NOTAT E SEZONIT/ Seferi është ylli, Limaj truri! Shehi “specie në zhdukje”, ja të gjitha vlerësimet sipas “Panorama Sport”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2022 | 23:12

NOTAT E SEZONIT/ Seferi është ylli, Limaj truri! Shehi “specie në zhdukje”, ja të gjitha vlerësimet sipas “Panorama Sport”

Mjafton një titull për të hyrë në histori, edhe kur ai është i 26-ti për kampionët e rinj. Por triumfi në një sezon të gjatë e me një konkurrencë të ashpër nuk është vetëm çështje skemash, por edhe se si e ndërton skuadrën, kush ka nervat më të forta, kush di të durojë goditjet në brez dhe natyrisht kush ka influencën e duhur në segmentet e duhura.

TIRANA KAMPION

Tirana i çarmatosi të gjithë këtë edicion, sepse edhe kundërshtarët e saj e kanë pranuar publikisht: Po, bardheblutë e merituan. Kush është arkitekti, kush ruajti balancat dhe kush e shtroi rrugën drejt fitores? Vështirë të thuhen të gjitha në një ditë si kjo dhe vështirë të jesh konciz me vlerësimet, por gjithsesi “Panorama Sport” i ka vendosur notat për të gjithë protagonistët bardheblu.

TIRANA FITUESE E SEZONIT 2021-2022

PRESIDENT:

Refik Halili – Ka bërë atë që duhet të bënte presidenti. Zgjodhi njerëzit dhe lojtarët e duhur. Nuk ndërhyri në zgjedhjet e hierarkisë së tij. La të lirë Grentin, Goldin, Osmanin e Shehin të bënin atë që mendonin dhe mori titullin. Nota 8.

DREJTORË: 

Goldi Halili – Jo gjithçka shkoi mirë gjithë sezonin, por ishte dikush që u kujdes për imazhin e klubit në prapaskenë dhe krijoi kiminë e duhur me mediat, opinionin publik dhe skuadrën. Goldi solli ndryshimin dhe hapjen e klubit. Bravo për modernizimin. Nota 8.

Grent Halili-  Nëse Refiku bëri presidentin, Grenti është njeriu “i padukshëm”. Të gjitha problemet kalojnë nga ai. Ama zgjidhja ka qenë e duhura në çdo rast. Edhe një sakrificë e madhe: lënia e futbollit. Nota 8.

Tefik Osmani-  Me fjalë nuk e mund askush, por edhe me vepra tregoi se është i zoti. Titull si lojtar dhe titull si drejtor, por mbi të gjitha ai që mendon për çdo veprim dhe është amortizatori klub-skuadër. Nota 8

TRAJNERI:

Orges Shehi – Arkitekti. Tregoi edhe një herë që është nga një kategori tjetër. Nga ajo specie në zhdukje e fituesve të përjetshëm. Ndërtoi një ekip të fortë, i drejtoi mjeshtërisht dhe fitoi në mënyrë madhështore. Fjalët e tjera janë të kota. Nota 9.

NDIHMËSTRAJNERËT:

Alfred Osmani – I qetë dhe fjalëpakë. Alfred Osmani është një tjetër shpatull për Shehin. Garanton portën e Tiranës dhe ka meritë maksimale që di të punojë në mënyrë perfekte. Nota 8.

Erbim Fagu – Krahu i djathtë i Shehit deri para një muaji. Punë, punë dhe vetëm punë. Meriton komplimente. Gjithmonë jep më të mirën. Nota 8.

Kosta Jani- Nëse Tirana “fluturon”, meritë është e Kosta Janit. Njeriu që kujdeset deri në detaje për muskujt e ekipit. Ka përgjegjësinë të ndërtojë një “Ferrari” dhe nuk zhgënjen. Nota 8.5.

Kristi Vangjeli- Erdhi në mes të aventurës. Sjell ngrintë dhe eksperiencë në krah të Shehit. I pazëvendësueshëm. Nota 8.

