“Nuk mban më ujë pilafi”, Edon Hasani largohet nga Kukësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2017 | 11:33

“Nuk mban më ujë pilafi”, Edon Hasani largohet nga Kukësi

Klubi i Kukësit dhe mesfushori Edon Hasani kanë shkëputur marrëdhënien mes tyre. Nga dita e sotme futbollisti shkodran është një lojtar i lirë pasi ka përfunduar bashkëpunimin me verilindorët. Njoftimin e ka dhënë vetë klubi i Kukësit me anë të një postimi në faqen zyrtare në internet. Njoftimi bën me dije se shkëputja e marrëdhënieve është me mirëkuptim.

hasani

Megjithatë duhet kujtuar se një krisje e marrëdhënieve mes palëve është njoftuar në media kohë më parë, por si klubi i Kukësit, ashtu edhe Hasani, bënë deklarata mohuese për diçka të tillë. Zyrtarizimi i “divorcit” të sotëm lë të kuptohet se deklaratat e mëparshme kanë qënë thjesht mashtrime për tifozët.

Krisja mes Kukësit dhe Hasanit u vu re edhe në ndeshjen e fundit në Korçë ndaj Skënderbeut, kur në pjesën e dytë pas zëvendësimit, Hasani nuk takoi asnjë nga stafi dhe nuk u ul në stolin e rezervave, por shkoi direkt në dhomat e zhveshjes.

Njoftimi i Kukësit

hasani kukesi

Postimi i Kukësit në faqen zyrtare në internet

“Mesfushori Edon Hasani ka shkëputur marrëdhëniet me ekipin e Kukësit. Shkodrani ka pasur një takim me presidentin Safet Gjici, dhe kanë rënë dakort që bashkëpunimi mes palëve të përfundojë këtu. 25-vjeçari i është bashkuar klubit në vitin 2015 dhe ka arritur të fitojë edhe dy trofe me klubin verilindor, Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë. Kukësi e falenderon për kontributin e tij dhe i uron suksese në karrierën futbollistike.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"