Olsi Rama: Ministria të lirojë barakat, stadiumi i Partizanit pret Europianin U-17

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2024 | 9:55

Olsi Rama: Ministria të lirojë barakat, stadiumi i Partizanit pret Europianin U-17

Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, është përfshirë së fundmi në një debat publik në lidhje me akuzat e Gazment Bardhit për përfshirjen në aktivitetin kriminal të laboratorit të drogës, i gjetur në Xibrakë vite më parë. Rama ka vendosur të kthejë përgjigje, ku përveçse mohon kategorikisht akuzat e opozitës, shprehet se në asnjë moment nuk e ka shfrytëzuar faktin e vëllait kryeministër.

Olsi Rama

Sipas tij, nëse do ta kishte bërë, Partizani do të kishte zgjidhur ngërçin e shembjes së godinave, që pengojnë ndërtimin e dy fushave. Drejtori zbulon edhe se “Arena e Demave” është përzgjedhur për pritjen e Europianit U-17. “Unë kurrë s’kam pasur punë me këtë shtet që kur ika në vitin e mbrapshtë 1997 në kushtet e kërcënimit të jetës dhe pasi jam kthyer në këtë vend ku drejtoj klubin e futbollit ‘Partizani’.

Jam krenar për tim vëlla, e votoj me kënaqësi si pjesë e shumicës së shqiptarëve për kaq vite dhe ia bëj hallall pjesën time të baltës familjare për shkak të detyrës së tij. Po as jam përfshirë ndonjëherë me politikë, apo me hallet e punës së tij dhe as i kam shkuar ndonjëherë në zyrë, apo kam kërkuar ndonjëherë prej tij ose ministrave të tij ndonjë favor. Për shembull, më vjen keq që prej vitesh klubi ‘Partizani’ kërkon pa sukses nga Ministria e Mbrojtjes, kthimin e disa barakave të shkatërruara të ushtrisë në terren sportiv, për t’ia bashkëngjitur kompleksit sportiv që Presidenti i klubit e ka investuar vetë dhe asgjë nuk lëviz. Në vitin 2025 Shqipëria do të mirëpresë Europianin e të rinjve U-17 dhe stadiumi i Partizanit është përzgjedhur si një nga stadiumet e këtij kompeticioni që vjen për herë të parë në Ballkan. Uroj që qeveria t’ia japë më në fund ‘Partizanit’ ato baraka që kalben mbi tokë pa asnjë ushtar rrotull tyre, që klubi ynë të krijojë një hapësirë të re të gjelbër për shumë djem dhe vajza që luajnë futboll”, shkruan ndër të tjera drejtori i Partizanit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"