LOJTARËT: 

Visar Bekaj, portier, vjeç: 24 – Kasaforta. Titullar i padiskutueshëm në 30 ndeshje. Repart më vete dhe e ka treguar në fushë. E nisi me ulje-ngritje, por më pas vendosi titullin në shumë ndeshje. Nota 8.5.

Ilion Lika, portier, vjeç: 41 – E ku mund të gjesh një lojtar të tillë që vazhdon e shpallet kampion, ndërsa moshatarët e tij e shohin me disa kile më shumë nga divani! Zëvendëskapiteni i bardhebluve, tashmë me 41 vite mbi shpatulla, ka qenë lideri i skuadrës në dhomat e zhveshjeve. Nota 7.5

Tomas Kiri, portier, vjeç: 17 – Tomas Kiri erdhi në mes të sezonit për të qenë portier i së ardhmes. Nuk ka luajtur asnjë minutë këtë sezon, por gjithmonë në gatishmëri. Pa notë

Leon Kozi, portier, vjeç: 19 –  Është portieri i 19-vjeçarëve të Tiranës dhe një nga alternativat për bardheblutë në portë. I grumbulluar edhe nga skuadra e parë, gardiani ka përpara mundësinë për të treguar veten. Pa notë.

Zhoselin Behiratçe, mbrojtës, vjeç: 21 –  Zbulimi i sezonit. Nga një alternativë në titullar në pjesën e parë të sezonit. Është i fortë, i ri dhe bën gjithçka mirë. Në pjesën e dytë të kampionatit e prish. Nota 7.

Erjon Hoxhallari, mbrojtës, vjeç: 26 –  Garancia. “Shkëmbi” dhe qendra e skuadrës. 2493 minuta në fushë. Titullar në çdo ndeshje, një gol dhe shumë thjeshtësi. Ndoshta sezoni më i mirë, por mbi të gjitha lider. Nota 8.5

Marsel Ismajlgeci, mbrojtës, vjeç: 22 – Talent ka sa të duash. Luan me ulje-ngritje për gjithë sezonin. Ndeshje të mira dhe të dobëta. Kur është në formë, tregon se ka klas dhe ofron gola e asiste. Për hapin e madh, duhet stabilitet. Nota 7,5.

Gentian Muça, mbrojtës, vjeç: 34 – Kapiten edhe jashtë fushe. Kthimi në shtëpi i Muçës sjell edhe titullin. Nëse dy vite më parë ishte titullar, këtë herë së bashku me Likën, zemrën e japin në dhomat e zhveshjes. Nota 7.5

Marlind Nuriu, mbrojtës, vjeç: 24 –  Shumë pak në fushë. Gjithmonë profesionist brenda dhe jashtë fushe. Shembullor në çdo aspekt, por 48 minuta janë pak për ta vlerësuar. Pa notë.

Florian Përgjoni, mbrojtës, vjeç: 24 –  Të vish nga Kategoria e Parë dhe të lësh shenjë që vitin e parë me Tiranën nuk është pak. Gol ëndrrash në derbi dhe mundësi për t’u rritur. Përgjoni është lojtari i së ardhmes. Nota 7.5.

Kristijan Toshevski, mbrojtës, vjeç: 27 – Dhelpra. Në vitin e dytë te Tirana luan sezonin më të mirë. 2299 minuta në fushë. Perfekt dhe gjithmonë i kudondodhur në krahun e djathtë. Bën repart vetë. Nota 8+.

Realf Zhivanaj, mbrojtës, vjeç: 24 –  Zëvendësuesi i parë në mbrojtje. Nuk ka shumë hapësira, por tregon se vitin tjetër me pak pjekuri mund ta luajë një vend titullari. Pa notë.

Filip Najdovski, mbrojtës, vjeç 29 –  Tanku. Dy gola dhe lider i mbrojtjes. Pa të Tirana do ta kishte të vështirë në fushën e lojës. Fuqia dhe grinta, për t’u pasur zili. Merr gjithçka përpara dhe di të bëjë liderin. Nga ata që e ka vendosur titullin. Nota 8.5.

