“Nuk është ndeshje vendimtare”, Nica: Pa frikë me Erzenin, kam ekip të uritur dhe pres të rikthehemi te tri pikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 10, 2023 | 10:02

“Nuk është ndeshje vendimtare”, Nica: Pa frikë me Erzenin, kam ekip të uritur dhe pres të rikthehemi te tri pikët

Kukësi pret të rikthehet te fitoret këtë fundjavë, teksa do të luajë sfidën me Erzenin në qytetin e Rrogozhinës.

nica

Bëhet fjalë për një ndeshje direkte dhe që në kampin verilindor është vlerësuar maksimalisht për të marrë më të mirën e mundshme. Të paktën kështu shprehet në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Stavri Nica, i cili beson tek aftësia e djemve që stërvit çdo ditë dhe ndaj shijakasve do të tregojnë veten.

“Është e kuptueshme që ne tani në çdo ndeshje hyjmë për të zhvilluar futbollin tonë dhe pretenduar më të mirën. E njohim kundërshtarin dhe parashikoj një sfidë të fortë, pasi të dyja ekipet janë në situatën ku u duhen pikët. Jemi përpjekur gjatë gjithë kësaj jave që të jemi në formën tonë optimale dhe lojtarëve nuk u mungon dëshira për të fituar. Kur sheh renditjen është si një ndeshje direkte, por për ne të gjitha kanë të njëjtën vlerë, pasi në këto momente të gjitha skuadrat kanë nevojë për pikë”, u shpreh fillimisht për gazetën trajneri i Kukësit, që shpreson te një fitore ndaj shijakasve.

ECURIA – Kukësi vjen në këtë ndeshje pas një ecurie jo fort pozitive, sepse në pesë ndeshjet e fundit ka marrë vetëm tri pikë, duke barazuar tri dhe humbur dy. Fitorja e fundit është ndaj Vllaznisë më 27 tetor në Kukës. Megjithatë, Nica nuk dëshiron të përmendë fjalën krizë, për aq kohë sa skuadra prodhon dhe luan futboll, duke u shprehur i bindur se rezultati do të vijë.

“Nuk është se jemi vetëm ne në këtë situatë ku na mungojnë fitoret, pasi të gjitha ekipet këtë sezon kanë ato luhatjet e veta. Për aq kohë sa ekipi po luan dhe ka dëshirë për të dhënë maksimumin, nuk shqetësohem. Jemi të qetë, sepse edhe fitoret do të vijnë, mjafton që ne ta kërkojmë atë në çdo ndeshje. Sezoni është i gjatë, ka ato momentet e veta të mira kur merr pikët dhe ato negativet. E rëndësishme është që të mos hyjmë në pesimizëm, por t’i marrim ndeshjet me qetësi, ku nuk duhet të harrojmë se në disa takime kemi luajtur edhe me një lojtar më pak”, u shpreh në prononcimin e tij për gazetën, tekniku i Kukësit, Stavri Nica.

Sakaq, në këtë ndeshje blutë do të vuajnë mungesën e mbrojtësit Franci Lala, pasi u ndëshkua me të kuq në sfidën e fundit ndaj Teutës.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"