“Nuk mendoj ta largoj”, Idrizi konfirmon Çelën dhe shpërndan fajin: Kanë edhe lojtarët, Ramadani të bëjë liderin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2023 | 23:44

“Nuk mendoj ta largoj”, Idrizi konfirmon Çelën dhe shpërndan fajin: Kanë edhe lojtarët, Ramadani të bëjë liderin

Sinan Idrizi nuk ka në plan që të nxitohet për Emiljano Çelën. Edhe pse trajneri mendoi seriozisht largimin pas barazimit me Kastriotin dhe mbi të gjitha vetë administratori kishte vendosur kusht për kthesën, ka vendosur ta konfirmojë. Momentalisht ndodhet në Amerikë dhe me t’u kthyer do të ulet dhe të flasë me numrin një të stolit për shumëçka.

SINAN IDRIZI

Në një deklaratë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai pranon se diçka nuk shkon me skuadrën, por nuk “kryqëzon” vetëm trajnerin.

“Jam në Amerikë për arsye pune. Kur të kthehem do të flas me trajnerin. Besoj se janë të gjithë me ‘këmbë në tokë’. Tani do të shikojmë. Çela vazhdon të jetë në krye të detyrës. Ne jemi një klub serioz dhe nuk vlerësojmë në bazë të emocioneve të dy apo tri ndeshjeve. Është një shumatore e një grupi gjërash. Shikojmë seriozitetin dhe përkushtimin. Janë disa ndeshje që duhet të ishin fituar. Por do të flasim në fund fare. Për momentin nuk jemi duke diskutuar për largim të trajnerit. Unë e vlerësoj te puna që ai bën. Është problem i thjeshtë.

Aty është një gjë që nuk shkon. Jam i sigurt që trajneri do ta zgjidhë me Vorën këtë gjë. Do të jetë një ndeshje shumë e bukur dhe e fortë. Është kjo fikja e ekipit. Nuk e kuptoj se si ekipi në pjesën e dytë fiket në atë mënyrë. Edhe me Ballshin kështu ndodhi, e njëjta gjë në pjesën e dytë. Në Luz ekipi bëri një superndeshje dhe dha një superlojë, mua më pëlqeu tmerrësisht. Nuk e di tani çfarë të them. Pjesa e parë në Krujë ishte shumë e bukur. Në pjesën e dytë një ekip… njësoj si me Ballshin. Nuk e di çfarë nuk shkon. Do të kthehem dhe do të flasim”, tha fillimisht administratori i kuqezinjve.

MESAZHI PËR LOJTARËT

Idrizi vesh me faj edhe futbollistët. Thotë hapur se pret shumë prej tyre dhe u kujton se kanë ardhur në një klub të madh. “Të mos i kalojmë të gjitha shigjetat te trajneri, se edhe lojtarët duhet të jenë më të përgjegjshëm. Ne i kemi sjellë nga Superiorja, ndaj duhet të kuptojnë që këtu është një klub, i cili ka ambicie të mëdha. Shigjetat bien mbi trajnerin kur nuk janë rezultatet, por unë kërkoj më shumë përgjegjësi nga lojtarët.

Përgjegjësinë në radhë të parë e kërkoj nga futbollistët. Do të thuash, që shumica e lojtarëve janë pragmatistë, vijnë që të marrin ca lekë dhe nuk duan t’ia dinë fare për qytetin. Pres përgjegjësi edhe nga ata që nuk luajtën, si nga Ramadani me shokë për shembull. Të mos rrijë atje, por të bëhet lider me ekipin, të bëhet lider në dhomat e zhveshjes.

Është viti i tretë që luan me këtë ekip. Nuk e kemi marrë vetëm të luajë futboll, por edhe të japë eksperiencën e tij në dhomat e zhveshjes. I biem shkurt ‘trajneri, trajneri’. Normal që ai është koka e piramidës, por piramida duhet të jetë e plotë”, shprehet numri një i klubit.

“STACIONI” I FUNDIT

Në Vlorë nuk do të presin gjatë. E ndërsa i fali të gjithë këtë javë, me Vorën do të jetë ndryshe. Sinan Idrizi e thotë hapur se nuk do të suportohet me një humbje të dytë. “Unë jam i detyruar që të pres. Pres një reagim në këtë ndeshje, ashtu sikundër duhet.

Nuk është çështja tek unë, por te qyteti. Vlora nuk pret dot më. Nuk është normale që Flamurtari të jetë këtu. Tifozët duan rezultate. Me Ballshin ishte një stadium civil. Ne e suportojmë humbjen njëherë, por jo dy dhe tri herë. Duhen koordinuar të gjithë. Unë nuk flas kurrë me ‘nëse…’ Por me Vorën pres një ekip që të mbajë përgjegjësi”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"