Nostalgjiku Braho: Luftëtari e mposht Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2016 | 11:30

Nostalgjiku Braho: Luftëtari e mposht Partizanin

Një nga legjendat e futbollit shqiptar dhe gjirokastrit Sefedin Braho, i cili ka mbajtur veshur edhe fanellën e Partizanit në vitet 1972- 1974, flet para sfidës që bluzinjtë do të luajnë ndaj të kuqve.

Sefedin Braho

“Te Luftëtari u linda dhe u formova si lojtar profesionist, por te Partizani për dy sezone kam përjetuar emocione të rralla, të cilat vetëm ‘pluhuri i harresës’ i fashit nga memoria. Tashmë që Partizani rikthehet në Gjirokastër pas shumë vitesh mungesë, ndihem sa i emocionuar, aq dhe i lumtur.

Partizani është një emër i madh i futbollit shqiptar, emër të cilin e ka shkruar me ‘germa të arta’ në historinë e tij që nga dita e krijimit si klub. Megjithatë, Luftëtari është ekipi im i zemrës, pasi për këtë skuadër kam sakrifikuar gjithçka, ndaj dhe të shtunën do të bëj tifo dhe do të dëshiroja vetëm fitoren për ekipin e zemrës, Luftëtarin”, tha fillimisht “Mjeshtri i Merituar i Sportit”, për “Panorama Sport”.

Braho ka nostalgji për të shkuarën, për lojën e bukur dhe kombinative, ndërtuar mbi strategjinë e kapjes së kundërshtarit në befasi përmes kundërsulmit.

“Kanë kaluar vite që nuk e kam parë këtë lojë të Luftëtarit, kjo edhe për meritë të trajnerit. Me të tillë lojë në dekadat e shkuara, Luftëtari ka mposhtur jo vetëm Partizanin, por edhe shumë ekipe të tjera që kanë lënë gjurmë në historinë e futbollit shqiptar të para viteve ’90. Te Luftëtari me kënaqësi konstatoj rikthim në identitet, pasi kjo është dhe tradita e ekipit tonë.

Përballë Partizanit nuk duhet të tregohemi euforikë, përkundrazi të tregohemi të qetë psikologjikisht, të kujdesshëm në zbatimin e detyrave të ngarkuara nga trajneri në adresë të futbollistëve që do të jenë pjesë e 11-shes”, ka thënë Braho që në fund të deklaratës së tij shton:

“Të shtunën do të jetë ditë feste, pasi përurohet rikonstrukturimi i stadiumit ‘Gjirokastra’. Festën ta fillojmë dhe ta përfundojmë me fitoren e Luftëtarit ndaj Partizanit që këtë sezon synon titullin”, ka përfunduar autori i 59 golave në karrierën e tij me skuadrën e Luftëtarit.

Stërvitja

Dje, për herë të parë, skuadra e Luftëtarit ka shkelur tapetin e ri të vendosur së fundmi në stadiumin “Gjirokastra”, duke zhvilluar seancën e radhës stërvitore. Trajneri Milinkoviç ka synuar që lojtarët të ambientohen me terrenin ku do të luhet ndeshja ndaj Partizanit. Në stërvitje kanë munguar vetëm Rroca dhe Fajes që janë të dëmtuar.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"