“Nuk kemi rrugë tjetër në derbi përveç fitores”, Fagu: Lojtarët e Tiranës do të japin gjithçka nga vetja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2024 | 13:10

“Nuk kemi rrugë tjetër në derbi përveç fitores”, Fagu: Lojtarët e Tiranës do të japin gjithçka nga vetja

Nesër luhet derbi i kryeqytetit Tirana-Partizani. Për bardheblutë fitorja është jetike, pasi kërkohet tri pikët për të kapur zonën “Final 4”. Trajneri Erbim Fagu në konferencën për shtyp pohoi se e vetmja alternativë është fitorja dhe lojtarët do të japin më të mirën nga vetja.

fagu erbim

Vini nga eliminimi në Kupë, si përballeni me këtë derbi?

Padyshim që na ka ardhur keq nga eliminimi nga Kupa, dhamë gjithçka për të shkuar në finale, por fati në atë ndeshje nuk ishte me ne. Tashmë çdo gjë është e fokusuar te kampionati dhe sigurisht te derbi ditën e nesërme, ku do të bëjmë të pamundurën të marrim tri pikë, si e vetmja alternativë për të vazhduar luftën për në “Final 4”.

Tirana nuk ia ka dalë të fitojë në tri përballjet e këtij sezoni, çfarë do të bëni ndryshe nesër?

Nuk është se do të bëjmë diçka ndryshe nga javët e fundit, pasi kemi krijuar njëfarë stabiliteti në lojë, si në mbrojtje, por edhe ashtu si dalim para. Nesër do të jetë maksimumi i të gjithë lojtarëve, pasi na shërben vetëm fitorja, që do na shërbente shumë edhe për moralin e lojtarëve për vazhdimësinë në ndeshjet e mbetura.

Tirana ka shumë emra, por deri më tani nuk e kanë justifikuar. A keni një apel për ta, të paktën për derbin?

Nuk mendoj se ka nevojë për një apel, pasi gjithsecili nga këta lojtarë e di shumë mirë rëndësinë e kësaj ndeshje. Kështu që kam besim se të gjithë do të japin maksimumin në derbi për të marrë tri pikët.

Si është gjendja e skuadrës në prag të derbit?

Momentalisht i gjithë grupi është i gatshëm për derbin. Ka pasur pak lodhje në ndeshjen e Kupës, por mendoj se këto ditë lojtarë kanë rikuperuar energjitë. Vetëm Najdovski ka pasur një problem dje gjatë seancës stërvitore, do ta shikojmë se si do të jetë gjendja e tij dhe pjesa tjetër është në rregull.

Derbi nuk luhet, por fitohet. A është ky motivi?

Po, është e vërtetë, derbet luhen për t’u fituar, por edhe për faktin se na duhen patjetër tri pikët dhe për tifozët që do na mbështesin. Shpresoj shumë që nesër t’ia dalim.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"