“Nuk ka kuptim Superiorja pa Vllazninë”, presidenti i Besëlidhjes: Sfida të tilla duhen gjykuar nga arbitra të FIFA-s

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2020 | 20:38

“Nuk ka kuptim Superiorja pa Vllazninë”, presidenti i Besëlidhjes: Sfida të tilla duhen gjykuar nga arbitra të FIFA-s

Besëlidhja u thye të dielën në finalen e “play-off”-it në “Loro Boriçi” nga Vllaznia me shifrat 3-1, rezultat që i lejoi shkodranët të vijojnë në elitë, ndërsa lezhjanët do të detyrohen që të zhvillojnë sezonin e 13-të radhazi në nivelin inferior.

gjok noka

Presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka, gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, fillimisht uron Vllazninë për qëndrimin në elitë: “Në radhë të parë uroj Vllazninë për mbijetesën, pasi nuk ka kuptim Superiorja pa të. Vllazninë dëshiroj që ta shikoj në zonën europiane e jo për mbijetesë. Janë një klub që po furnizon gati të gjitha skuadrat e Shqipërisë, madje edhe ato europiane me futbollistë cilësorë.

Bashkë me trajnerin Plori ndërtuam një skuadër që të synonim ngjitjen, por nuk u ngjitëm më shumë nga fati, sesa nga loja që treguam. Ia dolëm që të mbanim vendin e dytë, të kalonim me sukses finalen e parë të ‘play-off’-it që na mundësoi ndeshjen e madhe me Vllazninë”.

Më pas Noka shprehet se takimi duhej luajtur në fushë asnjanëse: “Ndeshje të tilla finale mes skuadrave të Superiores dhe atyre të Kategorisë së Parë duhet që të zhvillohen në fushë asnjanëse, këtë e them në përgjithësi, jo për përballjen mes nesh dhe Vllaznisë. Cilado që të jenë skuadrat, duhet të ndeshen në fushë asnjanëse, pasi qëndrojnë larg presioneve, si të gjykimit, ashtu edhe të tifozërisë.vllaznia beselidhja

Ndërsa ndeshje të tilla duhet të gjykohen nga gjyqtarë me stemën e FIFA-s, pasi gjyqtarët tanë të Kategorisë Superiore, akordojnë faulle të paqena dhe nuk japin ato që janë. Kjo është një faturë e rëndë për skuadrat që luajnë në fushë kundërshtare”. Në fund, kreu i lezhjanëve flet shkurtimisht edhe për merkaton: “Tani ekipi është lënë pushim dhe gjatë kësaj kohe do të përpiloj planet për të ardhmen. Do të ndërhyhet në merkato aty ku janë evidentuar mangësi. Do të ketë afrime dhe largime”, tha Noka.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"