“Nuk kemi ngërç, do të reagojmë të hënën me Egnatian”, Peposhi: Ja si Teuta nis ngjitjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 10, 2023 | 18:38

“Nuk kemi ngërç, do të reagojmë të hënën me Egnatian”, Peposhi: Ja si Teuta nis ngjitjen

Ergys Peposhi shënoi një gol të bukur në pjesën e parë ndaj Partizanit, por Teuta nuk arriti ta administronte në maksimum vlerën e golit të kuksianit. Në një prononcimin për “Panorama Sport”, Peposhi pohoi se Teuta e bëri punën e saj për tri pikët, por futbolli pranon çdo rezultat në fund.

peposhi

Mesfushori me tipare sulmuese foli edhe për ndeshjen e radhës, të hënën ndaj Egnatias.

Jeni i kënaqur me pikën e fituar dhe për mënyrën sesi shkoi ndeshja ndaj Partizanit?

Nuk mund të thuash që jam i kënaqur me 1 pikë, por kur shikon se dominon për gati 80 minuta dhe ke raste për të mbyllur ndeshjen, atëherë si të jem i kënaqur. Meritonim pa dyshim tri pikët në atë duel, por ky është futbolli, do të shohim përpara.

Teuta në vendin e fundit, çfarë i mungon skuadrës që nuk po reagon?

Duhet të përmirësohemi sa më shumë dhe të largohemi nga kjo pozitë. Të gjithë çunat janë për tu vlerësuar maksimalisht, po japim shpirtin në fushë. Nuk duhet t’i vendosim faje njëri-tjetrit. Kemi humbur ose barazuar ndeshje nga episode që kanë qenë neglizhencë e jona dhe jo zotësi e kundërshtarit. Objektivi i radhës është të lëvizim nga këto pozita që jemi. Do të mundohemi që të japim më të mirën dhe për të qenë më lart nga ky klasifikim ku jemi. Duhet t’i marrim një nga një sepse nëse do të marrim objektiva të mëdha, nuk mendoj se jemi në ato pozita për të vendosur objektiva madhore.

A mund të themi se ka një ngërç në ekip?

Jo, nuk ka ngërç. Ambienti është i qetë dhe në këto momente nuk jemi në pozita të mira. Skuadra ka bërë disa hapa fals, të pafalshme ashtu si dhe ndaj Partizanit. Në psikologjinë time, nuk më intereson se kë kam përpara. Barazimi në fushën tonë është humbje për mua dhe për të gjithë. Shpresoj që të fitojmë me Egnatian.

Çfarë sfide prisni me Egnatian?

Është një moment i sezonit kur të gjitha ekipet kanë motivimet e veta. Do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë, kundër një skuadre mjaft të përgatitur dhe në këtë sfidë do të synojmë maksimumin, ashtu si në çdo takim tjetër.

ZAMIR QYPI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"