Opinion nga Arsen Hoxha/ Goli i Kukësit i rregullt, Kapllanaj shantazhon arbitra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2020 | 19:43

Opinion nga Arsen Hoxha/ Goli i Kukësit i rregullt, Kapllanaj shantazhon arbitra

 ARSEN HOXHA

kukesi-partizani-- goli

 

Presidenti Kapllanaj ngriti tri probleme pas javës së fundit të kampionatit. Në fillim, ai tha se gjatë këtyre javëve të fundit, arbitrat kanë bërë disa gabime, të cilat kanë ndikuar në rezultatin e ndeshjeve të ekipit të tij e për pasojë kanë ndikuar direkt në tabelën e klasifikimit.

Ai tha plotësisht të vërtetën, por jo në vendin e duhur dhe terminologjinë profesionale që rekomandojnë rregullat e shoqatës së madhe të futbollit. Këto çështje trajtohen dhe zgjidhen vetëm në institucionet përkatëse të FSHF-së dhe në asnjë vend tjetër.

 

Së dyti, ai tha se i ka kërkuar FSHFsë që të marrë masat e duhura ose në të kundërt do të braktisin kampionatin. Ne pamë se politika e braktisi parlamentin dhe me përjashtim të disa politikanëve dhe analistëve mediokër, gjithë të tjerët, por veçanërisht politika e përparuar botërore, e konsideroi këtë akt si tepër të gabuar dhe ideatorët e këtij veprimi si të paemancipuar politikisht. Përqafimi nga ana e drejtuesve të ekipit të Ballshit të ultimatumeve për braktisje kampionati në thelb janë po e njëjta gjë, pra janë të tilla që bien ndesh jo vetëm me rregullat sportive, por edhe me kulturën e praktikuesve të futbollit kudo në botë. Në thelb, ato janë shprehje e një presioni të hapur që bëhet ndaj institucionit të futbollit, janë një shantazh i dënueshëm.

Po kërkesa e tretë e z. Kapllanaj ishte që arbitri Laver Alla të përjashtohet përgjithmonë si arbitër?! Për këtë mjaftuan 2-3 raste të mosndëshkimit të disa ndërhyrjeve të gabuara nga lojtarët kundërshtarë si dhe mosdhënia e një 11- metërshi në favor të tyre. Pretendimet e tyre janë të drejta, por po t’i referohemi pozicionit të largët të arbitrit Alla, prej vendit ku topi u prek me dorë, duket qartë se gabimi nuk ka ardhur si pasojë e një dëshire subjektive, por e vendndodhjes jo të përshtatshme të tij. Nga ajo që unë kam dëgjuar, arbitri Alla i ka kërkuar mendim asistentit, i cili ndodhej shumë afër me vendin ku topi u prek me dorë, por ai i ka thënë se nuk kemi të bëjmë me 11-metërsh. Pra, nëse ngjarjen e gjykojmë nga vendndodhja e arbitrave, vetëm 20% mund të themi se është faji i arbitrit Alla dhe 100% i asistentit Tartari.

 

Nëse vlerësimin e bëjmë profesionalisht, mund të themi se edhe arbitri Alla ka një gabim jo të vogël, sepse ai duhet të jetë më i kujdesshëm për të lëvizur në ato zona ku të ketë një kontroll më të plotë ndaj çdo aksioni që ndodh në fushë. Thënia e z. Kapllanaj se “arbitri Alla duhet të përjashtohet përgjithmonë që të bëhet edhe një shembull për arbitrat e tjerë dhe se nga kontaktet që ai ka pasur me drejtuesit e FSHFsë, kishte bindjen e plotë se kërkesa e tyre do të realizohet”, ky është një gabim i madh, sepse në thelb jo vetëm që është një presion i hapur ndaj të gjithë arbitrave të tjerë, por edhe një praktikë e gabuar e vetë drejtuesve të FSHF-së. Unë shpresoj që kjo të mos jetë e vërtetë.

