Një traverse dhe asgjë më shumë. Luftëtari dhe Vllaznia ndahen në paqe (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2017 | 15:12

Një traverse dhe asgjë më shumë. Luftëtari dhe Vllaznia ndahen në paqe (VIDEO)

Luftëtari dhe Vllaznia janë ndarë në një barazim 0-0 në Gjirokastër, në një duel i cili ka dhuruar shumë pak emocione. Dueli është mbizotëruar nga frika për të mos pësuar nga të dy skuadrat të cilat e kishin më shumë mendjen për t’u mbrojtur sesa për të shënuar.

lufetatri vllaznia

Në pjesën e parë, pavarësisht mbajtjes së topit nga Luftëtari, rastet më të mira i krijoi Vllaznia që goditi traversën me Pjeshkën. Ndërsa në pjesën e dytë, ishte Luftëtari më ngulmues, por pa dalë thuajse asnjëherë para portës së Selimajt.

MINUTË PAS MINUTE

90’+3’ Mbyllet ndeshja me barazimin pa gola mes dy skuadrave.

90’+1’ Aleksi provon përsëri nga distanca, por Selimaj kontrollon gjithçka me një hedhje të sigurt.

90’ Akordohen tre minuta shtesë.

90’ Lamçe sulmon përsëri në krahun e djathtë, një ndërhyrje e Pjeshkës shpëton skuadrën shkodrane nga një situatë e vështirë.

87’ Përsëri kërkojnë 11-metërsh vendasit, pas një ndërhyrje të Selimajt ndaj Lamçes që sulmoi nga e djathta. Për gjyqtarin është thjesht rivënie fundore.

85’ Kundërzbritje e shpejtë e Luftëtarit me Abazajn që merr topin dhe gjuan në pozicion qendror, por dërgon sferën mbi kuadrat.

84’ Në lojë për Vllazninë edhe Kalaja në vend të Çinarit. Cungu kërkon që të mbajë sa më larg portës së tij ekipin e Luftëtarit që po insiston në këto momente.

83’ Protesta të vendasve, pasi Bregu rrëzohet në zonë pas një kontakti, por gjyqtari i bën shenjë që të ngrihet.

80’ Në fushë edhe Hoxha në vend të Ramadanit.

75’ Shumë ndalesa loje dhe vonesa në këto momente, duke mos i dhënë mundësinë dy ekipeve që të krijojnë rrezikshmëri në portat kundërshtare.

73’ Vucaj hyn në fushën e lojës në vend të Bardullës së dëmtuar.

69’ Një gabim i dyshes Pjeshka-Selimaj thuajse i dhuron Bregut golin e avantazhit, pasi rivënia e portierit godet lojtrain e Luftëtarit dhe për fat të mirë të shkodranëve nuk kthehet drejt rrjetës.

68’ Shpërdoron një tjetër mundësi të mirë shënimi Vllaznia. Pas një topi nga e djathta, as Orelesi dhe as Pjeshka nuk arrijnë të shtyjnë sferën në rrjetë.

65’ Vjen edhe një tjetër ndryshim në radhët e Luftëtarit, Rroca zë vendin e Brahimajt.

60’ Fernandez largon nga fusha Nunjez, duke i dhënë mundësinë Lamçes që të luajë në 30 minutat e fundit të ndeshjes.

57’ Luftëtari fillon të mendojë të gjejë golin me gjuajtjet nga distanca. Fillimisht Abazaj provon me një goditje e cila devijohet nga mbrojtja para se të përfundojë lehtësisht në krahët e Selimajt. Më pas është Ropo që gjuan nga rreth 25 metra, duke dërguar topin jashtë kuadratit në të djathtë të portierit të Vllaznisë.

49’ Ritëm i ulët edhe në fillimin e pjesës së dytë, me skuadrat që janë shumë më të vëmendshme për të mbrojtur sesa për të rrezikuar portën kundërshtare.

46′ Rifillon ndeshja pa ndryshime mes dy ekipeve.

45’+1’ Mbyllet në barazim pa gola pjesa e parë.

45’ Aksion me shumë pasime mes Bregut, Abazajt dhe Brahimajt, që finalizohet me gjuajtjen nga e djathta të këtij të fundit, që shpërdoron një mundësi të mirë duke mos gjetur kuadratin.

42’ Ka rënë disi rrezikshmëria e Luftëtarit, që tani kujdeset shumë edhe për prapavijën, duke parë se sa rrezikshëm arrijnë të kundërsulmojnë shkodranët.

40’ Lika provon dy herë radhazi të gjuajë drejt portës së Mirakës, i ndaluar në të dy rastet nga mbrojtja e Luftëtarit që bllokon tentativat e kapitenit të shkodranëve.

34’ Tjetër mundësi e shpërdoruar nga shkodranët. Gocaj harkon bukur nga krahu i djathtë duke gjetur Ribajn në zonë. Goditja me kokë e sulmuesit është e gabuar dhe topi përfundon jashtë.

27’ Dridhet porta e Luftëtarit. Pas një goditje nga këndi të ekzekutuar me skemë nga Lika dhe Hasani, kapiteni i Vllaznisë harkon në zonë, duke gjetur Pjeshkën i cili gjuan me kokë, por topi ndalet nga traversa dhe më pas mbrojtja vendase largon rrezikun.

25’ Iniciativën në këto minuta e ka Luftëtari, që provon në të gjitha mënyrat që të gjejë rrjetën, por me mbrojtjen kundërshtare që shfaqet shumë e vëmendshme duke nxjerrë shpesh në pozicion jashtë loje sulmuesit vendas.

19’ Bregu mundohet të gjejë hapësirë për të gjuajtur në portë nga e majta, por ndalet nga Krymi. Sfera shkon te Aleksi i cili gjuan me forcë, por topi kalon mbi traversë.

14’ Duel mjaft interesant në krahun e djathtë mes Abazajt dhe Markut. Futbollisti i Luftëtarit fiton një goditje nga këndi në tentativën për të çuar topin në zonë. Rapo harkon nga këndi por Selimaj del dhe kontrollon topin me qetësi.

9’ Dy skuadrat nuk arrijnë të gjejnë hapësira për të rrezikuar në këto minuta, edhe pse provojnë që të hapin lojën nga krahët kur të dy ekipet kanë në përbërje futbollistë mjaft interesantë.

5’ Gilman Lika harkon një top në zonë falë një goditje dënimi nga e majta, mbrojtja largon topin në këndore. Në ekzekutimin nga këndi, Hasani provon me një top në shtyllën e parë, por gjirokastritët janë të vëmendshëm duke mos i dhënë mundësinë lojtarëve të Vllaznisë të gjuajnë në portë.

1′ Fillon ndeshja në Gjirokastër.

Luftëtari-Vllaznia 0-0

Luftëtari: Miraka, Toledo, Beqiri, Rapo, Rapa, Ramadani (80′ Hoxha), Aleksi, Brahimaj (65′ Rroca), Bregu, Abazaj, Nunjez (60′ Lamçe).

Trajner: Daniel Fernandez

Vllaznia: Selimaj, Gocaj, Pjeshka, Orelesi, Marku, Krymi, Bardulla (73′ Vucaj), Hasani, Lika, Çinari (84′ Kalaja), Ribaj (89′ Atsina).

Trajner: Armando Cungu

KV: Marku

Gjyqtar: Blerim Ziri

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"