti të vërtetë të futbollit shqiptar, të shumënjohurit Dhori Prifti.

Ai u bë viktimë thjesht se bëri publik një qëndrim rrugaçëror të një zyrtari të shtetit, duke ushtruar dhunë ndaj një trajneri të ekipit mik. Ju që nuk e keni pasur fare problem të riktheni në fushën e arbitrimit apo dhe të vëzhgimit edhe nga ata persona që kanë qenë të dënuar për korrupsion, çuditërisht nuk e bëni këtë për një njeri të nderuar si Dhori Prifti! Zoti Duka! Vetëm të dobëtit janë ata që nuk mund të falin kurrë, sepse falja është virtyt i të fortëve.

Çuditërisht, në trajtimin e çështjes “Prifti” ju gjithmonë keni anuar nga të dobëtit, edhe pse realisht jeni shumë i fuqishëm. Ndërkohë, z. Lorenc Jemini u largua nga fusha e arbitrimit me të njëjtat metoda. Nuk ka asnjë vendim të Komitetit të Arbitrave për të. Po në të njëjtën mënyrë u hoq nga lista e asistentëve të FIFA-s edhe z. Ermal Barushi.
Duka

Zëra të shumtë qarkullojnë se qëndrimi denigrues ndaj z. Barushi e ka zanafillën në kohën e zgjedhjeve për presidentin e FSHF-së. Është shumë e vërtetë se z. Barushi është simpatizant e ndoshta edhe aktivist i Partisë Socialiste. Mund të jetë i vërtetë predikimi se ai mund të ketë qenë simpatizant i kandidatit Fino, por ajo është një e drejtë legjitime e tij dhe nuk ka të bëjë aspak me punën si arbitër. Vetë ju, z. Duka, keni eksperiencë të madhe në këtë fushë. Herë-herë indirekt jeni ekspozuar si mbështetës i Partisë Socialiste, herë tjetër si i Partisë Demokratike, herë-herë si i Partisë Agrare dhe së fundi me koalicionin opozitar. Madje, keni qenë edhe qejfmbetës e për pasojë edhe hakmarrës ndaj atyre zyrtarëve të FSHF-së që nuk e kanë mbështetur në nivelin e duhur kërkesën tuaj për t’u bërë pjesë mbështetësve të këtyre fushatave.

Unë z. Duka, si pjesë aktive e futbollit, e kam shprehur disa herë opinionin tim ndaj aftësive tuaja dhe shumë qartë kam thënë se jeni një president i mirë, i aftë dhe vizionar. Po këtë gjë kam thënë edhe në intervistën e parë të dhënë në gazetën “Panorama Sport”, pas largimit nga FSHF-ja, e cila pati disa enigma. Është rasti të sqaroj se unë atë intervistë nuk e përfundova me fjalët se ju duhet të largoheshit nga FSHF-ja, por thashë: “Duke qenë se futbolli është një sport gjithmonë nën kritika, përsëri z. Duka mund të konsiderohet si një president i mirë…”. Me sa duket, gazetari mendimet e mia se një president nuk duhet të kandidojë më shumë se dy herë nga katër vjet dhe vërejtjet e tjera për përdorimin e arbitrave dhe të qenit të barabartë për të gjithë, i ka keqkuptuar.

Në përfundim të asaj interviste, tha ato që mendonte ai dhe jo ato që thashë unë. Sapo doli artikulli, unë bisedova me kryeredaktorin Jetmir Halilaj rreth atij keqkuptimi. Në këto kushte, unë vendosa ta kapërceja atë situatë, e cila në fakt nuk ishte e dëshiruara për mua. Nuk është një justifikim, sepse nuk kam asnjë arsye ta bëj këtë. E sqarova këtë moment për t’ju thënë se opinioni im i vërtetë është se ju jeni shumë i aftë, madje me zgjedhjen në organet e larta të UEFA-s dhe me pozicionin ekonomik dhe shoqëror që keni, jeni edhe shumë i fuqishëm, prandaj qejfmbetjeve dhe hakmarrjeve primitive duhet t’u jepni fund, sepse ato nuk janë qëndrime burrërore dhe në përputhje me kulturën dhe pozicionin që ju përfaqësoni.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"