Kemi parë raste të shumta, jo vetëm nga arbitrat më pak të kualifikuar, por edhe nga ata të FIFA-s, të mos japin 11-metërsha edhe kur ngjarja është zhvilluar para syve të tyre. I tillë ishte edhe rasti i arbitrit Hamitaj në ndeshjen Kukësi-Partizani 1-0, i cili në thelb ishte shumë herë më i rëndë se rasti i arbitrit Alla. Çfarë duhet të bëhet me ta, të përjashtohen të gjithë përgjithmonë?! Çdo arbitër mban përgjegjësi vetëm për gabimet e tij dhe asnjëherë ai nuk mund të flijohet për t’u bërë shembull për të tjerët. Kjo ndodh vetëm në sisteme diktatoriale.

Është kjo arsyeja që them se ultimatumet e zotit Kapllanaj janë antisportive. Ato janë të gabuara jo vetëm në formë, por edhe në përmbajtje. Nëse komisionet përkatëse të FSHF-së dënojnë arbitra thjesht të influencuar nga ultimatumet e një presidenti, bëjnë një gabim të madh. Ata duhet të përmirësojnë metodën e tyre të punës, por jo të ndikohen nga ultimatumet, sepse ka rrezik që në të ardhmen kjo të shndërrohet në një praktikë edhe për drejtuesit e ekipeve të tjera.

 

Thënia e z. Kapllanaj se ndaj arbitrit Alla do të hapet një proces gjyqësor, as që ia vlen të diskutohet, sepse nuk përputhet as edhe me të drejtën e arbitrit në vendimmarrjet, nga pozicioni në të cilin ai e shikon një ngjarje. Deklaratat ultimative të presidentit Kapllanaj bien në kundërshtim me rregullat sportive të cilat i ndalojnë deklaratat publike të drejtuesve dhe futbollistëve ndaj arbitrave, aq më shumë kur këto janë presione të hapura jo vetëm ndaj tyre, por edhe vetë FSHF-së.

*** 

Në dy javët e fundit pati gabime mjaft të rënda, si nga arbitrat kryesorë ashtu edhe nga asistentët, madje edhe nga ata me stemën e FIFA-s. E mira do të jetë që ndaj arbitrave që gabojnë edhe në rastet fare të pastra, pezullimet të jenë për periudha të gjata. Duhet të aktivizohen vetëm arbitrat që kanë besueshmëri të lartë profesionale edhe morale. Për ata që gabojnë me dashje apo të paaftët, nuk duhet të ketë vend në atë shoqatë.

Nga sa u pa në ndeshjen Vllaznia-Laçi, gjykimi i gjyqtarit Kridens Meta, veçanërisht në rastin e diskutueshëm për një 11- metërsh të pretenduar nga stafi shkodran, ishte profesional dhe i drejtë. Reagimi i trajnerit të Vllaznisë shërbeu si një nxitje që tifozët shkodranë të hidhnin sende të forta ndaj arbitrit Meta. Në thelb, ishte një presion i hapur për të ndikuar ndaj arbitrave në fushë. Ajo ishte një formë dhune, e cila, ashtu si edhe dhuna e ushtruar publikisht ndaj arbitrave nga stafi i Bylisit, duhet të jetë objekt i Komisionit të Disiplinës.

*** 

Goli i shënuar në ndeshjen Kukësi-Partizani 1-0 dhe i sinjalizuar nga arbitri pas porte, Klodian Shahini, ishte një vendim i guximshëm dhe i drejtë. Si në të gjitha rastet e vështira, diskutimet në botën e interesave janë të ndryshme. Të tilla ishin edhe për këtë rast.

 

Nëse e shikojmë me vëmendje dhe i referohemi logjikës së ftohtë, do të bindemi se topi e ka kaluar vijën fundore. Në foton bashkangjitur, duket qartë se, nëse heqim një vijë perpendikulare nga gjuri i djathtë drejt vijës së portës, ajo bie pothuaj mbi të. Zakonisht, në gjatësinë e lojtarit mbrojtës, distanca nga gjuri te pjesa goditëse e topit është rreth 55-60 cm. Pra, në rastin konkret topi ka kaluar së paku 35-40 cm brenda vijës fundore, pra është një gol i pastër.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"