Ardit Toli, mesfushor, vjeç: 24 –  Zemërluani. Ardit Toli erdhi për mbrojtës dhe tani luan mesfushor qendre. Askush nuk e kalon. Nuk është dy metra, as me muskuj, por ai di ta thyejë kundërshtarin. Nota 8.5.

Ëngjëll Hoti, mesfushor, vjeç: 25 –  Zhgënjim përgjysmë. Priteshin gjëra të mëdha prej tij. E nisi sezonin titullar, por më pas nuk ia doli. Gola ka shënuar, por duhet të përshtatet me Superioren. Nota 7.

Vesel Limaj, mesfushor, vjeç: 25 –  Truri. Loja e tij nuk duket. As golat e tij me peshë në derbi apo ata spektakolarë. Është i pazëvendësueshmi i skuadrës. Ai prek çdo top. Blerje e madhe. Nota 8.5.

Enur Totre, mesfushor, vjeç: 25 – Gjeometri. Shqiptari nga Maqedonia bën çdo gjë. Zgjuarsia e tij gjithmonë ka vendosur ndeshje. Është ndoshta blerja më e goditur. Çdo sprint e ka të llogaritur si të ishte në hapësirë. Nota 8.5+.

Arbër Bytyqi, mesfushor, vjeç: 18 –  Shumë pak në fushën e lojës. Erdhi në pjesën e dytë të sezonit, por më pas u dëmtua. Pa notë.

Enes Kuka, mesfushor, vjeç: 20 – Ka luajtur 143 minuta. I duhet edhe pak kohë që të jetë pjesë e titullarëve. Sezon transit. Vitin tjetër duhet të tregojë veten. Pa notë.

Klevi Qefalija, mesfushor, vjeç: 18 – Shumë i vogël, por e ardhmja e mesfushës. Ka luajtur takimet e fundit, ndërsa potenciali është shumë i madh. Bast për vitin tjetër. Pa notë.

Mario Beshiraj, sulmues, vjeç: 22 –  Në fazën përgatitore ishte shpërthyes. Forcë sa të duash. Është nga ata që bën vetë repart, por hapësirat i ka të pakta. Kandidat për sezonin tjetër. Pa notë.

Devid de Silva, sulmues, vjeç: 26 –  Zhgënjimi për reklamën që pati. Erdhi me bujë të madhe në janar për të zëvendësuar Ngonë. Ka shënuar vetëm dy gola, ndonëse ka luajtur një fazë. Nuk e ka gjetur ende veten. Nota 6.

Aldi Gjumsi, sulmues, vjeç: 20- Basti. Sulmuesi është basti i Orges Shehit. Dhe në njëfarë mënyre i fituar. Bën mirë në shumë ndeshje, ndërsa në të tjera mund të jepte më shumë. I mungon goli në Superiore, por ka kohë. Nota 7.5.

Majkëll Ngo, sulmues, vjeç: 29 – I humburi i madh. Erdhi për të bërë gjëra të mëdha. Deri në dhjetor tërhoqi skuadrën për dore, duke treguar se prekjen e klasit e ka. Fatkeqësi që dëmtohet, por meritat i duhen dhënë. Nota 6,5.

Taulant Seferi, sulmues, vjeç: 25 –  Ylli. Disa i thonë kafsha. Jo në kuptimin e keq, por ai që shkatërron gjithçka. Golat e tij e tregojnë se është ajka e skuadrës. Ai që i ka munguar sulmit. Ylli i ekipit. Nota 9+

Redon Xhixha, sulmues, vjeç: 23 – Vrasësi. Ta shohësh Redon Xhixhën as ta mbush mendjen që është ekzekutuesi i kundërshtarëve. Që në vitin e parë, të rrallë janë ata që kanë bërë diferencën te Tirana. Çdo lëvdatë e merituar. Nota 9.

Dijar Nikqi, sulmues, vjeç: 17 – Surpriza. Vjen në janar. Në hije të plotë shënon dy gola dhe habit të gjithë. Më mirë se kaq nuk ka. Nota 7.5.

PANORAMASPORT.AL

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"