“Nuk e diskutojmë Lushnjën”, Çela: Ky ekip ka objektiv madhor, në Kategorinë e Parë nuk njohim rivalë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2023 | 11:21

“Nuk e diskutojmë Lushnjën”, Çela: Ky ekip ka objektiv madhor, në Kategorinë e Parë nuk njohim rivalë

Flamurtari udhëton në Peqin për tri pikët e radhës. Sot përballë do të kenë Lushnjën, një ndeshje që e kanë vlerësuar maksimalisht, ndërsa i gëzohen edhe faktorit fushë asnjanëse. Emiljano Çela tha për “Panorama Sport” se fitorja me Vorën i ka qetësuar së tepërmi, ndërsa ka bindjen se kjo skuadër i ka të gjitha mundësitë për vazhdimësinë.

Cela

“Gjendja e ekipit është e mirë përpara ndeshjes së radhës me Lushnjën dhe kjo na gëzon së tepërmi. Dua të them se, sidomos ana psikologjike ka shumë rëndësi në një skuadër, veçanërisht kur vijmë nga një fitore e rëndësishme sikundër ishte përballë Vorës, një kundërshtari të fortë. Patjetër që kur fiton një ndeshje ndaj një ekipi të vështirë si ajo e fundit, patjetër që ekipi fillon të fitojë besimin. Këtë gjë e kemi arritur dhe kjo javë ka qenë e qetë për ne, por patjetër që edhe me shumë punë.

E rëndësishme është që nuk kemi dëmtime përpara ndeshjes me Lushnjën. Skuadra i ka përballuar mirë fazat e punës dhe shpresoj që tani të gjejmë vazhdimësinë. Kemi ende ndeshje shumë të rëndësishme përpara, pasi jemi vetëm në fillim.

Nuk patëm shumë kohë që ta festonim rezultatin me Vorën, pasi të nesërmen e ndeshjes filluam direkt punën për të përgatitur anti-Lushnjën. Ju e dini që problem kemi pasur finalizimin, por kemi punuar shumë dhe ndeshja me vorakët tregoi se ky grup i ka të gjitha mundësitë që të funksionojë më së miri”, shprehet Çela.

OBJEKTIVI- Emiljano Çela tha se objektivat e Flamurtarit mbeten tri pikët në çdo ndeshje. Trajneri është shumë i vetëdijshëm se pritshmëritë janë të mëdha, ndërsa edhe e thekson se kuqezinjtë duhet të shkojnë ku e kanë vendin.

“Objektivat e Flamurtarit janë për të fituar çdo ndeshje. Kjo skuadër është ndërtuar për objektiva madhorë. Nuk diskutohet fare që në çdo ndeshje do të shkojmë për ta fituar. Mendoj se e kemi stofin, kualitetin dhe cilësinë që të fitojmë çdo sfidë në Kategorinë e Parë. Në këto kushte do të bëjmë më të mirën. Në fushë duhet që të japim grindën që na karakterizon. Patjetër që e kemi për detyrë të gjithë që ta çojmë Flamurtarin aty ku e ka vendin”, tha trajneri.

SITUATA – Erjon Vucaj nuk ia del dot. Edhe pse ka një kontraktim në gju, trajneri Çela nuk dëshiron të rrezikojë. Ai do të jetë mungesë në këtë ndeshje, së bashku edhe Kriviçiç, që është i dënuar nga Komisioni i Disiplinës.

“Do të kemi një skuadër të plotë. Me përjashtim të Erjon Vucajt, që është i dëmtuar. Të gjithë të tjerët janë të gatshëm për takimin me Lushnjën. Në Peqin shkojmë vetëm për tri pikë dhe për asnjë rezultat tjetër”, përfundon Çela. Flamurtari u dha dorën dje përgatitjeve me një seancë stërvitore në ambientet e stadiumit, ndërsa është gati për ndeshjen e sotme.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"