“Nuk punoj me plane të gjata, mendoj vetëm sfidën e radhës”, Laçi në “ashensor”, Josa: Ja pse besoj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2021 | 10:36

“Nuk punoj me plane të gjata, mendoj vetëm sfidën e radhës”, Laçi në “ashensor”, Josa: Ja pse besoj

Mirel Josa mundohet që ta mbajë ekipin larg euforisë dhe ëndrrave të mëdha. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” në prag të sfidës me Kastriotin, trajneri i kryeqytetas pohoi se ajo ndaj Kastriotit është ndeshja më e rëndësishme në drejtimin e bardhezinjve. Josa e mori drejtimin e kurbinasve kur ekipi ndodhej në zonën “e ftohtë”, ndërsa në prag të javës së 15-të ndodhen të tretët dhe vetëm 6 pikë bëhet trajner i Laçit dhe tregon se si arritën të ngjiteshin në këtë pikë. 58- vjeçari kur pyetet për titullin me kurbinasit, pohon se nuk është person që punon dhe bën plane afatgjata, kështu që objektivi parësor mbetet fitorja ndaj Kastriotit. Në fund trajneri Josa tregon edhe se çfarë i intereson në këtë javë të derbit të kryeqytetit.

MIREL JOSA 1

Kur e keni marrë drejtimin e Laçit, skuadra ndodhej në zonën “e ftohtë”. Besonit asokohe që do të kishit ecurinë aktuale duke qenë të tretët dhe 6 pikë larg kreut?

Nuk dua t’u futem këtyre diskutimeve, pasi këto janë diskutime që ju përkasin juve të medias. Mund të shikoni ecurinë e skuadrës, por nëse marr drejtimin e një skuadre, kam besim në arritjen e objektivave të atij klubi. Kështu që, duke pasur parasysh përbërjen e skuadrës, mënyrën si funksionon si ekip, besoja që Laçi do të ecte mirë.

A keni ndonjë formulë magjike apo çelës suksesi që ju ka ecur kaq mbarë me kurbinasit në këto javë?

Nuk kam çelës suksesi, por në çdo skuadër ku kam qenë kam pasur suksese përherë. Njeriu duhet të ketë një parim pune dhe parimi i punës që të ketë sukses varet nga shumë hallka, të cilat e përbëjnë skuadrën. Hallkat që përbëjnë ekipin janë drejtimi i skuadrës, drejtuesit e saj, lojtarët që ke në përbërje dhe mënyra si punon me ta dhe ambientohesh.

Vitin kalendarik e mbyllni me Kastriotin, Si e shikon Mirel Josa këtë sfidë, që në letër duket e kalueshme për Laçin?

Për mua është ndeshja më e rëndësishme e kampionatit që kam pasur deri tani nën drejtimin e Laçit. Është më e rëndësishmja, se të gjitha skuadrat kërkojnë të luajnë futboll. Ne duhet të luajmë me principin e respektimit të kundërshtarit.

Me një fitore të mundshme me krutanët, a e prisni më të qetë pjesën e dytë të sezonit?

Të mbarojmë njëherë këtë ndeshje me Kastriotin, pastaj do të flasim për pjesën tjetër të sezonit. Nuk mund të flas tani për shumë gjëra, pasi jam një person që nuk punoj me plane shumë të gjata për sa i përket ecurisë së një skuadre. Mendoj vetëm për ndeshjen pasardhëse dhe ne duhet të kemi parasysh faktin se në futboll dështimi me suksesin janë shumë afër. Kështu që, ne duhet të ruhemi nga të gjitha drejtimet. Në përgjithësi duhet të ruajmë veten tonë si skuadër dhe si individë.

Duke qenë 6 pikë larg kreut dhe skuadra e momentit në Superiore, a besoni se edhe Laçi është në garë për titullin kampion?

Unë dua të besoj vetëm te ndeshja e radhës. Lojtarët e kanë treguar deri tani se janë me këmbë në tokë dhe dua që t’i kem në këtë situatë psikologjike që janë tani.

Jeni trajner i Laçit dhe aty jeni i fokusuar, por në javën e derbit të kryeqytetit edhe trajnerët e tjerë pyeten për këtë kryendeshje. Si e shikoni Partizani-Tirana dhe çfarë ju intereson nga ky derbi?

Mua më intereson që të fitojë skuadra ime dhe të shkoj e ta shikoj derbin në stadium, ashtu siç e kam parë edhe ndeshjen tjetër.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"